Lidhja Europiane për Ndryshim dhe Aleanca për Shqiptarët kanë filluar konkretizimin e bashkëpunimit. Në takimin e një dite më parë të zhvilluar mes Izet Mexhitit, Afrim Gashit dhe Bilall Kasamit me kryetari e ASh-së, Arben Taravari është biseduar për mënyrën e integrimit të strukturave të ASh-së brenda LEN-it
“Ditëve në vijim do të formohen grupe punë të cilat do të punojnë për integrimin e ASh-së brenda koalicionit tonë. Gjithashtu do të punohet edhe në përpilimin e programit për garën zgjedhore. Më pas do të finalizohet edhe çështja e kandidatit për president dhe listave për deputetë. Pra jemi duke hyrë në një fazë finale ku duhet të merren vendime të mëdha”, deklaroi Orhan Murtezani, Zëdhënës i Alternativës.
Në takimin e mbrëmshëm është biseduar edhe për kandidatin e përbashkët për president. Kreu i ASh-së, Arben Taravari tha se oferta ndaj tij qëndron, por akoma nuk ka një vendim.
“Biseduam edhe për atë temë realisht, por nuk kemi një vendim definitiv akoma. Oferta qëndron, por do ta shohim, do ta shqyrtojmë ditëve në vijim. Nuk ka vendim akoma”, tha Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, opozita shqiptare do të shkon me lista të përbashkëta për deputetë, ndërsa përveç kandidat të Lëvizjes Demokratike, Lëvizjes Besa, Alternativës dhe Aleancës për Shqiptarët, në lista do të ketë edhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, por që janë shtetas të Maqedonisë së Veriut. Nga ana tjetër, BDI dhe formacioni politik i udhëhequr nga Ziadin Sela akoma nuk kanë vendosur nëse do të jenë me lista të përbashkëta për deputet si parti shqiptare, duke përfshi edhe subjekte më të vogla, apo do t’i bashkohen frontit evropian ta paralajmëruar nga LSDM-ja. /Alsat/