LEN: Grubit nuk i interesojnë shqiptarët, por kazinotë

    Lidhja Evropiane për Ndryshim përgënjeshtron zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubin për kufirin Llojan- Miratoc.

    Opozita shqiptare thotë se situata në terren është krejtësisht ndryshe nga ajo që deklaron Grubi, pasi në terren nuk ka asnjë punim.

    “Zotëri Grubi në mënyrë bombastike e lajmëroi se atje edhe interneti është lëshuar dhe ju gazetarët mund të dilni ta vëzhgoni atë terren, ta monitoroni se nuk ka asgjë me realitetin ajo që e fliste. Dhe në fund e la fajin se ishte problem te shteti serb, ndërsa nga ana tjetër kur ishte punë për Ballkanin e Hapur, shumë shpejt kontaktonin me Vuçiçin, bile bile edhe marshonin nëpër rrugët e Maqedonisë bashkë, duke i treguar monumentet Vuçiçit se janë të rëndësishme. Kurse për punën e kufirit nuk paskan komunikim. Mendoj se ata nuk kanë hyrë për të zgjidhur problemet e shqiptarëve që i tangojnë që me të vërtetë ballafaqohen çdo ditë, por kanë hyrë për çdo ditë të hapin sa më tepër kazino, sa më tepër kredi të shpejta”, tha Visar Ganiu, LEN.

    Zëvendëskryeministri Grubi ditë më parë në një takim me qytetarët e Kumanovës deklaroi se të gjitha çështjet teknike dhe administrative për kufirin Llojan-Miratoc kanë përfunduar, ndërsa tani mbetet që të bindet Serbia.

    “Llojan- Miratovc, e kemi nënshkru marrëveshjen me Serbinë, e kemi miratu në Qeveri, e kemi propozu ligjin në parlament, e kemi miratu ligjin në parlament, rrugën e kemi ndërtu, internetin e kemi dërgu, telefonin e kemi dërgu deri aty. Premtoi pala serbe që do të angazhohen edhe ato. Nuk e kanë interes jetik, sepse nuk kanë qarkullim as ekonomik, as njerëzor, as një lidhje për interes të shtetit të tyre, prandaj edhe zvarritet kjo çështje….Tash mbetet ta gjejmë mënyrën se si ta bindim edhe Serbinë, ta bën të njëjtën që e kemi bërë ne”, kishte thënë Artan Grubi, BDI.

    Hapja e kufirit Llojan- Miratoc është një problem shumëvjeçar, ndërsa është një premtim që jepet para çdo cikli zgjedhor.

    Për të kaluar nga Llojani në Miratoc, nevojiten vetëm 3 kilometra rrugë, por banorët e këtyre dy fshatrave detyrohen të udhëtojnë 30 kilometra, përmes Tabanocit për të vizituar të afërmit të tyre. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Mbi 400 mijë qytetarë do të përfshihen me masat antikrizë

    Lajmi i rradhës

    14 kompani në RMV nuk kanë paguar tatimin solidar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë