Leshnica vazhdon të mos ketë shkollë! Nxënësit mësojnë në xhami (Video)

    Gazetare | Iva Nasufi

    Fshati Leshnicë në komunën e Zhelinës prej vitesh po përballet me një problematikë që për kohën në të cilën jetojmë duket surreale. Fëmijëve të këtij fshati, i cili gjendet vetëm pak kilometra larg nga Tetova, nuk u sigurohet plotësimi i një prej të drejtave të tyre elementare që është arsimimi. Përpara dy vitesh shkolla e këtij fshati, një shkollë e një ndërtimi të vjetër prej druri, u rrënua dhe në vend të saj filloi ndërtimi i një objekti të ri. Ky ishte një lajm shumë i mirë për banorët e këtij fshati dhe udhëheqësit e Komunës dhe të Ministrisë së Arsimit nuk nguruan ta përkthejnë ndërtimin e kësaj shkolle në pikë politike, por edhe pas 2 vitesh, ky objekt ende nuk është gati, shkruan Nistori.

    Banorët e këtij fshati duket se janë dorëzuar përballë premtimeve të një pas njëshme dhe mospërfilljes së kërkesave të tyre. Ata janë të zhgënjyer, por edhe tepër të revoltuar që krijimi i kushteve të nevojshme për arsimimin e fëmijëve të tyre duket i parëndësishëm për udhëheqësit politik. Ata vetë janë munduar të gjejnë zgjidhje duke siguruar transport për nxënësit nga klasa e pestë deri në klasën e nëntë, të cilët mësojnë në shkollën e fshatit Zhelinë, ndërsa fëmijët nga klasa e parë në të katërt mësojnë në ambientet e xhamisë së fshatit.

    Ministria e Arsimit dhe Shkencës për Nistori thotë se, objekti është i përfunduar, aktualisht po menjonohen vërejtjet jo thelbësore nga kontraktori, si dhe vërejtjet për komunën e Zhelinës.

    “Ministria e Arsimit dhe Shkencës​ investon në ndërtimin e objektit shkollor rajonal në ShF “Luigj Gurakuqi​” në f. Leshnicë, Komuna e Zhelinës, për të cilën janë ndarë 4,75 milionë denarë. Kontraktori është vënë në punë me datë 28.3.2022 dhe procedura është në rrjedhë. Objekti është i përfunduar, aktualisht po menjonohen vërejtjet jo thelbësore nga kontraktori, si dhe vërejtjet për komunën e Zhelinës, e cila duhet të bëjë lidhjen me rrjetin e mbrojtjes nga zjarri në mënyrë që objekti të marrë leje përdorimi nga Autoriteti mbikëqyrës.​” – deklaron MASh.

    Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Zhelinës Blerim Sejdiu, tha se nga ana e Komunës janë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme ndërsa vonesa ndodh si shkak i dështimit të prokurimit nga ana e Ministrisë, gjë që ka ndodhur tashmë për herë të tretë dhe nuk ka asnjë arsyetim, as në rrugë zyrtare se pse ndodh diçka e tillë.

    Nxënësit që udhëtojnë për në fshatin Zhelinë duhet të paguajnë 20 denarë për rrugë, në total 40 denar në ditë për fëmijë. Këto shpenzime nuk mbulohen nga Komuna pasi sipas kryetarit të komunës, ky fshat nuk është në largësinë që parasheh ligji për të siguruar transport, pra në minimum 2km largësi. Në fakt një matje e thjeshtë nga qëndra e fshatit Leshnicë deri në objektin e shkollës në Zhelinë tregon një distancë prej 2.19km. 

    Nxënësit dhe banorët e fshatit Leshnicë sërish mbeten me shpresë se së shpejti objekti i ri i shkollës do të vihet në funksion ndërsa kryetari i komunës, Blerim Sejdiu, premtoi se pas një muaji nxënësit do të mund të fillojnë mësimin në shkollën e re. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Kovaçevski publikon fotografi me Bajdenin: Partneriteti strategjik me SHBA-në është mjaft i rëndësishëm

    Lajmi i rradhës

    Pse është i rëndësishëm ushqimi i shëndetshëm për adoleshentët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë