Lëvizja Besa: RMV e ka vendin në BE, por jo me këtë qeveri antieuropiane

    Komunikata e plotë e Lëvizjes Besa për Nistorin:

    Skandalet në sistemin gjyqësor nuk kanë të ndalur

    Pushteti ekzekutiv i udhëhequr nga partitë politike LSDM dhe BDI vazhdon ashpër të ndërhyjë në punët e gjyqësorit. Udhëheqësit politik të këtyre dy subjekteve politike nuk u mjaftuan me emërimin e të afërmëve të tyre në pozita kyçe në organet e drejtësisë por përkundrazi vazhdojnë të ndikojnë dhe të degradojnë pushtetin gjyqësor tanimë në kundërshtim me vlerat dhe parimet themelore të drejtësisë duke ndërhyrë në Kodin Penal. Në procedurë të shpejtë duke keqpërdorur të gjitha standardet dhe praktikat e mira parlamentare si dhe duke keqpërdorur flamurin evropian, kjo qeveri ditë më parë miratoi ndryshimet e Kodit Penal me të cilat parashihet ulje drastike e dënimit me burg për bartësit e funksioneve publike në rast të gjykimit të tyre për shpërdorim të detyrës zyrtare.

    Këto ndryshime të Kodit Penal jo vetëm që janë në kundërshtim me vlerat demokratike të një gjyqësori të mirëfilltë, por gjithashtu inkurajojnë krimin dhe korrupsionin. Nga ana tjetër vlen të theksohet se me këto ndryshime të Kodit Penal rrezikohet që një numër i madh i lëndëve gjyqësore të cilat janë proceduar nga Prokuroria Speciale të parashkruhen apo të vjetërsohen edhe atë: Titanik, Target/Fortesa, TNT, Titanik 2, Thesari, Talir dhe Trajektorja, ndërkaq të akuzuarit në këto lëndë gjyqësore t’i ikin përgjegjësisë penale për veprat e tyre në dëm të buxhetit të shtetit dhe qytetarit.

    Lëvizja Besa si subjekt politik shpreh shqetësime serioze lidhur me këto ndryshime të Kodit Penal sidomos kur shohim se këto ndryshime jo vetëm që inkurajojnë krimin dhe korrupsionin por gjithashtu janë edhe në kundërshtim me vlerat e një demokracie të mirëfilltë dhe interesin strategjik të vendit tonë. Një konstatim i tillë vërtetohet edhe nga deklarata e Departamentit Amerikan të Shtetit të cilët ashpër reaguan ndaj këtyre ndryshimeve të Kodit Penal duke theksuar se “DASH inkurajon Maqedoninë e Veriut që t’i përmbushë premtimet e saj për luftën kundër korrupsionit. Liderët e Maqedonisë së Veriut patjetër të tregojnë rezultate të dëshmuar dhe të përforcojnë luftën kundër korrupsionit, pavarësisë institucionale dhe të ndalojnë ndërhyrjen politike posaçërisht në gjyqësor. Kjo është thelbësore për arritjen e qëllimit, anëtarësimit në BE dhe kthimin e besimit të qytetarëve tek pushteti”. Të njejtën porosi e përçuan edhe shumë organizata jo-qeveritare ndërkombëtare dhe nacionale nga sfera e drejtësisë të cilat mes tjerash potencojnë se këto ndryshime janë në kundërshtim me përkushtimin për luftë të pakushtëzuar kundër korrupsionit dhe për forcimin e sanksioneve ndaj personave të dënuar për vepra korruptive.

    Mirëpo, edhe përkundër këtyre deklaratave shqetësuese dhe tepër serioze të aleatëve më të fuqishëm të RMV-së, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e udhëhequr nga LSDM dhe BDI vazhdon për çdo ditë të na sjell nga së paku një skandal korruptiv, ndërkaq si rast më të freskët e kemi konstatimin e Komisionit Shtetëror për parandalimin e korrupsionit të cilët jo më larg se dje konstatuan se BDI ka shkelur rëndë ligjin për financimin e partive politike dhe ka financuar kampanjën e tyre në kundërshtim me ligjin.

    Ne vlerësojmë se Republika e Maqedonisë së Veriut e ka vendin në Bashkimin Evropian, mirëpo jo me këtë qeveri veprimet e të cilës janë anti-evropiane. Andaj që të jemi pjesë e familjes së madhe evropiane ne duhet që të përkushtohemi për një gjyqësor të pavarur, efikas dhe transparent ndërkaq për këtë na nevojitet një qeveri e re e pa korruptuar, me njerëz të aftë dhe me integritet moral dhe profesional, njerëz që nuk janë të kapur dhe me vizion për të drejtuar shtetin.

    12.09.2023
    Lëvizja BESA
    Fatmir Sabriu
    Departamenti i Drejtësisë.

    Lajmi Paraprak

    Enët plastike i rrezikojnë veshkat

    Lajmi i rradhës

    Çfarë nënkupton mbyllja e Qeverisë amerikane?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë