Liderët e partive shqiptare në RMV dënojnë sulmin në veri të Kosovës

    Afrim Gashi – Kryetar i AAA

    Sulmi i mbrëmshëm ndaj Policisë së Kosovës në një fshat të Zveçanit, me ç’rast ka mbetur i vrarë një polic dhe një tjetër është plagosur, është shqetësim jo vetëm sepse edhe në vitin 2023 Serbia vazhdon të sillet ndaj fqinjëve si më 1913-të, por edhe sepse sulmet e këtilla mund të jenë shkëndija që mund të krijojnë tension të paparashikueshëm e me pasoja të padëshirueshme për të gjithë ata që besojnë në Ballkanin e paqes e stabilitetit.

    Duke e dënuar këtë sulm si goditje ndaj sovranitetit të Republikës së Kosovës nga Serbia, natyrisht përmes grupeve terroriste të armatosura atje, i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, SHBA-së dhe BE-së, që të mos lejojnë të na përsëriten skenat e para çerekshekullit dhe mos të lejojnë që konfliktet luftarake të kthehen në brendi të Europës.

    Ndonëse tavolina e bisedimeve është vendi ku duhet të rrafshohen dallimet dhe Kosova e Serbia të arrijnë normalizimin e marrëdhënieve, kjo natyrisht nuk duhet të nënkuptojë se Serbia mund të sillet ndaj Kosovës si Rusia në Ukrainë, aq më shumë që sigurinë e Kosovës e garanton prania e NATO-s. Kosova është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht nga më shumë se 100 shtete, mes të cilave nga SHBA-ja dhe shumica e shteteve të BE-së, andaj mosndëshkimi i Serbisë për agresionin mbi Kosovë e vë në test serioz edhe të drejtën ndërkombëtare, si edhe sigurinë e rajonit që aspiron Bashkimin Europian.

    Me këtë rast i shpreh ngushëllime familjes së policit të vrarë, tashmë dëshmor i Kosovës, ndërsa policit të plagosur i uroj rimëkëmbje dhe shërim të shpejtë.

    Ali Ahmeti – Kryetar i BDI

    Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka reaguar ndaj vrasjes së efektivitit të policisë së Kosovës në veriun e vendit.

    “Sulmi vrastar ndaj shtetit të Kosovës dhe policisë së vendit është sulm ndaj paqes, stabilitetit dhe sigurisë së gjithë rajonit.

    Dënoj në formën më të ashpër sulmin ndaj policisë së Kosovës dhe vrasjen e efektivit si dhe plagosjen e të tjerēve në mëngjesin e sotëm në veri të Kosovës.

    Ky provokim i rëndë është i qëllimshëm me agjendë të paracaktuar, andaj dhe duhet menaxhuar me gjakftohtësi dhe mençuri për arsye se pasojat mund të janë rajonale mbi paqen dhe stabilitetin.

    Këto zhvillime janë të papranueshme dhe koordinimi dhe bashkëpunimi me komunitetin ndërkombëtar, garantues i paqes dhe pavarësisë së Kosovës, është i domosdoshëm dhe urgjent.

    Shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës dhe shërim të shpejtë të të plagosurve. “ shkruan Ahmeti në platformat socijale.

    Taravari dënon ashpër sulmin e kryer ndaj policisë së shtetit të Kosovës: Ky është rast alarmant

    Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, përmes një shkrimi në Facebook, ka dënuar ashpër sulmin e kryer ndaj policisë së shtetit të Kosovës nga i cili ka mbetur i vrarë një policë.

    “Dënoj me ashpërsi sulmin e kryer ndaj policisë së shtetit të Kosovës nga i cili ka mbetur i vrarë një oficer policie dhe një tjetër ka mbetur i plagosur. Tani që shkruaj këto rreshta aty ende vazhdojnë të shtënat nga persona të maskuar dhe gjuajtës profesionistë.

    Ky është një rast alarmant, dramatik dhe kërkoj reagim urgjent nga faktori ndërkombëtar!

    Kasami: Sulmi në Veri të Kosovës terrorist dhe sulm ndaj paqes në Ballkan

    Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ka reaguar ndaj sulmit në veri të Kosovës ku mbet një polic i vrarë dhe dy të plagosur nga të shtënat me armë nga terroristë serb.

    “Sulmi në Zveçan të Kosovës dëshmon se Serbia nuk heqë dorë nga terrorizmi, masakrat dhe sëmundja e saj pushtuese, të cilat Vuçiq i ka trashëguar nga Millosheviqi dhe i zbaton në mënyrë të njëjtë sikur paraardhësi i tij, përmes kriminelëve të cilët financohen dhe mbështeten nga vetë shteti serb.

    I bëj thirrje faktorit ndërkombëtar që urgjentisht të marr masa, ti bëj presion presidentit serb që të respektojë dhe zbatojë të gjitha marrëveshjet për njohjen e Kosovës. Po ashtu kërkojmë që BE dhe SHBA të mbështesin Kosovën në të gjitha përpjekjes e saj për të mbrojtur paqen dhe stabilitetin jo vetëm në territorin e Kosovës por edhe në të gjithë Ballkanin. Sepse sulmi i mëngjesit të sotëm dëshmon që Serbia dëshiron që në Kosovë dhe në Ballkan të ketë luftë, ndërsa kjo të fillojë me shqiptarët.

    Si kryetar i Lëvizjes BESA dhe i gjithë subjekti të cilin e përfaqësoj, jemi plotësisht në mbështetje të Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti. Jemi të gatshëm për çdo lloj mbështetje.

    Po ashtu, i shprehi ngushëllime familjes së policit të vrarë dhe të gjithë popullit të Kosovës.

    Nga ana tjetër kërkoj që Qeveria e Maqedonisë së Veriut të heqë dorë nga projekti serb “Ballkani i Hapur” në të cilën iniciativë tashmë kanë mbetur vetëm Ali Ahmeti dhe Dimitar
    Kovaçevski.

    Urojmë që ky veprim i Serbisë në territorin e Kosovës të jetë i fundit dhe shpresojmë që faktori ndërkombëtar të jetë në anën e Kosovës dhe të mbrojë paqen dhe stabilitetin në Ballkan” – shkruan Kasami.

    Izet Mexhiti – Kryetar i Lëvizjes Demokratike

    Akti i sulmit të mbrëmshëm ndaj Policisë së Kosovës si pasojë e të cilit kanë mbetur të vrarë një polic dhe një është i plagosur, paraqet edhe një provokim i rradhës nga Serbia për shtetin demokratik të Kosovës.

    Me këtë veprim të shëmtuar vërehet qartë se kush për çfarë është përcaktuar në ruajtjen e stabilitetit në Ballkan.

    Duke vlerësuar rolin e faktorit ndërkombëtar si vlerë e pakontestueshme e paqes, urojmë që sa më parë të ketë normalizim të situatës e cila vazhdon të ngelet e tensionuar.

    Është koha për të treguar maturi dhe gjakftohtësi. Ngushëllime familjes Bunjaku dhe shërim të shpejtë për të plagosurit!

    Menduh Thaçi – Kryetar i PDSh

    “I shqetësuar nga sulmi ndaj pjesëtarëve të Policisë së Republikës së Kosovës që ndodhi sot në orët e hershme në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, ku një pjesëtar i policisë mbeti i vrarë dhe u plagosën disa të tjerë.

    Dënoj ashpër këtë sulm që është një goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin, jo vetëm të Kosovës por edhe të gjithë rajonit.

    Shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Bunjaku, dhe të gjithë pjesëtarëve të policisë së Kosovës, kurse policëve të plagosur Ju dëshiroj shërim të shpejtë.

    Unë besoj fort te qeveria e Republikës së Kosovës që në bashkëpunim të ngushtë me faktorin ndërkombëtarë, KFOR dhe EULEX, do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta zbardhur këtë situatë dhe të sjellin para drejtësisë përgjegjësit e këtij akti të dhunshëm.

    Në këto momente të vështira qëndrojmë bashkë dhe fuqishëm pranë popullit të Kosovës.

    Arjanit Hoxha – Kryetar i PDE

    Grupet kriminale serbe në Veri të Kosovës po dëshmojnë se me çdokusht duan të cënojnë paqen dhe stabilitetin si në Kosovë ashtu edhe në rajon.

    Shprehim ngushëllime për familjen e policit të vrarë si dhe shërim sa më të shpejtë për policët e plagosur.

    Çdo sulm ndaj institucioneve të Kosovës e sidomos atyre që ruajnë rendin, sigurinë dhe sovranitetin e shtetit, paraqesin akte teroriste dhe kriminale.

    Konfliktet dhe prishja e paqes në Kosovë por edhe destabilizimi politik në rajon është skenar rus të cilët përmes partnerëve të tyre në Ballkan, pra Serbisë dhe aktorëve politik që instrumentalizon Serbia në rajon mundohen që të rikthejnë pasigurinë, izolimin dhe konfiktet. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Të maskuar e të armatosur – Fotografitë e grupit terrorist që sulmuan policinë në veri (Foto)

    Lajmi i rradhës

    Shtatë lloje frutash që përmbajnë një përqindje të lartë kalciumi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë