Ligji i ri për dhurimin e organeve në RMV: vendos qytetari, jo familja

    Ministria e Shëndetësisë informon se që nga sot, ndryshimet e propozuara në Ligjin për heqjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllim trajtimi janë të disponueshme në regjistrin elektronik ENER.

    Ndryshimet e propozuara ligjore, ndër të tjera, parashikojnë ndryshimin dhe lehtësimin e procedurave administrative, të cilat do t’i mundësojnë çdo qytetari të vendosë të jetë dhurues potencial i organeve pas vdekjes së tij duke bërë deklaratë te mjeku i tij amë ose përmes një aplikacioni celular. Tërheqja e mundshme e deklaratës së dhënë parashikohet gjithashtu në të njëjtën mënyrë. Në këtë drejtim, ligji specifikon se familja e personit të ndjerë që ka bërë një deklaratë duke rënë dakord të jetë dhurues pas vdekjes së tij nuk mund ta pengojë atë.

    “Ky është një hap tjetër në rritjen e ndërgjegjësimit publik për rëndësinë e dhurimit të organeve, si akti më i lartë i filantropisë që shpëton jetë njerëzore. Qëllimi është që vullneti i qytetarit të jetë parësor, që sistemi të jetë më transparent dhe konfidencial, dhe që vendimi personal të kthehet aty ku i takon – te personi”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

    Ndryshimet ligjore do të mundësojnë krijimin e një liste elektronike kombëtare të donatorëve, si dhe zgjerimin e rrethit të personave që mund të jenë donatorë organesh të gjallë, ndërkohë që parashikojnë edhe futjen e kontrollit nga një Komision Etik që do të verifikojë nëse dhurimi është vullnetar dhe pa presion apo abuzim.

    Poashtu Bashkësia Fetare Islame dhe Kisha Ortodokse Maqedonase mbështesin dhurimin e organeve. Ata thonë se dhurimi i organeve për të shpëtuar jetën e dikujt nuk është kundër mësimeve të fesë.

    Ndryshe, rreth 200 persona në vend janë në listën e pritjes për transplantim organesh. Numri më i madh është për veshka, tridhjetë për zemrën, njëzet për mëlçinë. Pacientja më e re është një 26-vjeçare që pret të bëjë transplantim të zemrës. Dhjetë pacientë që presin për një transplantim të zemrës janë detyruar të mbajnë mbështetje mekanike të zemrës vite me radhë.

    Lajmi Paraprak

    Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe pritja e tyre nga administrata osmane

    Lajmi i rradhës

    Sistemi pensional në RMV përballet me krizë serioze

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë