LIGJI I RI PËR MARRËDHËNIE PUNE | Për dikë makijazh, për tjerët avancim!

    Ligji i ri për marrëdhënie pune për Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale paraqet zgjidhje sistemore, që do të avancojë të drejtat e punëtorëve. Për më tepër do të sjellë edhe fleksibilitet më të madh për punëdhënësit. Aktualisht ligji ekzistues daton nga viti 2005, dhe deri tani ka pësuar 24 ndryshime, andaj edhe është koha që të miratohet një ligj i ri që do të pasqyrojë realitetin e ri dhe gjendjen e kohës moderne. Mirëpo Sindikatat kanë më shumë vërejtje për këto ndryshime ligjore për të cilat vlerësojnë se do të ulin dhe shkurtojnë të drejtat e punëtorëve.

    KËRKESAT DHE VËREJTJET KYÇE

    Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë vlerëson se një pjesë e madhe e kërkesave tashmë janë pjesë e versionit punues të tekstit të Ligjit për Marrëdhëniet e Punës, por fatkeqësisht për disa kërkesa dhe vërejtje kyçe, edhe pse janë ende në tekst, ato nuk janë ndryshuar. Qëllimi kryesor i ligjit të ri duhet të jetë avancimi i të drejtave të punës dhe jo vendosja e një makijazhi dhe kthimi i tyre në nivelin e disa viteve më parë, apo lënia sërish e dispozitave që do të interpretohen lirisht kështu: Kohëzgjatja e kontratave të punës me afat të caktuar, në vend që të përcaktohet maksimumi një vit, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale propozon në tekst që ato të lidhen për dy vjet dhe kështu në vend që të përmirësohen të drejtat, t’i kthejë ato në nivelin e 10 viteve më parë kur lidheshin për dy vite, megjithëse dihet se sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së punësimit dhe Entit Shtetëror të Statistikave, kontratat e punës me afat të caktuar janë për një të katërtën më shumë se kontratat e punës me afat të pacaktuar dhe të njëjtat, ishin arsyeja kryesore e pushimeve nga puna gjatë krizës në dy vitet e fundit.

    Sindikatat përkujtojnë se edhe në programin e LSDM-së 2020-2024 thuhet se kontratat e punësimit në kohë të caktuar do të jenë përjashtim dhe jo rregull. Bile edhe analizat e ndryshme tregojnë se kontratat me kohë të pacaktuar në periudhën e kaluar janë shpeshtuar. Analizat e ekspertit Zdravko Savevski tregojnë se si rrjedhojë e “fleksibilitetit në tregun e punës” në raport me kontratat e punës, ato janë rritur prej 3.7 për qind të të punësuarve të angazhuar me një mënyrë të tillë të punësimit në 25.8 për qind në vitin 2018, apo për 15 vite çdo i katërti I punësuar në Maqedoni, ka qenë i angazhuar me një lloj të tillë të kontratës. Apo analizat e tij tregojnë se në vitin 2003 nga 245.417 të punësuar, vetëm 9091 të punësuar kanë pasur punësime të përkohshme, përderisa në vitin 2018 nga 567.230 të punësuar, bile 146.097 të punësuar kanë qenë të punësuar me kohë të caktuar.  Në ndërkohë, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka reaguar ashpër edhe ndaj synimit të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për shfuqizimin e të gjitha marrëveshjeve kolektive në vend dhe dispozitave të tyre , veçanërisht për shkak se vlefshmëria e marrëveshjeve kolektive dhe dispozitave të tyre do të jetë maksimale prej një viti dhe më pas nuk ka kontrata kolektive. Në vendet evropiane, ku ne bashkërisht përpiqemi të anëtarësohemi, dispozitat e marrëveshjeve kolektive janë të vlefshme deri në nënshkrimin e një marrëveshjeje të re kolektive, dhe atë vetëm për të drejta më të favorshme, të cilat u prezantuan nga ekspertë gjermanë para përfaqësuesve të Ministrisë së Punës dhe Inspektoratit të Punës, që si duket nuk janë dëgjuar.

    Pritet të ndodhë të mos ketë kontrata kolektive të përgjithshme, të mos ketë kontrata kolektive të degëve të ndryshme dhe të mos ketë marrëveshje kolektive në nivel punëdhënësi që rregullojnë të drejtat dhe detyrimet e punëdhënësve dhe të punëtorëve, gjë që do të paraqesë një problem serioz në funksionimin normal të shtetit, e që është në kundërshtim me konventat e ratifikuara dhe detyrimin që buron prej tyre që Qeveri të nxit dhe inkurajon negociatat kolektive, ndërsa me një dispozitë të tillë do të bllokohet dhe zmbrapsë negociatat kolektive.

    Sindikata alarmon se në tekstin e ligjit, një ministër dhe një ministri lejohet të jenë arbitër në lidhjen e kontratave kolektive, gjë që është në kundërshtim me Konventat për marrëveshjet kolektive, apo ato janë akte detyruese dypalëshe ndërmjet punëdhënësve dhe përfaqësuesve të punëtorëve dhe në asnjë rast një autoritet shtetëror nuk mund të vendosë për vlefshmërinë e asaj që është rënë dakord në kontratën kolektive dhe kjo dispozitë është gjithashtu në kundërshtim me nenin 32, paragrafi 5 i Kushtetutës, i cili e vendos Ligjin dhe kontratat kolektive në baza të barabarta kur është fjala për rregullimin e të drejtave të punës. Vendoset edhe përfaqësues i punëtorëve duke anuluar sindikatën për të cilin nuk dihet se si zgjidhet dhe cilat janë përgjegjësitë e tij. Duke theksuar dispozitat e tjera të ligjit që nuk janë të favorshme për punëtorët, nga LSM theksojnë se në Ligjin e ri për Marrëdhëniet e Punës duhet të fshihet mundësia e rishpërndarjes së kohës së punës, e cila është në kundërshtim me Direktivat, nuk është e qartë apo e zbatueshme dhe shpesh keqpërdoret për të mos paguar punën e punëtorëve. Në Evropë nuk ka punë pa u paguar, pra çdo punë jashtë orarit të punës prej 40 orë në javë duhet të paguhet si jashtë orarit plus 135 për qind. Kërkohet edhe të rriten pagat shtesë gjatë shpalljes së tepricës teknologjike si dhe saktësimin e pushimit të lehonisë.

    LIGJI NDJEK STANDARDET EUROPIANE

    Nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, thonë se ligji i ri për marrëdhënie pune paraqet zgjidhje sistemore që do të avancojë të drejtat e punëtorëve, ai do të sjellë zgjidhje të mira duke ndjekur standardet evropiane si dhe nevojat reale të tregut të punës në Maqedoninë e Veriut. Ligji i ri për marrëdhënie pune ndër të tjerash parashikon uljen e kohëzgjatjes së kontratave me afat të caktuar nga pesë vjet sa janë aktualisht në dy vjet, vendosjen e punës nga shtëpia dhe puna në distancë. Gjithashtu ndryshime ka edhe në kohëzgjatjen e kontratave me afat të caktuar që mund të zgjaten deri më tre herë. Një punëtor me të njëjtin punëdhënës nuk do të mund të lidhë aneks të kontratës më shumë se tre herë në periudhën prej dy vitesh, që do të thotë se nuk do të nënshkruajë për çdo muaj. Pas skadimit të dy viteve me të njëjtin punëdhënës, kontrata me afat të caktuar do të duhet të shndërrohet në të pacaktuar, nëse punëdhënësi planifikon të mbajë punonjësin.

    Risi tjetër është se është anuluar kufiri i sipërm për kohëzgjatjen e pushimeve vjetore i cili do të përcaktohet së bashku nga sindikata dhe punëdhënësi me negocim kolektiv. Vendoset edhe obligim i punëdhënësit, që nëse punëtorit i ndërpritet kontrata e punës, ai t’ia paguajë pushimin vjetor.

    Në pjesën e marrëveshjeve kolektive, aktualisht ekziston propozimi që kontratat kolektive të lidhen për 2 vjet plus që të jenë të vlefshme edhe një vit dhe pasi të kenë kaluar këto 3 vite, nuk do të jenë më të vlefshme. Në raport me marrëveshjen e përgjithshme kolektive, Qeveria ka qenë e gatshme ta nënshkruajë marrëveshjen vitin e kaluar, por për shkak të nivelit të ulët të fleksibilitetit nga ana e Sindikatës së Sindikatave, kontrata kolektive nuk është nënshkruar. Në periudhën prej tre vitesh duhet të ekzistojë një dialog i vazhdueshëm që nënkupton vazhdim të negociatave për kontratat kolektive. Pushimi i tanishëm i lehonisë prej nëntë muajsh nuk shkurtohet, por babait i jepet mundësia të përfshihet në kujdesin e fëmijës së tij. Pushimi i lehonisë prej pesë muajsh është paraparë në muajt e parë të lindjes së fëmijës, katër muaj pushim prindëror për nënën dhe katër muaj pushim prindëror për babain, të cilat mund të shfrytëzohen në mënyrë alternative ose së bashku. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Përkthyesi që promovon bukuritë e Shqipërisë

    Lajmi i rradhës

    600 MIJË TURISTË NGA MAQEDONIA NË SHQIPËRI: Fqinjët, destinacioni i preferuar i turizmit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë