Deputetët e partisë “E Majta” janë të vendosur, do ta bllokojnë pr/ligjin për shtetësi. Deputeti Dimitar Apasiev gjatë debatit të sotëm në Komisionin për Mbrojtje dhe Siguri përsëriti se propozimi/ligji është i dëmshëm. Ai tha se do të përdorë çdo mekanizëm përfshirë fjalime rekord të gjata për të bllokuar procesin.
Pas reagimit të deputetëve të opozitës shqiptare, kryetari i Komisionit Mile Talevski, i bëri disa herë vërejtje deputetit Apasiev, të përfundoj fjalimin pasi flet jashtë temës dhe amendamentit për të cilin diskutohej, por ky i fundit refuzoj të ndalojë. Për këtë arsye Talevski e ndërpreu seancën, pa caktuar datë për vazhdimin e saj.
Ngjashëm, edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së vazhduan të përdorin fjalimet procedurale për të zvarritur diskutimin për amendamentet. Deputeti Brane Petrushevski tha se për miratimin e Ligjit për shtetësi patjetër të ketë debate publike.
Në vazhdimësi, në mënyrë paushallë pa analizë, pa qasje sistematike, propozojmë ligje, miratojmë ligje dhe në fund nuk zgjidhim probleme thelbësore të qytetarëve. Të marrim mendim nga Qeveria për këto amendamente, nga Ministria e Punëve të brendshme, nga opinioni profesional, nga akademikët, institucionet, por edhe nga propozuesi, përmes informatave që i kanë marrë nga web faqja e tyre e hapur- deklaroi Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.
Reaguan edhe nga opozita shqiptare. Deputeti Skënder Rexhepi kërkoi nga deputetët e opozitës maqedonase që të sillen në mënyrë më konstruktive dhe të mos luajnë me fatin e njerëzve që kanë më shumë se 30 vite pa shtetësi.
30 vite kolegë nuk janë zgjedhur këto çështje, sepse është politizuar ky ligj, e njëjta gjë po ndodh edhe sot, edhe dje. Po e lejojmë që të politizohet vazhdimisht pa nevojë, nuk fitojmë asgjë. Nuk ka nevojë që ta politizojmë se do të humbim të gjithë, a më së shumti do të humbin qytetarët që kanë nevojë për ne- pohoi Skënder Rexhepi, ASH-AAA.
Pas takimeve të shumta, pushteti dhe opozita shqiptare u dakorduan që Propozim Ligji të kalojë duke u plotësuar me 10 amendamente të përbashkëta. Pjesë e këtyre amendamente janë edhe shkurtimi i afatit për marrjen e shtetësisë, paraqitja e një dokumenti që dëshmon se personi ka banuar në Maqedoni si dhe obligimi i shërbimeve sekrete që për gjashtë muaj ti përgjigjet kërkuesit të shtetësisë. /Alsat/