Ligji për letërnjoftimet: Qytetarët “peng” të amendamenteve

    Ligji për letërnjoftimi ka mbetur peng i amendamenteve të opozitës maqedonase. Derisa deputetët kanë shkuar në pushime, qytetarët për të marr letërnjoftimet duhet të presin që deputetët të rikthehen nga pushimi për t’i miratuar ndryshimet ligjore. Deri atëherë problemi për marrjen e letërnjoftimeve të reja do të vazhdoj.

    Nga MPB për KOHA kanë deklaruar se softueri i ri i është instaluar me emrin e ri kushtetues dhe për shkak ndryshimeve në sistem është duke u zvarritur marrja e letërnjoftimeve. Sipas tyre, për shkak bllokimit të Ligjit për letërnjoftimet në Parlament, rreth 30.000 qytetarëve që u janë shtypur letërnjoftimet nuk mund t’i marrin letërnjoftimet e tyre dhe mijëra tjerë janë duke pritur me letërnjoftime të skaduar për t’i marrë të rejat.

    “Kërkesat e qytetareve për termin për marrjen e letërnjoftimeve jepen rregullisht dhe e gjithë procedura përfundon nga ana jonë duke përfshirë të gjithë procedurat teknike deri në shtypjen e tyre me emrin e ri kushtetues, por ne nuk mund t’i lëshojmë ato deri sa të jetë ligji vjetër në fuqi. Qytetarët të cilët aplikojnë për të marr letërnjoftim të ri marrin një vërtetim nga ana jonë që të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre në institucionet e vendit”, thonë nga MPB.

    Nga atje shtojnë se Ligji i ri nuk specifikon asgjë tjetër përveç ndryshimit të emrit kushtetues dhe zbatimin e ligjit të gjuhëve ku secili qytetar ka të drejtë të marr letërnjoftimin në gjuhën e tij amë.

    “Ligji i ri me propozim të MPB-së dhe Qeverisë u dërgua me kohë në Parlament në muajin mars, në mënyrë që të jetë në gjendje të kalojë të gjitha procedurat parlamentare dhe të jetë gati dhe në korrik, për të filluar zbatimin e tij, por që u bllokua nga amendamentet e opozitës”, nënvizojnë nga MPB. Në fund, nga MPB, bëjnë apel deri te deputetët që sa më shpejtë të miratojnë ndryshimet ligjore sepse një gjë e tillë është në interes të qytetareve.

    Përveç vonesës së marrjes së letërnjoftimit, për shkak bllokimit të ligjit në Parlament, qytetarë të shumtë ankohen edhe për tollovitë e shumta të krijuara para sporteleve të MPB-së. Ata presin një kohë të gjatë për të bërë një kërkesë për lëshim të letërnjoftimit.

    “Kjo nuk është në rregull, në kohë pandemie ku jemi të rrezikuar nga infektimi me virusin korona të ketë pritje kaq të gjata në sportele. Një gjë e tillë është dështim i institucioneve shtetërore për menaxhimin e situatës”, shprehet një qytetar që pret për t’u fotografuar për letërnjoftim.

    Sipas të dhënave jo zyrtare, afër 30.000 qytetarë kanë mbetur pa letërnjoftime dhe disa mijëra tjerë me afat të kaluar. Ndryshe, numri i qytetarëve që kanë aplikuar për të marr letërnjoftim nga 5 korriku deri më 31 korrik është 26.314 qytetarë, ndërsa nga 1 gushti deri më 6 gusht kanë aplikuar 4864 qytetarë./Koha/

    Lajmi Paraprak

    Babai e vret djalin në lagjen Aerodrom të Shkupit

    Lajmi i rradhës

    Çfarë do të thotë të jesh i shëndetshëm?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë