Ligji për lojërat e fatit në RMV “zhduket” në Kuvend

    Propozim-Ligji për Lojërat e Fatit për momentin mbetet i pa proceduar. Nuk dihet nëse pas 9 tetorit do të thirret seancë e Komisionit për Çështje Evropiane përmes të cilit pushteti tenton ta kalojë propozimin me flamur të BE-së. Opozita ka njoftuar delegacionin e Komisionit Evropian, reagimi i të cilëve duket se ka ndikuar që pushteti të reflektojë ditë më parë pasi propozimi u tërhoq nga rendi i ditës pa arsyetim.

    Kundër zgjidhjes së propozuar ligjore dhe tenderin për organizimin e lojërave të fatit online sot doli edhe Asociacioni i Bastoreve Sportive në Maqedoni. Nga kjo organizatë vlerësojnë se tenderi është i kurdisur për kompani të huaja dhe për këtë arsye 95 për qind e kompanive vendase tërhiqen na kjo procedurë.

    “Dokumentacioni i tenderit është tërhequr nga kompanitë vendore për të verifikuar përmbajtjen dhe është vërtetuar se bëhet fjalë për konkursin publik identik me atë të Lotarisë Shtetërore, i cili i diskriminon kompanitë e licencuara vendore. Kjo na bëri neve të kuptojmë se bëhet fjalë për konkurs të kurdisur të cilin do ta fitojnë kompanitë e huaja nga jashtë Maqedonisë”, tha Vasko Ilievski, Kryetar i Asociacionit të Bastoreve Sportive në Maqedoni.

    Opozita prej ditësh akuzon Qeverinë se me tenderin e hapur për përzgjedhjen e subjekteve që do të kontrollojnë dhe organizojnë 49 për qind të lojërave të fatit online është pazar me nëntokën bullgare dhe biznesmenin Vasil Bozhkov i cili nga viti 2021 ndodhet në listën e zezë amerikane. Lotaria Shtetërore ka hedhur poshtë akuzat duke sqaruar se kjo bëhet me qëllim çrrënjosjen e tregut ilegal në vend dhe se marrëveshje paraprake nuk ka me asnjë nga kompanitë, por tenderi është në rrjedhë e sipër.

    Në procedurë tenderimi janë 1.500 aparate VLT të porositura nga Lotaria Shtetërore e Maqedonisë, ndërsa Videolotaria e re ka porositur 462 aparate të reja. Tenderimi dhe zgjidhja ligjore do ta çojë shtetin në procedurë gjyqësore me kompaninë e cila kishte përsipër organizimin e lojërave të fatit përmes aparateve VLT. Kontesti mund të përfundojë në favor të kompanisë për faktin se Qeveria ka shkelur dhe prishur marrëveshjen në mënyrë të njëanshme.

    Qeveria në qershor mori vendim për themelimin e bordit të shoqërive aksionare që do të mbikëqyrin, rregullojnë dhe zbatojnë lojërat e fatit online në Maqedoninë e Veriut. Pjesëmarrja do të jetë 51 me 49 për qind në favor të shtetit, përkatësisht të Lotarisë Shtetërore dhe Videolotarisë së re e cila sapo është themeluar.

    Propozim-Ligji për Lojërat e Fatit ishte dorëzuar edhe paraprakisht në Kuvend. Ai parashikonte dislokimin e lojërave të fatit 500 metra nga institucionet arsimore dhe fetare, ndërsa forcon kushtet dhe rrit vlerën e licencave të reja për kazino. Tani propozimi ka ardhur i ri, ndërsa flamuri i BE-së është vendosur në të pa arsyetimin konkret se ku i njëjti kryqëzohet me atë që njihet si “The Europian Union acquis” apo legjislacioni i përgjithshëm i BE-së. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Vazhdon keqpërdorimi i flamurit të BE-së

    Lajmi i rradhës

    ATO është pa udhëheqës, nxit polemika për funksionimin e saj

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë