Zëvendës kryeministri përgjegjës për luftë kundër korrupsionit, për zhvillim të qëndrueshëm dhe të resurseve njerëzore, Ljupço Nikollovski, sot mori pjesë në punëtorinë e grupit punues të ekspertëve, i cili po e përgatit projektligjin për origjinën e pronës, të formuar nga zyra e Zëvendës kryeministrit Nikollovski dhe Këshilli i Evropës. Përgatitja e draft versionit të projektligjit është në fazën përfundimtare, njoftojnë nga kjo ministri, transmeton Portalb.mk. Sipas kumtesës, “draft -zgjidhja ligjore siguron dispozita që lejojnë verifikimin e origjinës së pronës nëse ka dyshime për mënyrën e fitimit të saj.”
Me këtë zgjidhje ligjore, sipas ministrisë, për herë të parë, përfshihet kontrolli i kapitalit, me çka hapet rruga për konfiskimin e pronës së fituar në mënyrë të paligjshme dhe e parandalon pasurimin e paligjshëm në kurriz të qytetarëve.
“Institucionet do të alarmohen në rast se shfaqet diferencë më e madhe se pragu i pritshëm midis të ardhurave të tatueshme dhe pronës dhe në ato raste origjina e pronës do të shqyrtohet sipas detyrës zyrtare. Përveç kësaj, institucionet do të mund të veprojnë edhe në bazë të kallëzimeve dhe ankesave të parashtruara për dyshim të pronës së fituar në mënyrë të paligjshme. Çdo gjë që do të vërtetohet se është fituar në mënyrë të paligjshme do të konfiskohet dhe siç parashikohet me ligj – shtetit do t’i kompensohet dëmi i shkaktuar”, tha zëvendës kryeministri Nikollovski në takimin me grupin e punës.
Siç kumtojnë nga ministria, dispozitave të projektligjit të ri mbi origjinën e pronës do t’i nënshtrohen jo vetëm mbajtësit e posteve publike, por të gjithë qytetarët. Konkretisht, secili do të duhet të dëshmojnë se si e kanë fituar pronën dhe kapitalin, në rast se ekziston dyshimi se ai tejkalon të ardhurat e tyre të rregullta të tatueshme. Nëse personi nuk e dëshmon origjinën e pronës, ajo do të konfiskohet me vendim të gjykatës.
Me ligjin e ri, i cili po miratohet për herë të parë në vendin tonë, kapërcehen pengesat aktuale sistemore për kontrollimin e pronës dhe personave që nuk janë më zyrtarë. Dispozitat e ligjit të ri parashikojnë edhe një masë tjetër të madhe kundër korrupsionit, e ky është inspektim i gjendjes pronësore të ish-zyrtarëve. Ndryshe nga detyrimi aktual për personat e zgjedhur dhe të emëruar të dorëzojnë deklaratë për pronën gjatë mandatit të tyre, ky detyrim tani ka një shtrirje më të gjerë sa i përket kohëzgjatjes së inspektimit të pronës. Një nga risitë në draft versionin e ligjit është se hetimi do të kryhet edhe nëse prona u bartet palëve të treta.
Draft teksti u krijua nga një grup pune i përbërë nga përfaqësues të Këshillit të Evropës, Prokurorisë Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, përfaqësues të të gjitha institucioneve të përfshira në luftën kundër korrupsionit dhe ekspertë ligjorë. Nga zgjidhja e projekt-ligjit dalin përgjegjësitë dhe kompetencat për Drejtorinë e Hyrave Publike, Drejtorinë e Inteligjencës Financiare, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Ligji synon të bëjë efektive përpjekjet e qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe për të mbrojtur buxhetin publik nga çdo ndikim gërryes, siç është pasurimi i paligjshëm./Kohamk/