Liqeni i Dibrës këtë verë pa shpëtimtarë – rrezikohet siguria e pushuesve

    Sezoni veror mbush bregun e liqenit të Dibrës me pushues, të cilët freskohen dhe rekreohen në ujërat e këtij liqeni të bukur artificial. Për sigurinë e tyre, prej disa vitesh u ka dalë në ndihmë Shoqata Atdhetare “Dibra”, si dhe pushteti vendor në bashkëpunim me organizatën e Kryqit të Kuq – Komuna Dibër, duke siguruar shpëtimtarë, gjë që i ka munguar Dibrës deri në vitin 2017, kur për herë të parë filloi aktiviteti i tyre në këtë liqen. Që atëherë, për disa vite me radhë, ata kanë dhënë një kontribut të madh në ndihmë të personave që kanë pasur nevojë.

    Këtë verë, Liqeni i Dibrës do të jetë pa shpëtimtarë-vrojtues, të cilët janë të domosdoshëm për sigurinë e pushuesve, pasi mbikëqyrin bregun dhe ndërhyjnë kur lindin situata të rrezikshme gjatë rekreimit.

    “Liqeni i Dibrës sivjet do të mbetet pa vrojtues. Prej disa vitesh, ky liqen kishte shpëtimtarë të trajnuar dhe të pajisur me licenca. Por mungesa e mjeteve materiale nuk na lejon që edhe këtë vit liqeni të mbikëqyret nga vrojtues, të cilët kanë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për sigurinë e plazhistëve”, deklaroi Sekretari i Organizatës Komunale të Kryqit të Kuq në Dibër, Isni Teliu, për gazetën Koha.

    Ai shtoi se vitin e kaluar kishin dy vrojtues, të cilët, ndonëse të paktë në numër, ishin të pranishëm në liqen. “Për disa vite, këtë aktivitet e kanë mbuluar me shpenzime Shoqatat Atdhetare ‘Dibra’ me seli në Nju Jork, si dhe ka ndihmuar edhe pushteti vendor.

    Fluksi i pushuesve në bregun e liqenit ka nisur që këtë javë. Ka shumë vizitorë, jo vetëm nga Dibra, por edhe dibranë që jetojnë në Shkup, Prishtinë, Tetovë, si dhe shumë mërgimtarë që kanë ardhur bashkë me familjet, mes të cilëve edhe fëmijë. Prania e shpëtimtarëve do të ishte e mirëpritur, veçanërisht për sigurinë e më të vegjëlve.

    Gjatë viteve të kaluara, shpëtimtarët kanë dhënë një ndikim shumë pozitiv dhe projekti është përshëndetur nga të gjithë dibranët. Për herë të parë, në vitin 2017, u formua një ekip profesional shpëtimtarësh që ndoqi një kurs intensiv tetëditor – si në teori ashtu edhe në praktikë – nën drejtimin e trajnerëve të specializuar të Federatës Ndërkombëtare të Shpëtimtarëve në Ujërat e Hapura. Falë bashkëpunimit me shoqatat që veprojnë në Dibrën e Madhe, u bë i mundur formimi i ekipit me 5 shpëtimtarë të licencuar nga trajnerë të Kryqit të Kuq.

    Ky ekip garantonte siguri maksimale në një sipërfaqe prej 2.200 m² në ujë, si dhe në të njëjtën sipërfaqe në pjesën e bregut. Ata ishin të trajnuar edhe për dhënien e ndihmës së parë deri në mbërritjen e ambulancës.

    Gjatë viteve të kaluara, shpëtimtarët kanë treguar sukses të madh në mbrojtjen e pushuesve dhe në parandalimin e rreziqeve. Ata kanë vepruar me guxim dhe përkushtim gjatë gjithë sezonit veror, duke qenë të kujdesshëm veçanërisht për sigurinë e fëmijëve. Vitin e kaluar, shpërndanë jelekë mbrojtës për shumë fëmijë që pushonin në breg të liqenit, me qëllim që ata të ndiheshin sa më të sigurt në ujë.

    Fatkeqësisht, për shkak të mungesës së mjeteve financiare, edhe këtë vit nuk do të ketë vrojtues në Liqenin e Dibrës. Përndryshe, në vitet e kaluara, në këtë liqen kanë ndodhur edhe ngjarje tragjike me humbje jetësh.

    Lajmi Paraprak

    Trotinetët elektrikë në RMV: zgjidhje moderne apo kërcënim në trafikun urban?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë