Nuk dihet ende sa (nuk) është zvogëluar borxhi i Komunës së Tetovës pas qeverisjes së re vendore !

    Është hera e dytë që Nistori tenton të merr përgjigje për gjendjen në lidhje borxhin e Komunës së Tetovës, por pa sukses. Sot kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami para medias tha se muaji korrik ose gusht do të jetë momenti ku ata mund të kenë një raport për borxhin e komunës, edhe nëse nuk do të ketë vendim të Gjykatës së Apelit në Gostivar në lidhje me ekspropreimin dhe vlerën që e ka rënduar buxhetin e komunës me 1.5 milionë euro, shkruan Nistori.

    “Fatkeqësisht në shumë aspekte, Komuna e Tetovës është e varur me institucione tjera. Për një pjesë të rëndësishme të borxhit që kishte të bëjë me ekspropreimin dhe një vlerë që e ka rënduar buxhetin e komunës me 1.5 milionë euro, ende për momentin nuk kemi një vendim të Gjykatës së Apelit në Gostivar. Nga momenti kur të marrim këtë si informatë se, kjo është e para në realizim në vendimet e përmbarimit, atëherë ne do të kemi mundësi që të dalim para opinionit dhe të japim një raport të detajuar si është gjendja me borxhin, të cilin e kemi trashëguar dhe ku jemi sot. Pra, presim që sa më shpejtë të marrim vendimin përfundimtar nga gjykata e Apelit për lëndën e ekspropreimit që ka rënduar buxhetin e Komunës mbi 1.5 milionë euro dhe pastaj të dalim me një raport për të gjithë borxhin tjetër.

    Por edhe sa kohë i duhet Komunës që të informojë opinionin publik në lidhje me borxhin, duke marrë parasysh se janë bërë disa investime në qytet dhe ende nuk dihet nëse u është paguar borxhi shkollave, NPK Tetova dhe Parkingut të qytetit.

    “Jo, unë flas për shumë shpejt. Besoj, nëse brenda korrikut nuk do të kemi një përgjigje (nga Gjykata e Apelit), do të dalim gjithsesi me një raport për borxhin e komunës.” – shtoi Kasami.

    Në mandatin e ri qeverisës, Kasami ka pranuar komunën e Tetovës me një borxh prej rreth 24.18 milionë euro apo 1.477.120.659.00 denarë. Nuk dihet nëse me rikalkulimin e kamatave të dënimit në përmbarues është rritur apo jo borxhi i komunës.

    Gjithashtu, Kasami më 30 nëntor 2021 paralajmëroi padi penale ndaj ish-kryetares, Teuta Arifi për borxhin që ia ka lënë komunës. Edhe pse Kasami tha se lëndët e dyshimta dhe të gjitha ato pjesë të borxhit të cilat kanë rënduar buxhetin e komunës, nëse janë bërë në forma ligjore, do të procesohen para organeve të drejtësisë. Sot e kësaj dite, nuk dihet epilogu i lëndëve të dyshimta dhe në cilën shkallë të drejtësisë kanë arritur.

    Edhe lista e pavarur “Më mirë për Tetovën” kërkoi nga Prokuroria ta hetojë borxhin prej 24 milionë eurove të komunës së Tetovës. Sipas tyre, revizioni i brendshëm (ose i pavarur) duhet të shpalosë në publik se ku, si dhe pse është krijuar ky borxh.

    Edhe pse Komuna u gjet me parregullsi të shumta dhe me borxhe me vlerë të lartë, por mbi të gjitha qytetarët meritojnë ta dinë se ku shkojnë paratë e tyre dhe se çfarë ndodh me komunën. Transaparenca dhe llogaridhënia ishin fjalë kyçe në fushatën e Kasamit para se ai të bëhej kryetar komune. /Nistori/

    Lini një Përgjigje

    Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

    Lajmi Paraprak

    A i paguan shteti avokatët e autorizuar?

    Lajmi i rradhës

    Diskriminim dhe shkelje ligjore, gratë e rajonit të Pollogut të vetmet në RMV pa strehimore për viktimat e dhunës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë