Në Qendrën për Kulturë në Dibër, në prani të aplikuesve për marrjen e banesave sociale dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Transportit, respektivisht komisionit për ndarjen e banesave sociale, u publikua lista e aplikuesve që kishin konkurruar dhe që i kishin dokumentet e kompletuara.
Në afatin përfundimtar për aplikim, më 31 mars, për banesa sociale në Dibër ishin dorëzuar 85 kërkesa, nga të cilat, sipas komisionit kompetent të Ministrisë, 63 kishin dokumentacion të plotë. Para anëtarëve të familjeve që kishin konkurruar për banesa, ndërkohë që numri i banesave sociale është 47, u publikuan emrat e atyre që kanë plotësuar dokumentacionin e nevojshëm. Përfaqësuesit e komisionit kompetent theksuan se në Dibër interesimi për banesat sociale ka qenë shumë i madh. Ndarja bëhet sipas Metodologjisë për ndarjen e banesave sociale. Sipas tyre, ka pasur edhe kërkesa të pakompletuara, dhe këta aplikues faktikisht e kanë humbur të drejtën për marrjen e banesave sociale.
Banesat në fjalë u dedikohen kryesisht familjeve në nevojë, të cilat nuk kanë kulm mbi kokë, familjeve me probleme të rënda sociale, por edhe familjeve që kanë persona me aftësi të kufizuara. Kjo ndërtesë sociale me 47 banesa gjendet në vendbanimin e ri në Dibër dhe është ndërtesa e dytë që shteti ka ndërtuar për familjet në rrezik social.
Amfiteatri i Qendrës për Kulturë ishte i vogël për të pranuar të gjithë anëtarët e familjeve që kishin konkurruar për banesa sociale. Publikimi i emrave të atyre që kanë dokumente të kompletuara ngjalli shumë emocione: gëzim te ata që ishin në listë, por edhe lot te ata që nuk u gjendën në të, për shkak të mungesës së dokumenteve të nevojshme.
Sipas anëtarëve të komisionit, të cilët vijnë nga Shkupi, në ditët në vijim do të realizohen kontrolle në shtëpitë e një pjese të aplikuesve, me qëllim që ndarja e banesave të bëhet në mënyrë objektive. Sipas tyre, nga 63 aplikues do të përfitojnë 47 familje, aq sa është kapaciteti i ndërtesës sociale.
Pas këtij procesi, të gjithë aplikantët do të marrin vendime. Ata që nuk kanë pasur dokumente të plota dhe nuk do të përfitojnë banesa do të kenë të drejtë ankese.
“Procesi nuk përfundon me shpalljen e listës. Vetëm pas këtyre kontrolleve do të jepet vlerësimi dhe do të merren vendimet përfundimtare për përfituesit”, thanë anëtarët e komisionit.
Interesi për banesat sociale në Dibër vazhdon të jetë i lartë, pasi numri i familjeve që kanë nevojë për strehim është shumë më i madh se kapacitetet aktuale. Edhe më herët është theksuar se kërkesat për strehim social tejkalojnë ofertën, duke lënë shumë familje në pritje të gjatë për një zgjidhje.
Në mesin e aplikuesve, emocionet ishin të përziera. S.M., nënë e dy fëmijëve, nuk e fshehu gëzimin kur dëgjoi emrin e saj në listë.
“Pas shumë vitesh në kushte të vështira, më në fund po shoh një dritë shprese për familjen time”, u shpreh ajo me lot gëzimi.
Në anën tjetër, jo të gjithë patën të njëjtin fat. L.B., një kryefamiljare që jeton me qira prej mbi 30 vitesh, mbeti e zhgënjyer pasi nuk e gjeti emrin e saj në listë. “E kisha gjithë shpresën këtu. Nuk di çfarë do të bëjmë më tej”, tha ajo me zë të dridhur dhe lot në sy.
Autoritetet lokale bëjnë apel për durim dhe transparencë, duke theksuar se përzgjedhja do të bëhet mbi baza të drejta dhe sipas kritereve të përcaktuara me Metodologji, në mënyrë që banesat t’u ndahen familjeve më në nevojë. /Koha/






