Shutkë, “mal” me mbeturina të ndryshme

    Për vite të tëra institucionet drejtojnë gishtin kah njëri tjetri rreth përgjegjësisë për deponinë jolegale në Shutkë, ndërsa me kalimin e kohës pirgjet me mbeturina janë shndërruar në male.

    Mijëra hektarë tokë e zënë nga mbeturinat dhe duket se ky trend i hedhjes së mbeturinave nga të gjitha llojet, ato ndërtimore, goma, qese plastike dhe gjithçka tjetër, duket se nuk do të ndalet. Vetëm gjatë kohës që ekipi ynë ishte në terren, kaluan disa kamion të mbushur me mbeturina e që destinacion për shkarkim kishin pikërisht këtë zonë të Shkupit.

    “Vetëm 5 kilometra në periferi të kryeqytetit po ndodh një katastrofë ekologjike, përpara të cilës institucionet po mbyllin sy dhe veshë. Një problem që duhet ta kishin zgjidhur shumë kohë më parë, një kohë kur kishte më pak mbeturina. Tani, këtu në Shtukë, në Vizbeg janë krijuar male me mbeturina. Ekologjia nuk ka nevojë për fjalë, ekologjia nuk ka nevojë për premtime. Ekologjia do punë në terren që ky problem të zgjidhet njëherë e përgjithmonë dhe natyra të marr frymë përsëri”.

    Mbeturinat janë rrëzë shtëpive, ndërsa në ato sipërfaqe që s’janë mbuluar krejtësisht nga gomat dhe mbetjet ndërtimore, natyra gjen forcë të lulëzojë.

    Ministria e Mjedisit Jetësor së fundmi ka nënshkruar dokumentet që u hapin rrugën projekteve madhore, por për realizimin e tyre do të nevojiten vite të tëra. Ministrja, Kaja Shukova, tha se po punohet me dokumentacionet për projektet që parashikojnë etapat e nevojshme për menaxhim me mbeturinat, si ndërtimi i stacioneve të transferimit dhe deponive rajonale.

    “Me këtë huamarrje do të ndërtohen dy deponi. Njëra do të jetë për jug perëndimin dhe Pellagoninë, në Komunën e Novaci pranë TEC Manastiri, deponi e re dhe me standarde, jo si këto që kemi, sepse ne s’kemi deponi që plotësojnë standardet. Ndërsa tjetra, pasi të kompletohet dokumentacionit që mendoj se do të vërtetojë lokacionin, do të jetë në Vasilevë, për verilindjen dhe Vardar. Unë mendoj se këtë projekt do të mund ta realizojmë, konkretisht këtë huamarrje, në një periudhë nga 3 deri 4 vjet”, tha Kaja Shukova- ministre e Mjedisit Jetësor.

    Deri atëherë, banorët e kësaj zone të kryeqytetit nuk do ta kenë luksin e ajrit të pastër, as në dimër dhe as më pak në verë kur deponia në fjalë kaplohet nga flakët, të shkaktuara me ose pa qëllim. Kundërmimi i shkaktuar nga gomat e djegura ndjehet disa kilometra larg deponisë. Një vit më parë, ishim në të njëjtin lokacion, ku një i punësuar aty na paralajmëroi se deponia sa vjen e zgjerohet. Alsat ka raportuar për këtë shqetësim të banorëve të Vizbegut edhe gjatë vitit 2019. Kryetari i atëhershëm i Komunës së Butelit, Velimir Smilesvski tha se deponia ishte në territorin e Shuto Orizares. Nga Shuto Orizare në atë kohë me qëndrim se nuk kishin fonde të mjaftueshme financiare për të pastruar dhe parandaluar krijimin e deponisë në fjalë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Fushata agresive për tërheqjen e investitorëve nga RMV u zëvendësua me promotorë në ambasadat

    Lajmi i rradhës

    Kafiteritë e mbyllura në Çarshinë e Shkupit gjatë muajit të Ramazanit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë