“LOJËRAT E FATIT, 500 METRE LARG SHKOLLAVE” | LAB: Të mbyllen tërësisht kazinot dhe bastoret, kjo dukuri po e rëndon ekonominë e qytetarit (Video)

    Sot Lëvizja Anti Bixhoz në Tetovë ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për lojërat e fatit që të mund të lokohen jo më afër se 500 metra nga shkollat. LAB kërkoi mbylljen totale sikur në Shqipëri dhe Kosovë deri në sjelljen e një ligji që mbron qytetarin nga gjendja e rëndë ekonomike, raporton Nistori.

    “Ne si LAB vlerësojmë vendimin e qeverisë që objektet në të cilat organizohen lojërat e fatit të jenë në distancë jo më pak se 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme. Mendojmë se është me rëndësi jetike pasi disa gjëra filluan të lëvizin dhe të marin kahje pas një zhgënjimi total për mossjelljen e ligjit. Rikujtojmë se kërkesa e Lëvizjes Anti Bixhoz e dalur nga protesta popullore është e pandryshuar – dislokim 3km larg vendeve të banuara, ndërsa nga vrasja e dy të rrinjve në Vizbeg, kërkojmë mbyllje totale sikur në Shqipëri dhe Kosovë deri në sjelljen e një ligji që mbron qytetarin edhe ashtu të lodhur nga gjendja e rëndë ekonomike. Pyesim, ku ngelën çerdhet? Ku ngelën institucionet publike? Si do të mbrohen qendrat e qyteteve? Vallë, pranë objekteve fetare dhe institucioneve tjera edukativo – arsimore, do të lejoni objekte kumari? Andaj kërkojmë që të merren parasysh kërkesat tona dhe me çdo kusht institucionet e lartëpërmendura të inkorporohen në propozimin e qeverisë.” – thonë nga LAB.

    A do ta monitorojë LAB zbatimin e Ligjit të ri për lojërat e fatit?

    “Qëndrimi jonë i fundit është mbyllja (e lojërave të fatit) si në Shqipëri dhe në Kosovë dhe zgjedhje më të mirë nuk shohim. Do të ishte një absurd i madh nëse lojërat e fatit i kemi, pra kazinot dhe bastoret afër shkollave, siç jemi mësuar t’i shohim pranë çerdheve, shkollave fillore dhe të mesme. Në kulturën tonë, varrezat janë diku në periferi të qytetit dhe të fshatrave. Si do ta përjetonim ne si besimtarë apo si qytetarë që ndjenjat tona të fyhen duke i parë bastoret dha kazinot afër varrezave.” u përgjigj Nuhi Ganija.

    Xhemal Abdiu tha se ata si LAB do të jenë të pranishëm gjatë zbatimit të ligjit nga qeveria që lojërat e fatit të jenë 500 metra larg institucioneve arsimore.

    Shoqata e Bastoreve Sportive, me sjelljen e ligjit të ri tha se do të mbyllen mbi 98% e bastoreve dhe se do të mbeten 10 mijë persona pa punë.

    Nistori pyeti LAB se cili është qëndrimi i tyre në lidhje me reagimin e Shoqatës së Bastoreve. Ata thonë se problemi i të papunëve do të zgjidhet njëjtë siç bëri Kosova e Shqipëria, gjegjësisht nga ai vend i punës, transferohet dikund tjetër. Mirëpo, për saktësi LAB i bëri me dije Shoqatës së Bastoreve se bëhet fjalë për dislokim dhe jo mbyllje.

    “Nëse bëhet fjalë për 10 mijë të punësuar, por nga ana tjetër bëhet fjalë për 100 mijë të papunësuar në vendin tonë.” – shtoi Xhemal Abdiu.

    “REFERENDUM KUNDËR LOJËRAVE TË FATIT”

    Lëvizja “Antibixhoz” më 14 dhjetor të 2022, në Komunën e Tetovës organizoi panel diskutimi me profesionistë të sferave të ndryshme në lidhje me shpalosjen e aktivitetit të radhës, gjegjësisht referendum popullor që pritet të realizohet në periudhën në vijim kundër lojërave të fatit në vend. Por ku ka arritur deri më tani LAB me referendumin?

    “Ne vazhdojmë me referendumin në Tetovë. Ajo është një procedurë në vete. Siç e kemi thënë, Tetova është fillimi i referendumit. Nëse ky ligj nuk do t’i plotësojë kushtet reale të kësaj shoqërie në RMV, ne do të inicojmë në çdo qytet që komunat të marrin kompetencat, nëse jo me referendum, por të ketë fuqi ligjore të vendosin për pastrimin e kësaj dukurie negative. Referendumi është në prcoedurë e sipër. Tash do të kalojë në Këshill komunal të Tetovës që të diskutohet për realizimin (e referendumit).

    A do ta mbështesë financiarisht Komuna e Tetovës referendumin ndaj lojërave të fatit?

    I pari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami para medias më 14 dhjetor tha se ai po angazhohet që nga fillimi i mandatit të tij, konkretisht për çështjen e lojërave të fatit dhe se do t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë, kompetencat komunale, me qëllim, që njëherë e përgjithmonë këto të largohen nga Tetova.

    “Do të gjejmë mënyrë të organizimit të referendumit edhe për këtë çështje që ndërlidhet me ingerencat e komunës – si pushtet lokal. Komuna ka të drejtë të organizojë referendum për çështje lokale apo çështje që janë ingerencë e komunës. Jemi në konsultim me ekspert të çështjes që të gjejmë bazë ligjore që komuna të organizojë referendum. Sa i përket aspektit financiar, sigurisht për ne si pushtet lokal, edhe përkundër gjendjes financiare të cilën gjendemi, do të gjejmë mënyrë dhe formë, që gjithë këtë aktivitet ta organizojmë me sukses dhe përfundimisht në Tetovë t’i largojmë këto veprimtari të dëmshme për shoqërinë.” – theksoi Kasami.

    Tashmë disa vite me radhë në RMV janë zvarritur procedurat për mos miratimin e ligjit për lojërat e fatit, por në këtë drejtim deri më tani nuk është bërë asgjë. Ndërkohë, dje është sjellur Propozim-ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për lojërat e fatit dhe për lojërat zbavitëse, ligj i propozuar nga Ministria e Financave, në të cilin parashikohet që hapësirat në të cilët organizohen lojërat e fatit që të jenë larg shkollave jo më pak se 500 metra. Edhe pse në vazhdimësi po e shtyjnë marrjen e vendimit, mbetet që deputetët të vendosin nëse dhe në çfarë mase do të vendosin masa kufizuese në lidhje me numrin dhe lokacionet në të cilat kazinotë dhe bastoret në Maqedoni do funksionojnë pa probleme.

    Maqedonia renditet e dyta në Europë për nga përqindja e të punësuarve në biznesin e “bixhozit dhe basteve”, Turqia me më pak të punësuar

    Vendi në vitin 2019 sipas përqindjes së të punësuarve në aktivitetet e lojërave të fatit dhe basteve nga numri i përgjithshëm i punonjësve, është në vendin e dytë famëkeq në Europë, pas Maltës, me 1.31 për qind të numrit të përgjithshëm të të punësuarve, shkruan Meta, përcjell Nistori.

    Sipas të dhënave të Eurostat-it, krahasuar me vendet anëtare të BE-së, por edhe me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, në vitin 2019 vendi kishte rreth 797.600 të punësuar dhe rreth 10.300 prej tyre ishin në biznesin e “bixhozit dhe basteve”. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Maqedoninë e Veriut e kanë lëshuar 2000 mjekë

    Lajmi i rradhës

    “Thoni Escobarit s’ka marrëveshje pa njohje”, “Në Twitter pulë e FB skifter”, “Kryeministër mos shpif”, vazhdojnë përplasjet e Kurtit me opozitën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë