Lojërat e fatit, BDI bëri blof me “All In”, përfundoi me “fold”

    Fati i kompanive të cilat arritën të sigurojnë licenca për zhvillimin e lojërave të fatit dhe lojërat e fatit online mbetet i paqartë tani pas rrëzimit të propozim-Ligjit për Lojërat e Fatit në Kuvend. Si do të veprojë Ministria e Financave dhe Qeveria, nëse do t’i tërheq licencat të cilat subjektet veçse i kanë paguar, apo do t’i abrogojë me vendim të njëanshëm, për këtë sot nga resori i Financave nuk morëm asnjë përgjigje. I paqartë mbetet edhe fati i aparaturave të kompanive që do të bënin organizimin e lojërave, VLT aparatet por edhe domenet e paguara për organizimin dhe zbatimin e tyre online. Rrëzimi i ligjit nënkupton edhe mos vënien në funksion e investimit të tyre, të paktën në rrugë ligjore.

    Derisa ligji akoma ishte në përpilim e sipër dhe Qeveria kishte deklaruar se do t’i shkojë deri në fund miratimit të tij, nga ana tjetër sipas opozitës kishin nisur negociatat me kompani që sipas saj i takonin nëntokës bullgare, serbe dhe malazeze e që do të merrnin përsipër organizimin e lojërave online në Maqedoni të Veriut. VMRO-DPMNE-ja disa herë kishte denoncuar se dy kompanitë e njohura bullgare 7777.bg dhe 8888.bg kanë lidhje të drejtpërdrejta me njeriun nëntokës bullgare Vasil Boshkov dhe se Qeveria po dëshiron që industrinë e lojërave online t’ia besojë këtij njeriu.

    Opozita shqiptare nga ana tjetër ka shpalosur dokumente të cilat sipas saj kompani të dyshimta ende pa kaluar ligji janë pajisur me licenca për organizimin e lojërave të fatit online. “Mozzart” është themeluar në janar të vitit 2024 dhe është pajisur me licencë. “VEZUV” gjithashtu e themeluar në janar 2024 dhe “77 BITS” e themeluar në dhjetor 2023. Paraprakisht marrëveshja bazë ishte lidhur me kompaninë “Novomatik” të cilës i ishte besuar tenderi për sjelljen e VLT aparateve për lojëra fati.

    Se ky ligj do të dridhte themelet e partneritetit me vende anëtare të BE-së, këtë në Shkup e bëri të ditur edhe presidenti austriak Aleksandar Van Der Balen, ndërsa paraprakisht kishte reaguar edhe ish ambasadori austriak. Prishja e marrëveshjes me kompaninë austriake do t’i kushtojë shtetit miliona euro gjobë nga arbitrazhi, ndërsa Qeveria nuk ngurroi se pavarësisht rrethanave ta imponojë ligjin me flamur evropian edhe në lexim të tretë.

    Dispozitat ligjore si të tilla i mbështeti edhe Lëvizja Antibixhoz edhe pse e njëjta ishte krijuar për mbylljen e kazinove dhe bastoreve sportive. Ndërsa në kundërshtime të madha këto dispozita hasën tek Asociacionet e Kazinove dhe Bastoreve sportive në Maqedoninë e Veriut. Me dispozitat e reja ishte paraparë edhe formimi i Video Lotarisë Shtetërore, ndërsa në bordet mbikëqyrës dhe drejtues u propozuan njerëz të afërt me zëvendëskryeministrin, Artan Grubi, familjar të Ali Ahmetit dhe militantë partiak të BDI-së. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    BE-ja konfirmon se në rundin e ri të dialogut do të bisedohet për dinarin

    Lajmi i rradhës

    Komuna e Tetovës: MPPS bllokon punësimet në çerdhe

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë