LSDM-ja nuk mbështet interpelancën e opozitës ndaj Talat Xhaferit

    Interpelanca ndaj kreut të Kuvendit Talat Xhaferi nuk do ta ketë as votën e deputetëve të LSDM-së, edhe pse nga kjo parti, pajtohen se Xhaferi e ka shkelur Kushtetutën me fjalimin e tij në gjuhën shqipe në Parlamentin Evropian.

    Të gjithë personat zyrtar të cilët përfaqësojnë institucionet, jashtë vendit duhet ta përdorin gjuhën maqedonase si gjuhë të vetme zyrtare jashtë kufijve të vendit. LSDM-ja nuk do ta mbështesë interpelancën kundër kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi për disa arsye. Njëra prej tyre është që interpelanca është jokushtetuese sepse në të nuk përdoret emri kushtetues i shtetit kurse e dyta është që LSDM-ja mendon se në periudhën e krizës dhe në përgjithësi, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi ka treguar performancë të jashtëzakonshme në drejtimin e Kuvendit – deklaroi Bogdanka Kuzeska, LSDM.

    Interpelanca u dorëzua nga deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe “Të Majtës” të cilët akuzuan kryeparlamentarin për shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve pasi u drejtua në gjuhën shqipe në Komitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian. Si arsye për këtë interpelanca radhiten edhe akuzat për mosrespektim e rendit dhe Rregullores në menaxhimin me ligjvënësin. Por, kjo nismë, për veç që nuk do ta ketë mbështetjen e deputetëve të BDI-së, nuk do ta ketë as mbështetjen e deputetëve të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. Këto paralajmërime tregojnë se miratimi i saj do të jetë i pamundur.

    Qëllimi i interpelancës është që të bisedojmë për sjelljen e kryetarit të Kuvendit në atë ngjarje por është mirë të debatojmë edhe për sjelljen e përgjithshme të tij në Kuvend. Këtu përfshihet shkelje e shpeshtë e Kushtetutës, ligjeve dhe Rregullores. Do ta ndjekim votimin dhe numrat do të tregojnë nëse ka ose jo mbështetje për ndryshimin e tij. Do të shfrytëzohet mundësia për të kërkuar përgjegjësi politike nga ai -thonë nga VMRO-DPMNE.

    Interpelanca është dorëzuar të hënën. Sipas Rregullores, subjekti të cilit i paraqitet interpelancë ka të drejtë të dorëzojë përgjigje me shkrim, më të së voni 15 ditë nga dita e pranimit të interpelancës. Interpelanca vendoset në rend dite në seancën e parë të ardhshme të Kuvendit, pas kalimit të 15 ditëve nga dita e dorëzimit të përgjigjes deri te deputetët. Nëse përgjigja nuk dorëzohet në afatin e paraparë me Rregullore, interpelanca vendoset në rend dite në seancën e parë të ardhshme.

    Rregullorja për punën e Kuvendit
    – SUBJEKTI TË CILIT I PARAQITET INTERPELANCË KA TË DREJTË TË DORËZOJË PËRGJIGJE ME SHKRIM.
    – INTERPELANCA VENDOSET NË REND DITE NË SEANCËN E PARË TË ARDHSHME TË KUVENDIT, PAS KALIMIT TË 15 DITËVE NGA DITA E DORËZIMIT TË PËRGJIGJES DERI TE DEPUTETËT.

    Kryetari i Kuvendit dhe kabineti i tij nuk kanë komentuar interpelancën e opozitës./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “Lagjja e Trimave”, mbrojtja kërkon revidimin e dënimeve me burg të përjetshëm

    Lajmi i rradhës

    11 VITE PUNË PËR NJË TEATËR! “Avullohen” 20 milionë denarë për Teatrin e Tetovës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë