LSM: Pagë minimale prej 18 mijë denarë, nëse nuk pranohet do të mobilizohen në grevë të përgjithshme

    Sindikatat, me kërkesë deri te Qeveria para Vitit të Ri. Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka përgatitur zgjidhje ligjore, për pagë minimale të garantuar prej 18.000 denarëve nga 1 janari. Në Propozim-ligjin për pagën minimale është paraparë, që ajo të rritet ashtu si rritet paga mesatare e llogaritur nga Enti Shtetëror i Statistikave. Diferenca mes pagës mesatare dhe asaj minimale, sipas kërkesave të LSM-së nuk duhet të jetë më e vogël se 60 për qind. Ose nëse paga mesatare arrin 34.000 denarë deri në mesin e vitit 2024 siç e parashikon Qeveria, atëherë paga minimale të jetë 20.400 denarë.

    “Nga e gjithë periudha që nga miratimi i Ligjit, ajo pagë duhet të pasojë rritjen e pagës mesatare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht të mos ndodhë që paga mesatare të rritet, dhe paga minimale të mbetet në vend”, tha Zllatko Cvetkovski, Sekretar i Përgjithshëm i LSM-së.

    Ndryshimet e propozuara në Ligjin për pagën minimale nga LSM i janë dërguar Kuvendit dhe Qeverisë. Kërkesa bazohet në disa elementë:

    “Vijon një rritje reale e energjisë elektrike, më parë ka pasur rritje pothuajse në të gjitha produktet ushqimore dhe ato shtëpiake, dhe besojmë se tani është koha për t’i ndihmuar punëtorët, të gjithë qytetarët për ta kapërcyer sa më lehtë këtë periudhë krize”, deklaroi Zllatko Cvetkovski, Sekretar i Përgjithshëm i LSM-së.

    Nga Ministria e Punës nuk thonë nëse është e pranueshme, që paga minimale të jetë 60% e mesatares. Por, thonë se angazhohen për të drejtat dhe statusin e punëtorëve, dhe për këtë paralajmërojnë pagë minimale prej 20.000 denarëve deri në fund të mandatit të Qeverisë në vitin 2024.

    “Në mbledhjen e fundit të Qeverisë të datës 12 dhjetor, u shpreh gatishmëria për një cikël bisedimesh mes Qeverisë dhe partnerëve socialë, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve më të përshtatshme për përmirësimin e statusit të punëtorëve, duke përfshirë edhe rritjen e pagës minimale”, thonë nga MPPS.

    Nëse kërkesa e LSM-së, për rritje të pagës minimale me rritjen e mesatares nuk pranohet, sindikatat do të mobilizohen në grevë të përgjithshme. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    VMRO-DPMNE: Për politikat kadrovike të qytetit të Shkupit vendos Arsovska

    Lajmi i rradhës

    PSG e do me patjetër Gavin në skuadër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë