Lufta mes Izraelit dhe Iranit do të ketë ndikim mbi çmimin e naftës edhe në Maqedoninë e Veriut, konsideron kryetari i Komisionit Regullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe Shërbime për Menaxhimin e Mbeturinave Komunale (KRRE), Marko Bislimovski, por nuk pret ndikim mbi çmimet e produkteve të tjera.
Pas sulmeve të mbrëmshme të Izraelit ndaj Iranit, ai theksoi se çmimi i naftës në bursat botërore është rritur për dhjetëra dollarë. Rritja sipas Bislimovskit, është gjashtë deri në shtatë dollarë.
“Absolutisht do të ketë ndikime, le të shohim si do të reflektohet në ditët në vijim. Për javën e ardhshme nuk besoj se do të ketë një ndikim drastik kur të merret vendimi, por nëse ky trend i çmimeve të larta të derivateve të naftës vazhdon, absolutisht do të ketë ndikim edhe në çmimin që do të paguajnë konsumatorët në Maqedoninë e Veriut”, deklaroi sot Bislimovski para fjalimit të tij në panelin “Efikasiteti energjetik dhe integrimi i burimeve të rinovueshme të energjisë në sektorin komunal”, në kuadër të konferencës ndërkombëtare “E ardhmja e sektorit komunal”, që po mbahet në Ohër.
Ai shpreson se pas pikut çmimet do të stabilizohen, duke përmendur shembullin e luftës në Ukrainë, kur çmimi i dizelit arriti 110 dollarë për fuçi.
Ai kujtoi ngritjet e çmimeve të shumicës së produkteve me rritjen e çmimit të naftës në fillim të luftës në Ukrainë dhe tha se megjithatë, pas uljes së çmimeve të derivateve të naftës, ato nuk janë kthyer më pas në nivelet e mëparshme.
“Kur flasim për çmimet e derivateve të naftës, dizeli kur arriti 110 dollarë ishte shkaku për një sërë ngritjesh çmimesh. Sot, çmimi i dizelit është 66-67 denarë, ndërsa çmimet e produkteve që atëherë u rritën nuk janë kthyer më pas. Nuk mendoj se kjo do të ketë një ndikim dramatik në produktet e tjera që përdoren në Maqedoni”, përfundoi kryetari i KRRE-së.