Lukashenka: Trupat bjelloruse nuk janë pjesë e sulmit rus në Ukrainë

    Lideri autoritar i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, ka thënë se ushtria e tij nuk është duke marrë pjesë në sulmin rus ndaj Ukrainës, kanë raportuar mediat shtetërore më 24 shkurt.

    “Forcat tona të armatosura nuk janë duke marrë pjesë në këtë operacion”, ka thënë Lukashenka, aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin.

    Moska ka mbledhur mijëra trupa në Bjellorusi dhe së fundi ka marrë pjesë në stërvitje ushtarake me rreth 30,000 forca ushtarake.

    Këto stërvitje ishte planifikuar që të përfundonin këtë javë, mirëpo janë zgjatur para se të niste sulmi rus në Ukrainë.

    Shumë liderë të Perëndimit kanë thënë se stërvitjet janë shfrytëzuar për të fshehur qëllimet ruse për të sulmuar Ukrainën.

    Në disa pamje në rrjete sociale është supozuar se trupat ruse kanë kaluar Ukrainën nga Bjellorusia.

    Agjencia kufitare e Ukrainës ka raportuar për një breshëri të artilerisë nga trupa ruse prej Bjellorusisë.

    Putin ka zhvilluar një bisedë telefonike me Lukashenkan në orët e hershme të mëngjesit për ta informuar atë se Moska është duke nisur operacion ushtarak në Ukrainë, ka thënë zyra e Lukashenkas.

    “Rreth orës 05:00 sot është zhvilluar një bisedë telefonike mes presidentëve, të Bjellorusisë dhe Rusisë”, ka thënë zyra e Lukashenkas.

    “Gjatë thirrjes, Vladimir Putin ka informuar kolegët bjellorusë për situatën në kufi me Ukrainën dhe në Donbas”, është thënë në deklaratë.

    Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka thënë të enjten se Rusia ka nisur pushtimin e vendit të tij.

    Në një postim në Twitter, Kuleba ka shkruar se presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur “pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë”.

    “Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulm. Kjo është një luftë agresioni”, ka thënë Kuleba.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, ka thënë se Rusia ka kryer sulme me raketa në infrastrukturën e Ukrainës dhe mbi rojet kufitare.

    Presidenti rus ka konfirmuar se ka nisur, siç ka thënë, një operacion “special” për “çmilitarizimin” e Ukrainës.

    Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e ka dënuar operacionin, duke e cilësuar atë si një sulm “të paprovokuar dhe të pajustifikuar” ndaj Ukrainës dhe ka shtuar se bota “do ta mbajë Rusinë përgjegjëse”.

    Para sulmit në Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë këtë javë se njeh pavarësinë e dy rajoneve separatiste në Ukrainë si shtete të pavarura.

    Ky vendim është dënuar nga Perëndimi. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Konflikti Rusi – Ukrainë | Pendarovski mbledh Këshillin e Sigurisë

    Lajmi i rradhës

    Kovaçevski: Dënoj sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë