Macron: Kemi gjetur një zgjidhje për kontestin ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë

    Presidenti francez nga Madridi tha se është gjetur një kompromis për mosmarrëveshjen ndërmjet Shkupit dhe Sofjes. Qeveria e Maqedonisë thotë se ka marrë një propozim nga Franca për të kapërcyer bllokadën, njofton DW, përcjell Nistori.

    Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë arritur një kompromis për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për përmbajtjen e Kornizës Negociuese sipas të cilës Shkupi duhet të zhvillojë negociatat me BE-në. Lajmi është bërë i ditur pasditen e sotme nga Madridi nga presidenti francez Emmanuel Macron.

    “Unë mendoj se kemi gjetur një kompromis për mosmarrëveshjen midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut mbi Kornizën e Negociatave të BE-së,” tha presidenti francez Emmanuel Macron në margjinat e samitit të NATO-s në Madrid.

    Macron nuk ka dhënë detaje për kompromisin e mundshëm, por ka mundësi që ai të mos përfshijë një zgjidhje të shprehur, por një mënyrë që pala e Maqedonisë të deklarojë atë që është rënë dakord përmes konsultimeve në Kuvendin e Shkupit.

    Në atë drejtim flet edhe njoftimi i Qeverisë në Shkup i publikuar pasditen e sotme, në të cilin thuhet se ka mbërritur “një propozim me ide” nga presidenca franceze e BE-së.

    “Kjo është baza për hapjen e një procesi të gjerë konsultativ, fillimisht me qeverinë dhe partnerët e koalicionit, e më pas me presidentin, parlamentin dhe opozitën, si dhe me shoqërinë civile, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend”, tha qeveria në një deklaratë.

    Sipas informacioneve të Deutsche Welle, dy ministrat e jashtëm Teodora Gencovska dhe Bujar Osmani kanë biseduar për këto tema në Madrid.

    Dy pikat e kontestuara kishin të bënin me mbajtjen e dy konferencave ndërqeveritare – e para “politike” dhe e dyta formale, pas së cilës do të fillonin realisht negociatat për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut me BE-në.

    Bullgaria kërkon që fillimit të negociatave t’i paraprihet një ndryshim në Kushtetutë që do t’u lejojë bullgarëve të regjistrohen si popull përbërës
    .
    Pika e dytë e mosmarrëveshjes është përfshirja e protokolleve nga takimet ndërqeveritare në Kornizën Negociatore.

    Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha të mërkurën nga foltorja parlamentare se nuk do të lejojë që çështjet historike “të mos jenë kriter për kornizën negociuese dhe negociatat e Maqedonisë së Veriut me BE-në”. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Ekonomia shqiptare rritet me gjashtë për qind

    Lajmi i rradhës

    Sa ujë i duhet trupit tonë dhe për çfarë i duhet?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë