Malta i tërheq postin e konsullit të nderit Angjushevit

    Ish zv.kryeministri Koço Angjushev mbeti pa postin e konsullit të nderit të Maltës në Maqedoni, vetëm dy ditë pas futjes së tij në listën e zezë amerikane. Informacionin e jep media lokale “Times of Malta” duke cituar zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme të Maltës.

    “Duke pasur parasysh këto zhvillime, ministria ndërpret emërimin e tij menjëherë dhe me kujdes i ndjek zhvillimet më të reja”, thonë nga Ministria e Jashtme e Maltës.

    Shumë shpejt pas publikimit të këtij lajmi, ish zv.kryeministri Angjushev nga ana tjetër, nëpërmes komunikatës njoftoi mediat që gjoja se vendimi për tërheqje ka qenë i tij.

    “Duke marrë parasysh vendimin e Departamentit të Nderuar të Shtetit ndaj meje, me pretendime me të cilat nuk jam dakord, por që i vlerësoj dhe i pranoj si vendim, vlerësoj se nuk kam mundësi dhe as Malta nuk duhet të ketë një konsull nderi me njollë në emrin e tij, sado që ajo është e padrejtë. Përderisa këto akuza nuk ndryshojnë, unë nuk dua dhe nuk mund ta përfaqësoj veten në emër të asnjë shteti apo institucioni”, ka shkruar Koço Angjushev, ish zv.kryeministër.

    Deri sa shtetet tjera veprojnë në përputhje me vendimin e SHBA-së e cila futi Angjushevin në listë të zezë, institucionet e vendit nuk kanë lëvizur asnjë gisht për ta hetuar atë. Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se akuzat janë serioze.

    “Këto janë akuza serioze. Zotëria në fjalë asnjëherë s’ka qenë anëtar i LSDM-së dhe as nuk është ndjerë si anëtar i LSDM-së. Unë me sa e di ai ishte propozim i Odës ekonomike. Ne duhet ta kemi të qartë se institucionet ndërkombëtare dhe partnerët tanë strategjik, ku numër një janë SHBA-të, këto vendime i marrin në bazë të informacioneve dhe gjetjeve të tyre megjithatë nga ana tjetër institucionet tona po ashtu e kanë për detyrë të reagojnë dhe të hetojnë secilin rast pa asnjë ndikim”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

    Kryeministri tha se tani më po përgatiten ndryshime ligjore që personat të cilët sanksionohen nga SHBA-të dhe BE-ja të mos mund të ushtrojnë funksione publike dhe të mos mund të kenë përfitime në vend.

    Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi të martën se Angjushev nuk ka të drejtë të hyjë në SHBA, sepse gjatë kohës që ishte zëvendëskryeministër, ai ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare në favor të interesave të tij private të biznesit, duke minuar besimin e publikut në Maqedoni në institucionet e tyre qeveritare dhe proceset publike. Përveç Angjushev, u sanksionuan edhe anëtarët më të afërt të familjes së tij. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Nëna e Vanjës: nuk mund ta besoj se vajza ime është në varr

    Lajmi i rradhës

    LEN akuzon pushtetin për datën e zgjedhjeve: po anashkalohet diaspora

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë