Maqedoni, rriten shpenzimet për mjetet shkollore

    Me fillimin e vitit të ri shkollor rritet edhe interesimi i prindërve për të blerë mjete shkollore të cilat u nevojiten fëmijëve të tyre. Me gjithë dëshirën që fëmijët të jenë të kompletuar, megjithatë edhe këtë vit çmimet janë të larta në krahasim me rrogën dhe gjendjen ekonomike, ndërsa prindërit zgjedhin një mesatare, por edhe pajisje me çmime më të ulta. Në këtë drejtim, prindërit edhe këtë fillimvit shkollorë do të duhet të ndajnë nga buka e gojës për të dërguar fëmijët e tyre në shkollë.

    Libraritë të cilat merren me këtë aktivitet kanë mbushur raftet e tyre me artikuj të larmishëm për t’iu përshtatur kërkesave të tregut dhe mundësojnë furnizimin e nxënësve me mjetet e nevojshme shkollore. Edhe pse në kohë të krizës ekonomike ku është vërejtur ndryshim i çmimeve në shumë sektorë, tregtarët thonë se nuk ka lëvizje të çmimit të artikujve bazik si çanta, lapsi, goma etj. Të vetmet artikuj që kanë ndryshuar çmimin janë artikujt e letrës, pasi ka patur një rritje të çmimit të lëndës së parë.

    “Sa i përket fillimit të vitit shkollor dhe interesimi i prindërve është jashtëzakonisht i lartë dhe ata kanë filluar të furnizohen me çanta, fletore, ngjyra, lapsa e kështu me radhë. Ka një lëvizje të çmimeve tek fletoret dhe blloqet e vizatimit, kurse tek tjerët – çmimet janë pothuajse të njëjta. Rritja e çmimit të letrës ka bërë që të rriten edhe çmimet e fletoreve. Nuk ka shumë ankesa nga ana e prindërve, sepse ata janë bërë si duket imun ndaj rritjes së shpeshtë të të gjitha çmimeve, pra fundja – këto materiale janë më së të nevojshme prandaj edhe duhet patjetër që t’i marrin”, tha Abaz Islami nga libraria “Rilindja”.

    Sipas tij, një çantë kushton prej 600 denarë e më lartë, varet nga kualiteti apo edhe marka e prodhuesit, lapsat janë nga 6 denarë e deri në 15 denarë, por edhe këtu varet nga kualiteti. Pavarësisht ndryshimeve të çmimeve që mund të pësojnë këto artikuj, prindërit janë të detyruar ti pajisin fëmijët e tyre me këto mjete bazike, prandaj nga vitet e kaluar nuk ka patur ulje të numrit të blerjeve, ndërsa fluksi më i madh pritet në ditët e ardhme pasi nxënësit të pajisen me librat shkollor dhe të njoftohen nga mësimdhënësit për mjetet e nevojshme shkollore.

    Në librarinë “Rilindja”, por edhe në libraritë e tjera të qytetit, përveç mjeteve shkollore, nxënësit mund të pajisen edhe me fletoret e punës që shoqërojnë librat shkollorë. Në shkollat fillore dhe ato te mesme në Tetovë dhe në tërë vendin, procesi mësimor ka filluar të enjten, kurse zakonisht në situatë më të palakmueshme janë prindërit të cilët dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë, sepse shpenzimet janë rritur dukshëm edhe me rritjen e çmimeve në përgjithësi. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Punonjësit shqiptarë nuk janë më të preferuarit e Gjermanisë

    Lajmi i rradhës

    KESh: Nuk do të ketë kufizime të energjisë elektrike në Shqipëri

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë