Më keq se Uganda dhe më mirë se Katari dhe Serbia. Kryesisht për shkak të sistemit ligjor dhe të drejtat e pronësisë, ashtu si edhe mungesën e stabilitetit monetar, janë dy prej pikave më të nxehta për Maqedoninë e Veriut që kanë sjellë humbjen e lirisë ekonomike të shtetasve të saj. Indeksi i lirisë ekonomike e rendit Maqedoninë e Veriut të fundit nga vendet e rajonit, që do të thotë se politikat dhe institucionet i kufizojnë njerëzit të bëjnë zgjedhjet e tyre ekonomike.
Raporti “Liria ekonomike në botë 2024” është publikuar nga instituti Fraser dhe bazohet 45 pika të dhënash të organizuara në pesë zona. Maqedonia është renditur e 77 –ta në botë, me një indeks prej 6.74, sipas vlerësimit të bërë në pesë fushat kryesore, Madhësia e qeverisë (6.85 pikë), Sistemi ligjor dhe të drejtat e pronësisë (4.73), Stabiliteti monetar (6.77), Lira e tregtisë (7.72) dhe Zbatimi i rregullave (7.62). Po ashtu kjo renditje tregon një rënie nga vendi i 65-të që ishte vitin e kaluar. Sa i takon rajonit, më mirë renditet Shqipëria (në vendin e 34), duke lënë pas edhe Kroacinë (në vendin e 75), Bullgarinë (46), por edhe Greqinë.
Liria ekonomike sipas raportit është shkalla në të cilën individët lejohen të marrin vendimet e tyre ekonomike për atë që të blejnë, ku të punojnë dhe nëse do të fillojnë një biznes, që knsiderohen si thelbësore për mirëqenien. Liria ekonomike mat hapjen ndaj tregtisë, taksat dhe barrën rregullatore, shpenzimet qeveritare dhe qëndrueshmërinë e parave të një vendi.
Dhjetë vendet me pikët më të larta janë Hong Kongu, Singapori, Zvicra, Zelanda e Re, Shtetet e Bashkuara, Danimarka, Irlanda, Kanadaja, Australia dhe Luksemburgu. Dhjetë vendet me lirinë më të ulët janë Jemeni (156), Libia (157), Irani (158), Argjentina (159), Myanmar (160), Algjeria (161), Siria (162), Sudani (163) , Zimbabve (164) dhe Venezuela (165).
Instituti “Fraser” kryen studime botërore nga viti 1996, në bashkëpunim me Rrjetin e Lirisë Ekonomike, një rrjet institutesh edukative dhe kërkimore me aktivitet ne 100 vende te ndryshme. Rezultatet e studimit bazohen në ushtrimin e politikës ne 5 aspekte bazë: Përmasat e vendit, drejtësia vendore, lehtësia në transaksionet me monedhën e fuqishme, liria në tregun ndërkombëtar, funksionimi bankar pro investitorit, marrëveshjet dhe sistemi funksional i bankave, biznesit dhe trajtimi i punëtorëve. /Koha/