Artan Grubi mundohet ta korrigjojë deklaratën e tij: Ali Ahmetit i duhet populli, popullit i duhet Ali Ahmeti

    Zv.kryeministri Artan Grubi nëpërmjet një shkrimi në Facebook është munduar ta korrigjojë deklaratën e tij të sotme në të cilën tha se “populli ka nevojë për Ali Ahmeti, e Ali Ahmeti nuk ka nevojë për popullin”.

    Grubi në postimin e tij në Facebook shkruan se qëllimi i deklaratës së tij ka qenë që të theksojë se edhe Ali Ahmeti ka nevojë për popullin, po aq sa ka nevojë populli për Ali Ahmetin. Deklaratën e tij ai e quan ngatërrim të fjalëve.

    “Marrëdhënia ime me Kryetarin Ali Ahmeti është si marrëdhënia e gjithësecilit prej jush që jeni të bindur në rrugën e tij jetësore, në drejtësinë e tij, në vizionin e tij, në vlerën e tij kombëtare për të gjithë shqiptarët. Intenca e sinqertë e deklaratës sime ishte të vë në pahje të vërtetën e pakontestueshme se Ali Ahmeti ka nevojë për popullin po aq sa edhe populli ka nevojë për Ali Ahmetin, por një ngatërrim i imi pafat fjalësh, e shfaqi gabimisht qëllimin, për çka, më vjen keq”.

    “Kjo është dëshmuar në të gjitha proceset progresive nëpër të cilat ka kaluar vendi, ku z. Ahmeti me popullin pas tij arritën lirinë, barazinë, siguruan integrimin e vendit në NATO dhe e ruajtën në binarët e duhur të integrimit europian. Ali Ahmeti nga populli merr forcën e veprimit dhe e ka popullin pas vetes në katër dekadat e funksionimit të tij politik, dhe ai vazhdon të jetë vizionari i palëkundur në përmbushjen e idealeve të përparimit dhe integrimit. Çdo fjalë e Ali Ahmetit, çdo vepër e tij është amanet i shenjtë i popullit që duhet çuar në vend. Ali Ahmeti dhe populli janë një shpirt i vetëm që do të vazhdojë të ngadhënjejë në rrugëtimin e misioneve të shumta”, ka shkruar Grubi.

    Ndryshe, sot në një deklaratë për “Sloboden Peçat”, ish-zv.kryeministri Musa Xhaferi, i cili gjithashtu është nënshkrues i letrës publike për pakënaqësitë në BDI, deklaroi se lufta në parti do të eskalojë nëse Artan Grubi dhe disa ministra tjerë të BDI-së nuk japin dorëheqje nga pozitat e tyre në pushtetin ekzekutiv./Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Votohet vazhdimi i gjendjes së krizës në sektorin energjetik, asnjë votë “kundër”

    Lajmi i rradhës

    Momenti kur vajza sulmohet seksualisht nga një person në Pejë të Kosovës (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë