Banka Botërore me parashikime të zymta për ekonominë e Maqedonisë

    Kriza energjetike, inflacioni dhe lufta në Ukrainë konsiderohen si faktorë që do të vijojnë të mbeten kyç për stagnimin ekonomisë. Të paktën deri në vitin 2025, kur pritet që të rikthehet trendi i rritjes ekonomike sikurse para pandemisë, me theks tek vendet e Ballkanit Perëndimor. Në Raportin “Mbrojtja Sociale për Rimëkëmbje” të publikuar së fundmi, BB vëren se pritjet janë që Ballkani Perëndimor mesatarisht të ketë rritje ekonomike për 3.4 për qind në vitin 2022, 2.8 për qind në vitin 2023 dhe 3 për qind në vitin 2024.

    Banka Botërore parashikon inflacion rekord në vitin 2022, ndërsa për vitet 2023 dhe 2024 inflacioni do të vazhdojë, por në parametra njëshifrorë. Inflacioni prek më shumë të varfrit dhe, si rrjedhojë, parashikohet stagnim në trendin e uljes së shkallës së varfërisë në vendet e Ballkanit Perëndimor. “Potenciali i rritjes në rajon vazhdon të varet nga nevoja për reforma strukturore për rritjen e produktivitetit, rritjen e konkurrencës, investimi në kapitalin njerëzor dhe fuqizimin e qeverisjes së mirë”, thuhet në Raport.

    MAQEDONIA E VERIUT

    Si parashikohet rritja ekonomike në periudhën në vazhdim? Raporti i vjeshtës, i përpiluar nga Banka Botërore i ka ulur edhe më tej parashikimet për rritje ekonomike në plan afatmesëm. Numrat flasin për vite të vështira në planin ekonomik që pritet të rëndojnë ekonomitë lokale, të cilat megjithatë do të rriten, por vetëm minimalisht në vitet e ardhshme. Në zërin për Maqedoninë e Veriut thuhet se në momentin që filloi rimëkëmbja ekonomike nga recesioni i pandemisë, kriza energjetike dhe lufta në Ukrainë ndaluan rimëkëmbjen dhe ndikuan në presionin inflacionist në fillim të vitit 2022. Çmimet e energjisë dhe të ushqimeve janë rritur, ndërsa rritja e pagës minimale për 18.5 për qind në mars të vitit 2022 nxiti më tej pritjet inflacioniste. Edhe perspektiva afatmesme ekonomike nuk duket e mirë për Maqedoninë e Veriut, sipas analizave të Bankës Botërore.

    Maqedonia e Veriut është nën rrezikun e stagflacionit, prandaj Banka Botërore sugjeron që shteti të fillojë të zbatojë premtimet për reforma që mund të gjallërojnë momentumin e rritjes së mundshme në plan afatmesëm. “Ulja e varfërisë me shumë mundësi do të stagnojë në vitin 2022, duke marrë parasysh rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë që godasin më shumë të varfrit, pasi ata shpenzojnë pjesë më të madhe të të ardhurave në këto produkte”, parashikon Raporti i BB-së.

    RAJONI

    Viti i ardhshëm në Shqipëri pritet të jetë më i rëndi për ekonominë, sipas parashikimeve të BB. Me gjithë turizmin që sjell lëvizje të rëndësishme në ekonominë shqiptare, ngarkesa e borxhit publik të Shqipërisë dhe normat e larta të interesit për rifinancim eventual të buxhetit paraqesin rreziqe të mëdha. BB parashikon që Shqipëria do të mbyllë vitin aktual me rritje ekonomike prej 3.2 për qind, ndërsa në dy vitet e ardhshme rritje do të jetë edhe më e vogël, me 2.3 për qind dhe 2.5 për qind.

    “Perspektivat e rritjes ekonomike janë të paqarta dhe me shumë rreziqe negative. Çmimet më të larta të energjisë, ushqimit dhe akomodimit mund të tkurrin edhe më tej fuqinë blerëse familjare dhe konsumin”, thuhet në raport. Me një histori të rritjes së fuqishme krahasuar me vendet e tjera, Kosova dol nga kriza e COVID-19 me një imperativ të ri: adresimi i pengesave strukturore kyç për rritjen e konkurrencës dhe mbështetjen e rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Parashikimi afatmesëm mbetet pozitiv, por me shumë rreziqe në perspektivë të cilat duhen menaxhuar mirë. Ndërsa në Mal të Zi turizmi pritet të vazhdojë rimëkëmbjen në vitin 2023, edhe pse përkeqësimi i perspektivave të rritjes ekonomike në BE dhe rajon mund të ngadalësojë rimëkëmbjen. Parashikimi është i rrethuar me më shumë rreziqe negative. Sipas Raportit, jostabiliteti politik dhe vonesat në formimin e qeverisë janë rreziqe të mëdha të brendshme.

    “Paqartësitë e mëdha politike dhe zmadhimi i inflacionit global dobësojnë perspektivat e rritjes ekonomike në Mal të Zi dhe partnerët e saj tregtarë. Presionet inflacioniste po përshpejtojnë shtrëngimin monetar që përkthehet në financim më të shtrenjtë të jashtëm”, thotë BB. Pas rimëkëmbjes së fuqishme në vitin 2021, disa faktorë të brendshëm dhe ndërkombëtarë shkaktuan ngadalësim ekonomik në Serbi. Edhe e ardhmja duket përplot rreziqe. Ulja e varfërisë pritet të bjerë ose të stagnojë në vitin 2022. Lufta në Ukrainë vazhdon të paraqesë rrezik negativ për mirëqenien familjare në Serbi.

    “Sfida kryesore është performanca e sektorit energjetik serb dhe pajisja me energji elektrike dhe gaz në dimrin 2022/23. Sfidë tjetër do të jetë mundësia e financimit të deficitit fiskal, duke qenë se normat e interest janë rritur ndjeshëm në muajt e fundit. Inflacioni është në rritje, duke rënduar buxhetet e të varfërve në veçanti”, thuhet në raport. Sipas Raportit, rreziqet gjeopolitike mund të përkeqësojnë edhe më shumë përplasjet e brendshme politike me pasoja negative për shtytjen shumë të nevojshme të reformave strukturore.

    Lajmi Paraprak

    Shkupi nesër do të jetë pa transport publik

    Lajmi i rradhës

    Promovohet libri i Rizvan Sulejmanit “Shqiptaria, miti, filozofia”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë