Nga e mërkura ora policore të nis nga ora 23:00 dhe të zgjas deri në orën 05:00 të mëngjesit, kurse kafenetë të punojnë deri në 22:30. Ky propozim ka dalë nga seanca e sotme e Shtabit kryesor koordinativ të krizës, i cili vlerëson se masat anti-covid duhet të zbuten.
“Shtabi Qendror Koordinativ i krizave mbështeti propozimin për të ndryshuar kohëzgjatjen e ndalimit të lëvizjes dhe në seancën e sotme shqyrtoi propozimet që dhamë. Ndalimi dhe regjimi i veçantë i lëvizjes të fillojë nga ora 23:00 deri në 05:00 të ditës tjetër. Koha për punën e objekteve gastronomike për mysafirë në pjesën e hapur të objektit (vetëm veranda verore, kopshte, dhe jo në pjesën e mbyllur) të zgjasë deri në orën 22:30”, – deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Arsyeja për lehtësimin e masave sipas Shtabit të krizave, është për shkak të përmirësimit të situatës epidemiologjike me virusin korona, numri i infektimeve dhe ulja e numrit të rasteve aktive.
“Propozim-masat e theksuara të Ministrisë së Shëndetësisë do të shqyrtohen në seancën e ardhshme qeveritare, gjegjësisht nesër dhe nëse miratohen, do të vlejnë nga 5 maj i vitit 2021 (e mërkurë).” – thonë nga Qeveria e RMV.
Nesër pritet që Qeveria ta miratojë këtë propozim, dhe vendimi të hyjë në fuqi që ditën e ardhshme. Përndryshe aktualisht kufizimi i lëvizjes së qytetarëve në vend, fillon nga ora 21:00, ndërsa objektet hotelierike punojnë deri në 20:30.