Agjencia nacionale për programe arsimore evropiane për 1 milionë denarë ka blerë biçikleta dhe trotinete elektrike. Sipas marrëveshjes së Byrosë për furnizime publike, janë blerë dhjetë trotinete dhe pesë biçikleta me rrymë. Një trotinet kushton 40 mijë denarë me TVSH prej 7200 denarëve. Biçikletat kushtojnë 100 mijë denarë për copë, pa TVSH të llogaritur. Me TVSH, çmimi arrin në 118 mijë denarë apo rreth 2000 euro për copë. Pyetëm në Agjencinë nacionale përse e kanë bërë këtë porosi.
Agjencia nacionale për programe arsimore evropiane
“Porosia është pjesë e projektit “Agjenda e gjelbër”. Kjo do të thotë zëvendësim të automjeteve ekzistuese me automjete ekologjike për punonjësit. Kjo do të thotë që obligimet e punës për ku deri më tani nevojitet automobil, prej tani do të kryhen me këto mjetet ekologjike transportuese”
Biçikletën e llojit “Benelli Nerone Fat” me kornizë 27 inç, Agjencia e ka blerë për 2000 euro për copë. Por, me një kërkim të thjeshtë në internet, ky model i biçikletës kushton 87.550 denarë, me TVSH të llogaritur apo më lirë për rreth 500 euro nga çmimi që e ka paguar Agjencia nacionale. Telefonuam në kompaninë “Filadelfia SHPKNJP” nga Koçani, kompani e cila fitoi në tenderin për furnizim me trotinete dhe biçikleta. Pyetëm sa kushton biçikleta “Benelli Nerone”. Na informuan se në mesin e produkteve nuk kanë biçikletë elektrike, por vetëm biçikleta klasike. Në faqen e tyre zyrtare s’mund të gjendet asnjë kategori ku reklamojnë apo shesin trotinete elektrike. Përsëri kërkuam në internet sa kushton një trotinet i modelit “Mi Pro 2”. I njëjti mban çmimin 33.490 denarë me çmim të pakicës me TVSH të llogaritur kurse Agjencia nacionale e ka blerë për 47.200 denarë, me TVSH të përfshirë. Ndryshe, kjo Agjenci ishte në fokus të opinionit vitin e kaluar, kur policia financiare ngriti kallëzim penal për drejtoren e atëhershme Lidija Dimov për mashtrim prej 400 mijë euro mjete evropiane. Pas skandalit, Dimova u shkarkuar kurse Prokuroria e akuzon si të dyshuar për abuzim detyre. /Alsat M/