Ligji për gjuhët, nismat në Gjykatën Kushtetuese prej 5 vitesh në sirtarë

    Lënda e formuar nga iniciativat që kontestojnë kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve është mbajtur për pesë vite në sirtar, ndërkaq në tetor pritet që të miratohet vendimi nëse do të shfuqizohet plotësisht, pjesërisht apo do të lejohet që të vazhdojë të përdoret siç është aktualisht.

    Gjykata, e cila me Kushtetutë, është e obliguar që të mbrojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, qoftë me vetiniciativë apo nga parashtresat e personave fizikë dhe juridikë në vend, sot u arsyetua se për këtë ka ndikuar mungesa e gjyqtarëve dhe vëllimi i madh i lëndës. Megjithatë, procedura se si Gjykata Kushtetuese pranon, proceson ose miraton vendim për një lëndë, përshkruhet qartë në Aktin e Gjykatës Kushtetuese, i cili rregullon mënyrën e punës dhe procedurën para Gjykatës Kushtetuese.

    Një lëndë në Kushtetuese formohet pas dorëzimit të iniciativës ose iniciativave për një ligj të caktuar ose akt të përgjithshëm, ndërkaq sekretari i përgjithshëm, lëndën e ndanë te gjyqtari përkatës.

    Neni 11, paragrafi 1 nga Akti i Gjykatës Kushtetuese
    “Sekretari i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese i informon dhe shpërndan lëndët në pajtueshmëri me kohën e pranimit të parashtresës dhe radhitjes sipas alfabetit të mbiemrave të gjykatësve”.

    Sipas Aktit, në vijim, gjykatësi dhe këshilltari të cilëve u është caktuar lënda, udhëheqin procedurën paraprake, pasi të kenë mbledhur të dhënat e nevojshme për të vendosur në lidhje me kërkesën për ngritjen e procedurës. Më së voni, në afat prej 7 ditësh, gjykatësi dhe këshilltari janë të obliguar që të fillojnë të ndërmarrin veprimet në procedurën paraprake.

    Në vijim, gjykatësi dhe këshilltari duhet të përgatisin referat për lëndën.

    Neni 29 nga Akti i Gjykatës Kushtetuese
    “Më së voni në afat prej gjashtë muajsh nga dita kur lënda është dorëzuar për t’u punuar, dorëzohet referat për seancën, në të kundërt, Gjykata njoftohet për arsyet e tejkalimit të afatit”.

    Referati përmban kohën e dorëzimit të iniciativës, llojin e kërkesës dhe se nga kush është dorëzuar, cilat përgatitje janë kryer, cilat janë çështjet kontestuese juridike dhe faktike që janë paraqitur gjatë punimit të lëndës, shpalosjen e praktikës, mendimit dhe propozimit gjyqësor për mënyrën e zgjidhjes së kërkesës së dorëzuar.

    Lënda për Përdorimin e Gjuhës ka ngecur pikërisht këtu. Konkretisht, në vitin 2022 dhe 2023, Gjykata ka miratuar konkluzë që të mos vendoset për të, derisa nuk plotësohet përbërja prej 9 anëtarësh e Gjykatës. Por, pasi është kompletuar përbërja e Gjykatës, gjykatësi që ka punuar në këtë lëndë, ka dalë në pension. Gjykatësi, siç thonë nga Gjykata Kushtetuese ka kërkuar edhe kohë shtesë pasi lënda është voluminoze.

    Me ardhjen e Darko Kostadinovskit në krye të Kushtetueses, është paralajmëruar se lënda do të vendoset në rend dite të një seance në muajin tetor, e cila, sipas paralajmërimit do të thirret nga vetë kryetari./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    VLEN dhe BDI përplasen për Ligjin për gjuhët, Mickoski kërkon të mos bëhet presion mbi gjykatën

    Lajmi i rradhës

    Shpallet thirrja publike, do të ndahen 250 milionë euro për komunat

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë