Bashkimi Demokratik për Integrim e quan gënjeshtar zëvendëskryeministrin e parë Izet Mexhitin pasi ky dje tha se BDI ka qenë propozues i ligjit për gjuhët bashkë me LSDM-në në vitin 2017. Nga BDI nuk e mohojnë këtë, por rikujtojnë se ishte Mexhiti ai që u ka prirë negociatave për ligjin për gjuhët.
Nga BDI akuzojnë Mexhitin dhe koalicionin VLEN, se janë shndërruar në mbrojtës dhe promotorë të politikave antishqiptare të VMRO-së, ndërsa çdo sulm ndaj shqiptarëve, thonë se mundohen ta relativizojnë dhe ta tërheqin vëmendjen te BDI apo Fronti Europian.
Për ligjin për gjuhët, ka shkruar edhe Arben Taravari nga koalicioni VLEN. Përmes një statusi në Facebook, thotë BDI edhe pse 22 vjet ishte në pushtet, e ka katandisur gjuhën shqipe. Duke kërcënuar me gjuhë folkloriste, mendojnë se do t’i shpëtojë karta e nacionalizmit, shprehet Taravari.
Taravari e krahason BDI-në me Levicën. Thotë se të përbashkët e kanë frikën. Levica ka frikë nga gjuhët autoktone, e BDI-ja ka frikë nga drejtësia, shton Taravari.
Për ligjin për gjuhët u pyet edhe kryeministri Hristijan Mickoski. Ai thotë se Kushtetuta nuk është tavolinë suedeze, që të marrësh çfarë të duash e të lësh çfarë nuk të pëlqen. Thotë se Kushtetuta duhet të respektohet, edhe nëse diçka nuk të pëlqen. U bën thirrje partive politike, të mos bëjnë presion mbi gjyqësorin.
Gjykata Kushtetuese në fillim të muajit tetor duhet të mbajë seancë për kushtetutshmërinë e ligjit për gjuhët, pasi deri në gjykatë janë ankuar gjithsej 13 shoqata, qytetarë dhe parti politike. Përpos për ligjin për gjuhët, Gjykata Kushtetuese duhet të marrë vendim edhe për Balancuesin, seanca e së cilës është caktuar për më 18 shtator.