Pendarovski: Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë harruar plotësisht nga BE

    Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në një intervistë për Anadolu Agency, ka folur për situatën politike në vend dhe rajon.

    Ai tha se nuk është i kënaqur me pritjen e RMV-së për anëtarësim në BE, duke pasur parasysh se negociatat për anëtarësim po fillojnë pas 17 vitesh pritje me status të kandidatit.

    “Ne praktikisht u harruam nga BE-ja dhe me një sërë shantazhesh ndërkohë, falë Zotit arritëm disi të bënim një lloj kompromisi me Republikën e Bullgarisë, me ndihmën e presidencës franceze dhe filluam negociatat. Nëse shikoni prapa, nga viti 2005 jemi me statusin e kandidatit dhe tek tani fillojmë negociatat, askush nuk mund të thotë se jemi shumë të suksesshëm në këtë drejtim”, tha Pendarovski.

    Sipas presidentit, shkaku i pritjes nuk ishte edhe aq shumë mungesa e reformave, por edhe bllokimet e hapura nga vende anëtare të BE-së. Ai gjithashtu pohon se “disa vende evropiane nuk ishin të interesuara për rajonin e Ballkanit”.

    “Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova janë shtete absolutisht të harruara, absolutisht të harruara. Kosova nuk mund të marrë liberalizimin e vizave. Dhe tani çfarë entuziazmi dëshironi nga ajo popullatë, të jetë për Bashkimin Evropian?”, theksoi Pendarovski.

    Duke kujtuar se Mali i Zi dhe Serbia kanë 10 vjet që negociojnë për anëtarësim në BE, ai thekson se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë në pritje të avancimit drejt BE-së.

    “Bosnjë e Hercegovina është vendi që objektivisht ka vuajtur më shumë nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, me më shumë viktima, mbi 100 mijë të vdekur dhe nuk e di, disa thonë mbi 2 milionë të shpërngulur. Ata nuk munden të përparojnë për shkak të kontradiktave të brendshme të njohura. Por edhe Evropa, sepse disa shtete janë më afër njërit entitet, të tjerat me entitetin tjetër, nuk ia zgjatën dorën për t’i nxjerrë nga humnera të cilës po i afrohen”, tha Pendarovski.

    Presidenti i Maqedonisë së Veriut thotë se si pasojë e kësaj situate po shpërngulen të rinjtë nga i gjithë Ballkani, duke shtuar se asnjë vend sot nuk ka aq banorë sa kishte 20-30 vjet më parë.

    Lajmi Paraprak

    Shtrenjtohet sërish çmimi i dizelit në Maqedoni, nga mesnata e sotme do të shitet me çmim të ri

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë