Shtrenjtim drastik i bulmetit në Maqedoni

    Pavarësisht kufizimit të marzhës tregtare paralajmërohen rritje të reja të çmimeve, nëse shteti nuk ndërmerr masa për të ndihmuar blegtorët. Nëse në tetor të vitit të kaluar djathi i lopës mund të blihej në treg me çmim prej 299 denarë për kilogramë, tani i njëjti djathë shitet për 577 denarë kilogrami ose gati dyfish më shumë. Kriza energjetike shkaktoi rritjen edhe të çmimeve të qumështit dhe produkteve të qumështit, zinxhir i rritjes së çmimeve i cili fillon me çmimin e qumështit të blerë.

    Rubin Kuzmanovski nga Prilepi i cili ka 25 vite që merret me blegtori thotë për mediat vendore se në fermën e tij ai ka gjithsej 50 lopë dhe prodhon nga 700 deri në 750 litra qumësht në ditë. Çmimi i rritjes së qumështit sipas tij erdhi pas rritjes së kostos së ushqimit për kafshët.

    “Shpenzimet tona janë rritur nga 60 në 150%, një kilogram koncentrat tani kushton sa një litër qumësht i blerë pra 30 denarë. Ne po punojmë sa për të mbijetuar”, tha Kuzmanovski. Në fermën e tij prodhohet edhe djathi i cili tani shitet për 450 denarë për kilogramë, ndërsa para krizës ishte 150 denarë më lirë. Për të parandaluar goditjet e çmimeve qeveria zgjati afatin e kufizimit të marzhës deri më 31 dhjetor. Sasia e marzhës tregtare për qumështin e përhershëm është deri në 10%. Megjithatë kufizimi i marzhës nuk po e pengon rritjen e çmimit të shitjes së qumështit dhe produkteve të qumështit por fitimet e tregjeve.

    Për këtë arsye, për shembull djathi i përzier i cili vitin e kaluar shitej për 316 denarë për kilogramë tani është 415 denarë. Marina Maneva e cila është pronare e një qumështoreje gjithashtu tha për mediat në vend se kufizimi i marzhës nuk jep rezultate të mëdha pasi arsyeja më e madhe e rritjes së çmimit të qumështit dhe produkteve të qumështit është çmimi i lartë i blerjes së qumështit.

    “Nëse do të ndërmeren masa për të ndihmuar blegtorët dhe blegtorinë, do të duhet të stabilizohet çmimi i qumështit të blerë dhe në këtë mënyrë do të stabilizohej edhe çmimi i produkteve të qumështit. Nëse kjo nuk ndodh ne parashikojmë rritje të çmimit deri në 20% deri në fund të vitit 2022”, potencoi Maneva.

    Sipas Entit të Statistikave rritja më e madhe e shpenzimeve të muajit të kaluar krahasuar me muajin gusht është shënuar te djathi dhe gjiza me 9.9%. Ndërkohë, brenda një viti statistikat tregojnë se qumështi, djathi dhe vezët janë rritur me 36%. Për shkelje të masave të kufizimit të marzhës parashikohet gjobë prej 800 deri në 10.000 euro. Inspektorati Shtetëror i Tregut thotë se deri më tani nuk ka pasur shkelje, as raportime nga qytetarët për mosrespektim të masave për kufizimin e marzhës për qumështin dhe produktet e qumështit.

    “Pas inspektimit është konstatuar se çmimet po rriten për shkak të rritjes së kostos nga vetë prodhuesi”, thonë nga ky institucion. Ministria e Bujqësisë pak ditë më parë njoftoi se është realizuar pagesa për prodhuesit e qumështit. Nga ana tjetër fermeri Kuzmanovski thotë se shteti është vonë me pagesën e subvencioneve dhe shton se edhe përkundër asaj se ferma e tij është biznes familjar ai është gjenerata e fundit që do mbajë lopë.

    “Sikur mos të kishte filluar rritja e çmimit të qumështit do t’i shisja lopët”, deklaroi Kuzmanovski. Sipas të dhënave të fundit nga Enti i Statistikave krahasuar me vitin 2020, vitin e kaluar numri i kafshëve është zvogëluar për 20.1%. Në propozimin e fundit për masat për përballjen e krizës energjetike dhe mbështetje të qytetarëve dhe kompanive, qeveria paralajmëroi subvencione për mbështetje direkte financiare në sektorin e bujqësisë, pjesë e së cilës përfshihet edhe blegtoria.

    Ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski gjatë një konference për media të mbajtur bashkë me kryeministrin Kovaçevski, shpalli modelin e ri të subvencionimit që deri në fund të vitit do të përkthehet në programe. Sipas tij me modelin e ri të gjithë fermerët do të duhet të dëshmojnë se kanë arritur prodhimin dhe paraprakisht do të paguhet mbështetje bazë./Koha/

    Lajmi Paraprak

    KRRE njofton për ulje qesharake të çmimit të dizelit

    Lajmi i rradhës

    Futbollisti turk refuzoi shiritin e kapitenit me ngjyrat e LGBTI: Është në kundërshtim me besimin tim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë