Sofja distancohet nga fyerjet e eurodeputetit bullgar ndaj maqedonasve

    Çdo deklaratë publike që fyen ose provokon palën tjetër është absolutisht e papranueshme, thuhet në komunikatën e ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, lidhur me një deklaratë të eurodeputetit bullgar, Angel Xhambaski, që në Shkup është vlerësuar si “provokim” dhe “fyerje e rëndë”.

    Xhambaski, më 18 tetor, përmes një video incizimi duke reaguar ndaj vendimit të autoriteteve maqedonase për miratimin e një ligji që ndalon regjistrimin e shoqatave kulturore që mbajnë emrat e personaliteteve të kontestueshme bullgare nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, tha se “bullgarët do të vendosin se kush jeni ju [maqedonasit]”, dhe se vendimi për ndalimin e shoqatave bullgare, sipas tij, synon mohimin e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut.

    Eurodeputeti bullgar gjithashtu kishte kritikuar kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski, lidhur me gjuhën maqedonase.

    “Kovaçevski pohon se gjuha maqedonase është origjinale, por maqedonizmi është një ideologji anti-bullgare, naziste, fashiste dhe bolshevike që ka për detyrë të zhdukë traditën, kulturën dhe historinë bullgare në Maqedoni. Është një identitet i rremë që është anti-bullgar. Ne bullgarët vendosim kush jeni, jo ti Dimitari, as Beogradi apo Kremlini. Maqedonia është bullgare dhe do të jetë e tillë”, kishte deklaruar Xhambaski.

    “Bullgaria gjithmonë ka kërkuar të forcojë dhe thellojë miqësinë dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore me Maqedoninë e Veriut. Bullgaria ka bërë shumë përpjekje për realizimin e këtij qëllimi gjatë viteve të fundit”, thuhet në deklaratën e MPJ-së bullgare.

    “Janë absolutisht të papranueshme deklaratat publike që fyejnë apo provokojnë palën tjetër dhe nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të shtetit bullgar”, vazhdon deklarata.

    Ky reagim i ministrisë së Jashtme të Bullgarisë vjen pas një note proteste që kishte marrë, më 19 tetor, nga ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut.

    “Qëndrimet e Xhambaskit shprehin pretendime irredentiste dhe territoriale ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe fyejnë rëndë reputacionin e përfaqësuesve të lartë shtetërorë të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në këtë notë proteste.

    Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, David Geer, në një konferencë me temën “Mundësitë për zgjerim”, nuk komentoi drejtpërdrejt polemikat lidhur me deklaratën e eurodeputetit bullgar, por tha se shtetet duhet të punojnë për kapërcimin e të gjitha mosmarrëveshjeve.

    Ai tha për se marrëdhëniet e mira mes fqinjëve janë kyçe në zhvillimin e raporteve në të gjitha sferat, por edhe në forcimin e paqes dhe stabilitetit.

    “Marrëdhëniet e mira mes fqinjëve janë pjesë thelbësore e Marrëveshjes së stabilizim asocimit, pasi BE-ja nuk do të shikojë importimin e çështjeve kontestuese në hapësirën e vet. Marrëdhëniet e mira mes fqinjëve janë kyçe në promovimin e prosperitetit, inovacionit, ndihmojnë në përmirësimin e lidhjeve, tregtinë dhe shkëmbimin e kapitalit njerëzor dhe investimeve. Ato janë thelbësore në sigurimin e stabilitetit dhe paqes dhe duke bërë këtë ne përmirësojnë potencialin e investimeve dhe prosperitetin përtej kufitar”, tha Geer.

    Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria besojnë të kenë kapërcyer dallimet për gjuhën dhe çështjet historike me marrëveshjen e fundit që ishte propozuar nga Franca, që i hapi rrugën heqjes së vetos bullgare për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

    Çështja që ende ka mbetur pa u përmbushur është ajo e ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë – si të barabartë me popujt e tjerë që jetojnë në Maqedoninë e Veriut./REL/

    Lajmi Paraprak

    VMRO-DPMNE kërkoi dorëheqjen e Arsovskës, reagon kryetarja e Qytetit të Shkupit

    Lajmi i rradhës

    Në Tetovë rritet interesimi për vaksinim kundër gripit sezonal

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë