Maqedonia, “kampione” për inflacion

    Vitin që e lamë pas e mbyllëm vitin me një inflacion mesatar prej 14.2 për qind. Kjo do të thotë se mesatarisht për të gjithë vitin, kostoja e jetesës është rritur për aq në krahasim me vitin 2021. Ekspertët e statistikave kanë njoftuar se kemi një ulje mujore të kostos së jetesës. Gjegjësisht, norma e inflacionit në muajin dhjetor në krahasim me nëntorin tregon rënie të kostove për 0.2 për qind. Megjithatë, ka ende një rritje prej 0.7 për qind të çmimeve me pakicë. Sipas të dhënave nga vendet e rajonit, pavarësisht lehtësimit të inflacionit në muajin dhjetor, përsëri ne jemi në vendin e parë sa i përket inflacionit të lartë në rajon.

    Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) publikon çdo muaj shpenzimet e jetesës, të dhëna që rrjedhin nga konsumi individual i klasifikuar. Derisa për momentin vetëm vendi ynë dhe Sllovenia, kanë publikuar të dhënat e çmimeve për muajin dhjetor dhe kanë bërë dallimin me çmimet e të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Sipas statistikave, vendi ynë gjatë dhjetorit ka pasur 18.7 për qind inflacion, në Slloveni ka vazhduar trendi i ulët i inflacionit me 10.3 për qind. Derisa vendet tjera të rajonit posedojnë vetëm të dhëna nga muaji nëntor dhe me inflacionin më të lartë pas nesh ka Mali i Zi me 17.5 për qind, Serbia me 15.1 për qind, Kroacia me 13.5 për qind dhe Kosova me 11.6 për qind.

    Një kontrollim i çmimeve të veçanta të konsumit sipas klasifikimeve, tregon se në vendin tonë në raport me vendet tjera, rritje më të madhe kanë shënuar çmimet në grupin e banimit, ujit, rrymës, gazit, lëndëve tjera djegëse si dhe në transport. Sa i përket shpenzimeve për banim, ujë, rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera, Maqedonia e Veriut ka shënuar rritje të çmimeve prej 20,4 për qind. Pas nesh është Serbia me një rritje prej 18.4 për qind, pastaj Kroacia me 16.5, Mali i Zi me 15.6 dhe Sllovenia me 13.3 për qind dhe Kosova me 10.2 për qind.

    Gjithashtu në rajon ka rritjen më të madhe në koston e transportit. Në Maqedoni në dhjetor ka pasur rritje vjetore të çmimeve të konsumit prej 16.1 për qind, ndërsa rritja vjetore e nëntorit në Mal të Zi ishte 13.5 për qind, në Kroaci 13.3 për qind, dhe në Serbi ishte 12.9 për qind Sllovenia 9,3 për qind dhe Kosova 8.5 për qind krahasuar me të njëjtën kohë të vitit 2021. Për sa i përket çmimeve të ushqimeve, Maqedonia është në një garë të ngushtë me Malin e Zi në këtë kohë të inflacionit të lartë.

    Kostoja e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Mal të Zi shënoi një rritje prej 30.2 për qind në nëntor 2022 krahasuar me nëntorin 2021. Por inflacioni i muajit nëntor i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Maqedoni ishte i ngjashëm dhe arriti në 29.8 për qind. Në muajin dhjetor kemi një ulje të këtyre kostove, por ato janë më të larta për 27.1 për qind krahasuar me dhjetorin 2021, që është ende një rritje e lartë. Sllovenia kishte inflacionin më të ulët të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, ku inflacioni vjetor në dhjetor ishte 18.6 për qind. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Komuna ka ndarë mbi katër milionë denarë për ngjarjet kulturore në Tetovë në vitin 2023

    Lajmi i rradhës

    Nga çfarë shqetësohet Qeveria në 2023?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë