Nga çfarë shqetësohet Qeveria në 2023?

    Fotografia: Nistori

    Kriza e kostos së jetesës dhe krizat e borxhit do të jenë dy nga preokupimet kryesore të Qeverisë për vitin 2023, sipas raportit të fundit të Forumit Ekonomik Global, që ka identifikuar rreziqet kryesore globale për vitin 2023, “Raporti i rreziqeve globale 2023”. Rreziku i tretë i radhitur nga drejtuesit ekzekutivë në Maqedoninë e Veriut është dëmi mjedisor i shkaktuar nga njeriu, i ndjekur nga rritja e shpejtë dhe /ose e qëndrueshme e inflacionit. Dhe si rrezik i pestë është shtangimi i zgjatur ekonomik. Studimi, një bashkëprodhim i konsulentëve Marsh McLennan dhe Zurich Insurance Group, mori parasysh pikëpamjet e më shumë se 1200 ekspertëve globalë të rrezikut, politikëbërësve dhe liderëve të industrisë.

    Shqetësimet e ngritura nga drejtuesit vendas në raportin e 2023 janë deri-diku të ngjashme me ato globale, ku mbizotëron “Kriza e furnizimit me energji”, që është e para, e ndjekur nga “Kriza e kostos së jetesës”, “Inflacioni në rritje”, “Kriza e furnizimit me ushqime” dhe “infrastruktura për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike”. Vitin e kaluar, ndonëse pandemia e Covid-19 ishte në kulmin e saj, sëmundjet infektive nuk bënin pjesë në shqetësimet e drejtuesve ekzekutivë, ku si preokupim i parë ishte “Dëmi mjedisor i shkaktuar nga njeriu”, “Dështimi i infrastrukturës publike” . “Krizat e borxhit në ekonomitë e mëdha”, “Stagnimi i zgjatur ekonomik”, si edhe “Pabarazia digjitale”.

    Kriza e kostos së jetesës do të jetë rreziku më i madh global gjatë dy viteve të ardhshme, paralajmëron Raporti. Inflacioni global mbetet në nivele të larta pasi kostot e energjisë dhe ushqimit u rritën vitin e kaluar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Kufizimet e furnizimit të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit kanë kontribuar gjithashtu në çmime më të larta të konsumit prej dekadash.

    “Konflikti dhe tensionet gjeoekonomike kanë shkaktuar një sërë rreziqesh të ndërlidhura globale. Këto përfshijnë vështirësitë e furnizimit me energji dhe ushqim, të cilat ka të ngjarë të vazhdojnë edhe për dy vitet e ardhshme, shoqëruar me rritje të madhe në koston e jetesës dhe shërbimi i borxhit…. Kriza të tilla rrezikojnë të minojnë përpjekjet për të trajtuar rreziqet afatgjata, veçanërisht ato që lidhen me ndryshimet klimatike, biodiversitetin dhe investimet në kapitalin njerëzor”, konstatojnë ekspertët. Raporti e përshkroi krizën e kostos së jetesës si “rrezikun më të madh në terma afatshkurtër” deri në vitin 2025, e ndjekur nga fatkeqësitë natyrore, ngjarjet ekstreme të motit dhe “përplasja gjeoekonomike”. Raporti u bëri thirrje “liderëve të veprojnë kolektivisht dhe me vendosmëri, duke balancuar pikëpamjet afatshkurtra dhe afatgjata”.

    Ky raport bazohet në Anketën e Perceptimit të Rreziqeve Globale (GRPS) që realizohet prej dy dekadash. Përgjigjet për anketimin u mblodhën nga 7 shtatori deri më 5 tetor 2022. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia, “kampione” për inflacion

    Lajmi i rradhës

    Partitë të mos “ndotin” edhe me populizëm

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë