Maqedonia kancerogjene, e para në Europë

    Maqedonia e Veriut është vendi i parë në Evropë me shkallën më të lartë të vdekshmërisë të parakohshme nga kanceri i shkaktuar nga faktorët mjedisor. Vendi më i ndotur, ku përqindja e vdekjeve nga kanceri për shkak të mjedisit të ndotur është shumë e lartë – 7,16 për qind. Sipas raportit të sapopublikuar të Agjencisë Evropiane për mjedisin disa nga vendet e Ballkanit dhe Turqia janë pozicionuar në listë si vendet më kritike, të ngjyrosura me blu të errët, ku përqindja e vdekjeve nga ambienti kancerogjen është mbi 6 për qind.

    Pas Maqedonisë, e dyta në Evropë është Mali i Zi me 7.13 për qind, Shqipëria 6.97 për qind, Bosnja dhe Hercegovina – 6.83, Serbia dhe Turqia, ndërsa për Kosovën nuk ka të dhëna, sepse nuk bën pjesë në këtë raport. E parë në përgjithësi të dhënat e vendosin mbarë kontinentin në një zonë shumë problematike.

    Konkretisht ndonëse Evropa ka 10% të popullsisë së botës, raporton 20 për qind të vdekjeve nga sëmundjet kanceroze. Shkaqet mjedisore që lidhen me kancerin janë ndotja e ajrit, përdorimi i duhanit të kategorisë së dytë dhe radiacioni. Vdekshmëria e lidhur me këtë lloj sëmundshmërie nga mjedisi ishte 5 për qind.

    “Në Evropë, kanceri është lloji më i përhapur i sëmundjeve jo të transmetueshme dhe shkaku i dytë më i zakonshëm i vdekjeve pas sëmundjeve të qarkullimit të gjakut. Duke shtuar kostot njerëzore të sëmundjes, kostot ekonomike të kancerit janë të mëdha, të vlerësuara në rreth 178 miliardë euro. Pothuajse jeta e çdo evropiani është e destinuar të ndikohet nga kanceri në një farë mënyre, qoftë ata vetë apo familja, miqtë apo komuniteti i tyre”, vërehet në Raport.

    Në të po ashtu thuhet se kanceri ndikon në jetën e shumë evropianëve, me afro 2.7 milionë pacientë të rinj të diagnostikuar dhe 1.3 milionë vdekje çdo vit në BE-27. Megjithëse Evropa përfaqëson më pak se 10% të popullsisë së botës, ajo raporton pothuajse 23% të rasteve të reja të kancerit dhe 20% të vdekjeve nga kanceri në mbarë botën.

    Sipas raportit tendencat në rënie të ekspozimit ndaj disa kancerogjenëve mjedisorë janë inkurajuese, por këto nuk janë të mjaftueshme dhe janë larg nga një tendencë e përgjithshme. Përveç kësaj, rastet e kancerit priren të pasqyrojnë ekspozimin e kaluar, kështu që tendencave në rënie të ekspozimit do të duhen vite për t’u përkthyer në ulje të incidencës së kancerit.  

    Prevalenca e lartë e kancerit në Evropë mund të shpjegohet nga një sërë shkaqesh dhe faktorësh, duke përfshirë stilin e jetës (veçanërisht duhanpirjen, konsumimin e alkoolit dhe dietën), plakjen dhe ekspozimin kronik ndaj disa ilaçeve, ndotësve dhe kancerogjenëve të tjerë profesionalë dhe mjedisorë. Një pjesë e konsiderueshme e kancereve në Evropë i atribuohen rreziqeve mjedisore dhe profesionale të parandalueshme. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Thaçi: Nëse nuk pranojmë propozimin francez, na pret ai rus

    Lajmi i rradhës

    Veturën në shtëpi, në det me autobus!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë