Maqedonia renditet e fundit në rajon sa i përket investimeve të huaja

    Pas rënies globale në disa vitet e fundit, si pasojë e pandemisë së Covid-19, investimet e huaja gradualisht po kthehen në Ballkanin Perëndimor. Thuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë regjistruar rritje të theksuar të investimeve të huaja gjatë 9 muajve të parë të vitit 2022, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Gjithsej mbi 6 miliardë euro kanë hyrë në formën e investimeve direkte në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Serbia kryeson listën me më së shumti investime të huaja në rajon, ndërsa Maqedonia renditet e fundit.

    Maqedonia e Veriut ka regjistruar 528 milionë euro investime të huaja gjatë 9 muajve të parë të këtij viti. Përkundër se renditet ndër të fundit në rajon, pas Serbisë, Shqipërisë, Malit të Zi e Kosovës, autoritetet në Maqedoninë e Veriut thonë se ky ishte viti më i mirë në 4 vitet e fundit sa u përket investimeve të huaja në vend. Edhe Kosova ka regjistruar një rritje prej mbi 43% të investimeve të huaja në 9 muajt e parë të këtij viti, krahasuar me 9 muajt e parë të vitit 2021. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, nga 390 milionë euro, sa ishin 9-mujorin e vitit të kaluar, këtë vit investimet e huaja kanë arritur shifrën mbi 560 milionë euro. Duke qenë tregu më i madh ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, është e pritshme që Serbia të renditet e para në listën rajonale të vendeve me më së shumti investime të huaja. Gjatë 9 muajve të parë të vitit 2022, në Serbi kanë hyrë 3 miliardë e 11 milionë euro si investime të huaja, gati gjysma e të gjitha investimeve në Ballkanin Perëndimor. Sidoqoftë, për dallim prej shumicës së vendeve të rajonit, në Serbi nuk është regjistruar rritje e rëndësishme e investimeve të huaja në krahasim me 9 muajt e parë të vitit 2021. Gjatë periudhës së njëjtë të vitit paraprak, në Serbi janë investuar 3 miliardë e 2 milionë euro.

    Në 9 muajt e parë të këtij viti, në Shqipëri kanë arritur rreth 984 milionë euro investime të huaja. Sipas Bankës Qendrore të Shqipërisë, kjo shifër është për rreth 35% më e lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kjo rritje mbështetet kryesisht në riinvestimin e fitimeve nga ndërmarrjet ekzistuese, ndërsa ardhja e kapitalit të ri nga jashtë është në rritje dukshëm më të ulët. Mali i Zi gjithashtu ka shënuar një rritje të rëndësishme prej 41% të investimeve të huaja direkte, krahasuar me 9-mujorin e parë të vitit 2021. Deri në shtator të këtij viti, investimet e huaja kanë arritur vlerën prej më shumë se 847 milionë euro.

    Ndonëse për Bosnjë e Hercegovinën nuk ka të dhëna për tremujorin e tretë të këtij viti, gjykuar nga trendi në 6 muajt e parë, ky vend qëndron më dobët në rajon sa u përket investimeve të huaja. Për 6 muaj, në Bosnjë e Hercegovinë kanë hyrë vetëm rreth 267 milionë euro kapital i huaj. Kjo shifër është për 30% më ulët krahasuar me 6 muajt e parë të vitit 2021, sipas Bankës Qendrore në Sarajevë, duke e bërë Bosnjë e Hercegovinën vendin e vetëm në rajon që shënon rënie në investimet e huaja krahasuar me një vit më parë. (TRTBalkan)

    Lajmi Paraprak

    NDOTJA E AJRIT | Nuredini: Kujdes me çka ngroheni

    Lajmi i rradhës

    Ulja e papunësisë në RMV vjen si rrjedhojë e ikjes së fuqisë punëtore jashtë vendit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë