Ulja e papunësisë në RMV vjen si rrjedhojë e ikjes së fuqisë punëtore jashtë vendit

    Maqedonia po shënon ulje të papunësisë në 14.3 për qind, tregojnë të dhënat e fundit të Entit të Statistikës. Kjo tregon ulje për 2.1 për qind të papunësi në raport me vitin 2020, por edhe ulje më të madhe në raport me shkallën e papunësisë prej 22.1 për qind në vitin 2017. Të dhënat statistikore tregojnë se në fund të muajit shtator në vend ka pasur 115.266 persona të papunë që është një përgjysmim i shifrave në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2017, kur janë regjistruar 211.363 të papunë.

    Në ndërkohë, në opinion me vite po zgjasin debatet lidhur me shkaqet e një ulje kaq të madhe të papunësisë. Ekspertët e ekonomisë thonë se ulja e papunësisë vjen si rrjedhojë e më shumë faktorëve, duke filluar nga ikja e fuqisë punëtore me punë të përhershme apo stinore jashtë vendit, nivelit të luhatshëm të ekonomisë informale dhe shifrave që vështirë mund të konstatohen të punëtorëve që nuk paraqiten, andaj edhe vështirë mund të kemi një pasqyrë më reale të papunëve, por edhe angazhimeve në vazhdimësi të qeverive të kaluara, por kësaj aktuale me planet aktive për punësim që po japin rezultatet e tyre.

    Eksperti ekonomik, Neritan Turkeshi, thotë se përkundër uljes së konsiderueshme të papunësisë, megjithatë gjatë shqyrtimit të saj duhet marrë parasysh se papunësia në nivel evropian është diku 6 për qind, ku Gjermania ka shkallë të papunësisë prej bile 3.1 për qind, ndërsa Çekia mund të mburret me papunësi prej 2 për qind, andaj mund të themi se akoma kemi papunësi të lartë.

    “Vështirë është të vlerësohet ulja e papunësisë kur e dimë se punëtorët po ikin jashtë, se kemi mungesë të fuqisë punëtore kur për çdo ditë nuk po përmbushen kërkesat e punëdhënësve për fuqi punëtore, dhe mbi të gjitha kemi rritje modeste ekonomike që në mesatare vështirë arrin edhe 3 për qind në dekadën e fundit, ndërsa për një punësim më të madh , ekonomia vendore duhet të realizojë rritje ekonomike prej 4 deri 5 për qind”, thekson Turkeshi. Sipas tij, ulja nën dhjetë për qind e papunësisë do të ishte sukses për shtetin ku për shembull Kroacia ka papunësi prej 6.5 për qind, Italia prej 7.8 për qind, Franca prej 7.1 për qind… Mirëpo, shton ai, në Bashkimin Evropian ekonomitë që kanë papunësi më të lartë janë Spanja me 12.5 për qind dhe Greqia me 11.6 për qind. Bullgaria mund të lëvdohet me papunësi prej 4 për qind dhe Rumania me papunësi prej 5.5 për qind.

    Njohësit e kësaj problematike thonë se në uljen e papunësisë kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë për të cilët pak flitet në opinion. Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë, thotë se në rezultatet e fundit të uljes së papunësisë ndikojnë edhe ikja e të rinjve jashtë shtetit dhe mos kërkesa e një vendi pune, për shkak se në numrin e të papunëve llogariten vetëm personat që kërkojnë punë në mënyrë aktive. Duke shtuar se të papunët e tjerë punojnë në të zezë, ose nuk anë interesim për punësim.

    Sipas tij, përskaj uljes së ekonomisë informale në të ardhmen nevojitet një vëmendje më e madhe ti kushtohet problemeve të harmonizimit të ofertës dhe kërkesë në tregun e punës apo kuadrove që dalin nga shkollat e mesme dhe fakultetet në vend. Ndryshe, vlerësohet se përskaj rikualifikimit dhe arsimit dual në shkollat e mesme, vendi nevojitet më shumë kujdes të bëjë për orientimin e nxënësve ndaj regjistrimit në shkollat përkatëse të mesme, por edhe në shkollat e larta. Sfidë mbetet edhe një bashkëpunim më i madh i fakulteteve dhe komunitetit të biznesit. /koha.mk/

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia renditet e fundit në rajon sa i përket investimeve të huaja

    Lajmi i rradhës

    Një Këshill për parandalimin e drogës në shkollat e Tetovës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë