Maqedonia, vendi i nëntë më i keq në Evropë për të qenë grua

    Foto Ilustruese

    Maqedonia është vendi nëntë më i keq në Evropë për të jetuar si grua, thonë të dhënat e Indeksit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë të vitit 2023. Sipas raportit të Euronews, Maqedonia e tejkalon për 1 vend Shqipërinë ndërsa është shumë para Kosovës. Ky indeks është krijuar nga Instituti i Oslos për Kërkime Paqeje (PRIO).

    Mediumi ka dhënë raport vetëm për Evropën, ku Maqedonia u rendit e 33-ta, ndërsa në ranglistën botërore Maqedonia qëndron në pozitën e 44. Në të dhëna janë matur përfshirja, drejtësia dhe siguria për gratë ndërsa janë përdorur 13 matës nga shkollimi deri te ligjet e punësimit e tek perceptimi për sigurinë dhe dhunën.

    Themeluesja e Qendrës për Mundësi të Barabarta – Mollëkuqja, Rita Behadini, njëherit edhe aktiviste e zëshme e të drejtave të grave në Maqedoni, ka thënë se edhe pse vendi po përparon me hapa të vegjël drejt përmirësimit të gjendjes së grave në shoqëri, ende kemi shumë punë për të bërë që të arrijmë që t’i kapim shtetet që kryesojnë në listë.

    “Maqedonia e Veriut ka bërë hapa të vegjël përpara drejt barazisë gjinore, gjithsesi deri sot gratë kanë paguar produktet menstruale si të mira luksi. Kjo domethënë që ndoshta e meritojmë vendin e 33, por kemi shumë rrugë për të lëvizur nga njëshi. Maqedonia ndryshoi shumë shpejtë ligjin për abortin, duke ju mundësuar grave edhe abortin me medikamente si dhe ka programe të caktuara për të përkrahur gratë sipërmarrëse. Vendi ynë ka dhe shumë iniciativa tjera që ndihmojnë rangimin në atë vend. Sidoqoftë, gratë në Maqedoni vazhdojnë të ngelin të diskriminuara në shumë nivele, ka dhe shumë punë për t’u bërë”, ka thënë Behadini.

    Nëntë nga dhjetë shtetet më të mira të botës për të qenë grua janë në Evropë. Danimarka i prin listës evropiane si dhe asaj botërore, me trefish më shumë pikë se Afganistani që renditet i fundit si vendi më i pasigurt në botë për të jetuar si grua. Pas Danimarkës, në renditje janë Zvicra dhe Suedia.

    Ukraina është e fundit në Evropë, nga 41 shtete, që performoi tejet ulët në sektorin e sigurisë, për shkak të luftës aktuale ndërsa menjëherë pas Ukrainës, si e dyta më e dobëta për sigurinë e grave renditet Kosova. Pikët e ulëta për Kosovën iu atribuuan shkollimit të dobët dhe nivelit të ulët të punësimit për gratë si dhe “niveleve shumë të larta” të vdekjeve të grave gjatë lindjeve. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Blegtorët dibranë të kënaqur me çmimin e djathit

    Lajmi i rradhës

    Petrovska: nuk po kërcënohet Maqedonia e Veriut nga askush

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë