Blegtorët dibranë të kënaqur me çmimin e djathit

    Këtë vit duke marrë parasysh kushtet klimatike, zbritja e kopeve të dhenve nga kullosat verore, nga ana e blegtorëve dibran filloi me vonesë dhe aktualisht pjesa dërmuese e kopeve të dhenve tanimë ka lënë kullosat verore. Këtë për gazetën KOHA e konfirmoi kryetari i shoqatës së blegtorëve “Dashi” në Dibër, Skënder Ame. Sipas tij koha stabile dhe e ngrohët ka ndikuar në vonesën e zbritjes së dhenve nga malet ku ata ishin gjatë sezonit veror

    Këto ditë mbi 90 për qind e bagëtisë së imët respektivisht dhenve ka lënë kullosat verore në malet Stogovë, Bistër, Korab etj dhe ata kanë arritur në periferinë e Dibrës si dhe në komunën rurale Qendër Zhupë. Në shoqatën të blegtorëve dibran “Dashi”, në të cilën marrin pjesë edhe blegtorët e komunës rurale Qendër Zhupë thonë se prezenca e dhenve në bjeshkët verore ka zgjatur dy javë më shumë pasi që kushtet atmosferike kanë qenë të përshtatshme që nuk ka patur nevojë që ata të zbresin më herët në viset e ulëta. Sipas shoqatës në rajonin e Dibrës, Zhupës dhe Rekës nga më shumë se 30 mijë dhen, deri tani kanë zbritur në viset e ulëta mbi 23 mijë.

    Kryetari i shoqatës “Dashi”, Skënder Ame për gazetën KOHA thotë se aktualisht blegtorët dibranë pritet që dhentë t’i vendosin në periferinë e qytetit dhe në disa fshatra në afërsisë të Dibrës. Ai shton se ka kushte të mira që dhentë të kalojnë dimrin në periferinë e qytetit dhe në disa fshatra.

    “Kemi patur bisedime me blegtorët në nivel të shoqatës dhe presim që pa probleme dhentë të vendosen në lokalitet ashtu siç ka qenë edhe viteve të tjera. Sa i takon komunës rurale Qendër Zhupë dhentë të blegtorëve të kësaj ane do të vendosen edhe gjatë dimrit do të jenë në fushën e Pellagonisë në afërsi të Manastirit”, thotë Ame.

    Në lidhje me kullosat verore kryetari i shoqatës potencon se gjatë sezonit veror ka patur një vegjetacion të pasur dhe dhentë kanë kaluar një sezon shumë të mirë. Në të gjithë bjeshkët ku kanë qenë të vendosur dhentë, kushtet kanë qenë shumë të mira në krahasim me vitet të tjera meqë tani pjesa më e madhe e objekteve ku vendosen punëtorët por edhe ku përgatitet djathi i bardh tradicional ka patur ndriçim pasi që paraprakisht janë vendosur panele voltaike me përkrahje të Ministrisë së Bujqësisë. Jam i bindur, thotë kryetari Ame, se të gjithë investimet që janë bërë në kullosat verore kanë dhënë rezultate shumë pozitive. Ai poashtu potencoi se investimet tani duhet të jenë në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës rrugore edhe atë nga institucionet kompetente.

    Në shoqatën të blegtorëve “Dashi”, kanë shprehur kënaqësi edhe nga çmimi i djathit të bardh tradicional dibran. Vlerësimi i tyre është se kualiteti i lartë i bjeshkëve drejtpërdrejt ka ndikuar në kualitetin e lartë të djathit. Sasitë të prodhuara të djathit të bardhë janë shitur pa probleme, kurse çmimi ka qenë për një kilogram 500 deri më 600 denarë. Blegtorët e kësaj ane thonë se gjatë sezonit dimëror kanë të sigurta ushqimin për kopetë e dhenve. Njëherit ata vlerësojnë se subvencionet që jep shteti për blegtorët ndikojnë shumë pozitivisht në rritjen e numrit të dhenve edhe pse brenda një dekade ka një ulje drastike të numrit të bagëtisë në pjesën më perëndimore të vendit.

    Lajmi Paraprak

    Amnistinë e presin mbi tre mijë amendamente!

    Lajmi i rradhës

    Maqedonia, vendi i nëntë më i keq në Evropë për të qenë grua

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë