“Masakrohen” pyjet në Dibër dhe Zhupë

    Në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë, territore të cilat menaxhon me pyjet ndërmarrja shtetërore “Pyjet e Maqedonisë”, vazhdon edhe më tej dukuria e prerjes jo legale të druve . Prerja e druve vazhdon vite me radhë, por këtë vit ka një përmasë më të madhe, thonë përfaqësuesit të njësisë “Stogovë” në Dibër. Kjo dukuri sidomos është prezente në pyje ku rëndë kontrollohen për shkak të terrenit nga ana e njësisë të mbrojtjes së pyjeve pranë ndërmarrjes “Stogovë” dhe policisë pyjore.

    Drejtori i njësisë “Stogovë” në Dibër Rami Lata, pohon se dukuria e prerjes ilegale të pyjeve për fat të keq vazhdon të jetë prezent.

    “Është një dukuri negative që dëmton pyjet por edhe ambientin jetësor si në komunën e Dibrës ashtu edhe në komunë Qendër Zhupë. Janë territore të cilat shumë rëndë kontrollohen për shkak të terreneve në të dy komunat. Angazhimi i grupit për mbrojtjen e pyjeve pranë ndërmarrjes tonë por edhe i policisë pyjore është i madh por normalisht disa herë pa sukses”, thotë drejtori Lata i cili shton se dëmtimet të pyjeve lënë pasoja të mëdha. Në lidhje me masat që ndërmerren nga ana e institucioneve kompetente për të dënuar prerësit jo legal të druve, drejtori Rami Lata thekson se në të gjithë rastet kur prerësit jo legal kapen në vendngjarje, ata dënohen në përputhje me ligjin. Policia pyjore është në kontinuitet së bashku me grupin tonë për mbrojtjen e pyjeve në terren, shton Lata.

    Por, duhet të theksojmë faktin se prerësit jolegal të pyjeve në pjesën më të madhe janë persona të familjeve të varfra me probleme radikale sociale. Biseduam me një nga personat të cilët përmenden në qytetin e Dibrës si prerës jolegal, i cili në prononcimin e tij dëshiroi të mbetej anonim. Ai thotë se nuk ka rrugëdalje tjetër përveç të siguroj dru për ngrohje në mënyrë jo ligjore. “Familja ime është 6 anëtarësh, jetojmë me një ndihmë sociale prej afro 6mijë denarë, dimri është në prag dhe dua apo s’dua, shpesh herë dëmtoj pyjet për të siguruar dru për ngrohje”, shprehet ai.

    Gjithashtu thotë se këtë “aktivitet” të tij e kryen më shumë se pesë vite. Nga ana tjetër mes atyre që janë dënuar kohëve të fundit ka edhe persona kryefamiljar të cilët thonë se çmimi i lartë i drurit për ngrohje i detyron të merren me prerje jo legale të drurit. Dukuria e prerjes ilegale e druve si në Dibër ashtu edhe në Zhupë bën dëmtime të mëdha. Prerja e druve bëhet pa kritere por njëherit drejtpërdrejt dëmton edhe mjedisin jetësor. /koha/

    Lajmi Paraprak

    FRIKË NGA SHTRENJTIMI PAS VITIT TË RI

    Lajmi i rradhës

    Si të kujdeseni për lëkurën gjatë vjeshtës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë