FRIKË NGA SHTRENJTIMI PAS VITIT TË RI

    Ekzekutivi pjesërisht ka plotësuar kërkesat e biznesit për rrymë më të lirë. Prej një dhjetorit pritet që kompanitë e sektorit të ushqimit të fitojnë rrymë më të lirë që do të pasqyrohet me dhjetë për qind në lirimin e prodhimeve ushqimore vendore.

    80 EURO MEGAVATI PËR USHQIMORET

    Në fillim të javës, ministri i Ekonomisë Kreshnik, Bekteshi bëri të ditur se në seancën qeveritare është miratuar miratuam një pako masash për furnizimin e pandërprerë me energji elektrike dhe zbutjen e rritjes së çmimeve të ushqimeve. “Siguruam energji elektrike më të lirë prej 80 euro për megavat orë për kompanitë që prodhojnë produktet ushqimore bazë të vajit ushqimor, bukës dhe produkteve të bukës, miellit, qumështit dhe produkteve të qumështit, industrisë së mishit“, theksoi Bekteshi. Sipas tij, ky çmim i energjisë elektrike që do të sigurohet nga Qeveria është me kosto më pak se 100 euro për megavat orë, që është dy herë më i ulët se çmimi në një treg të rregulluar. Është parashikuar që masa për subvencionimin e çmimit të energjisë elektrike për industrinë ushqimore të zgjasë deri në fund të muajit prill të vitit 2023. Sektori i biznesit përshëndet rrymën më të lirë për prodhimtarinë e ushqimit prej një dhjetorit, mirëpo shton se ajo duhet zgjeruar dhe kërkon edhe masa të tjera shtesë për biznesin për furnizim stabil dhe më të lirë me energji elektrike nga prodhimtaria vendore. Prodhuesit që do të fitojnë këtë ndihmë qeveritare në përgjithësi janë të kënaqur dhe besojnë se janë krijuar kushtet për uljen e çmimeve të produkteve finale. “Masa është pozitive, ndonëse kërkesat tona si industri kanë qenë që të ketë ndërhyrje qysh në nëntor të vitit të kaluar, kur filloi rritja e çmimeve. Por me siguri pritej rishikimi i buxhetit për të liruar mjete për këtë qëllim”, thotë Goran Malishiq, kryetar i Shoqatës së mullisëve dhe furrtarëve pranë Odës Ekonomike.

    PASQYRIMI I EFEKTEVE

    Sipas Malishiq, pas ndërmarrjes së hapit kryesor, tani pritet edhe pasqyrimi i efekteve që kërkojnë kohë të shikohen, pasi masat do të hyjë në fuqi pas një dhjetorit. Nga Lidhja e Odave ekonomike thonë se presin që çmimet e produkteve ushqimore bazë të jenë më të favorshme për konsumatorët për shkak të vendimit që kompanitë e që prodhojnë produkte ushqimore bazë të kenë çmime fikse të energjisë elektrike. Përskaj këtij hapi të mirë , ne edhe më tej presim edhe disa hapa të tjerë të përshtatshëm që do të mund të çonin më tej në një situatë ku çmimi i produkteve në periudhën e vështirë , të bjerë në një nivel edhe më të ulët, thotë Goran Gjorgievski, zëvendës kryetar i Lidhjes të Dhomave Ekonomike dhe kryetar i Odës së Agrobiznesit.

    TETO, JO RRYMË TË LIRË PËR BIZNESIN

    Në ndërkohë, nuk janë realizuar kërkesat e sektorit të biznesit që rryma e prodhuar nga termocentrali TETO në Shkup me çmim më të volitshëm nga bursa rrymës, të dedikohet për kompanitë private. Rryma nga ky kapacitet energjetik do të shitet në tregun e hapur prej nga mund të blihet nga kapacitetet vendore industriale. Sipas marrëveshjes së paralajmëruar, pritet që me Serbinë fqinje të këmbejmë gaz për rrymën që do ta prodhojë TETO, ku gjysma e rrymës së prodhuar do të shkojë për nevojat vendore, ndërsa gjysma tjetër e prodhimit do ti kthehet fqinjit verior. Nga ana tjetër, odat ekonomike disa muaj më parë së bashku me rritjen maksimale të prodhimit vendor të energjisë elektrike kanë kërkuar edhe masa të tjera për biznesin, që më lehtë të tejkalojë çmimet e rritura prej pesë deri në dhjetë herë të energjisë elektrike në varësi prej luhatjeve në bursat e rrymës.

    KËRKESAT E OEMVP

    Një prej kërkesave të cilën e kërkoi Oda ekonomike e Maqedonisë Veri perëndimore, ishte të miratohet një prag maksimal për çmimin e energjisë elektrike, në mënyrë që kompanitë të jenë në gjendje të planifikojnë dhe parashikojnë kostot me mjete të mjaftueshme të alokuara për mbulojnë kostot dhe i mbijetojnë periudhës sfiduese që pritet gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit. “Vendimi i fundit i Qeverisë që kompanive prodhuese të produkteve ushqimore bazë, ku bëjnë pjesë prodhuesit e vajit për ushqim, bukës dhe produkte të bukës, miellit, qumështit dhe produkteve të qumështit, industrisë së mishit t’ju sigurojë energji elektrike me çmim prej 80 euro për megavat, është një hap serioz drejt stabilizimit të tregut që do të mundësojë energji elektrike të qëndrueshme dhe më të lirë, gjë që do të ndikojë përfundimisht në stabilizimin e çmimeve të produkteve finale të prodhuara dhe të shitura nga këto kompani”, thonë nga OEMVP. Nga atje shtojnë se partneriteti i departamenteve ekonomike dhe qeverisë me biznesin është i domosdoshëm dhe është e vetmja rrugë për të siguruar zhvillimin social dhe ekonomik të vendit tonë, prandaj OEMVP pret nga qeveria që në këto masa të përfshijë edhe kompanitë tjera që janë ne tregun e lirë të energjisë elektrike.

    NDIHMË NGA SHKURTIMET NË BUXHET

    Në ndërkohë, sektori I biznesit mbetet i brengosur se sa do të rriten çmimet në bursë të energjisë që luhaten aktualisht prej 150 deri 250 euro. Çmimet aktuale janë të mira për kompanitë, mirëpo nevojitet që qeveria të kryejë një analizë thelbësore se cilat pjesë të ekonomisë do të kenë nevojë në rast të tronditjeve të mëdha në tregun e rrymës pas vitit të ri, vlerëson Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë. Nga Oda ekonomike e Maqedonisë thonë se sipas vlerësimeve të tyre, shteti posedon një hapësirë ​​të ngushtë manovrimi për mbështetjen financiare të rreth 1600 kompanive që janë në tregun e lirë të energjisë elektrike. Andaj sugjerohet të shqyrtohet mundësia e sigurimit të këtyre fondeve duke zvogëluar harxhimet joproduktive në buxhet. Këto kosto joproduktive mund të ripërdoren për të mbështetur kompanitë për të ruajtur vendet e punës dhe për të ruajtur konkurrencën e tyre në tregjet rajonale.

    MASAT TJERA

    Nga atje shtojë se kompanitë kanë nevojë për siguri dhe parashikueshmëri dhe kjo mund të sigurohet në këto kushte me disa gjëra. Nuk duhet të gënjehemi nga çmimi aktual i energjisë elektrike në bursë, sepse asnjë nga arsyet e rritjes së saj në të ardhmen nuk është eliminuar. Është e nevojshme nxjerrja e një numri të madh ligjesh që janë në procedurë parlamentare, të vilat janë me interes për biznesin dhe që mund të zvogëlojnë pasojat negative të krizës energjetike për kompanitë. Kërkohet edhe të shtyhet zbatimi i taksimit progresiv, i cili, në përputhje me rregulloren aktuale tatimore, duhet të hyjë në fuqi nga data 1, janar, 2023. Njëherësh oda më e madhe dhe më e vjetër ekonomike në vend, kërkon të gjenden mekanizma për miratimin e shpejtë të akteve nënligjore dhe akteve të tjera të nevojshme për shfrytëzimin e energjisë në një sistem nga termocentralet fotovoltaike tashmë të ndërtuara, i cili tani përdoret vetëm për nevoja vetjake. /koha/

    Lajmi Paraprak

    PESË VJET “SHTO DHE SHKURTO”! Hartimi i projektligjit për kulturë

    Lajmi i rradhës

    “Masakrohen” pyjet në Dibër dhe Zhupë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë