Mashtruesit në Pollog një hap para, ndryshojnë mënyrat e mashtrimit

    Ndër vite, ndryshimet e vrullshme teknologjike që vështirë të ndiqen nga qytetarët, në anën tjetër janë mashtruesit që gjithnjë ndryshojnë edhe mënyrat e veprimit. Nëse në të kaluarën, mashtruesit vepronin afër bankave, tregjeve dhe institucioneve tjera, duke mashtruar qytetarët në mënyrë direkte, tashmë këta mashtrime ndodhin përmes rrjeteve sociale. Por, edhe në këtë drejtim mashtruesit nga viti në vit ndryshojnë mënyrat e mashtrimit.

    Nëse viteve të kaluara, mashtrimet ndodhnin me rezervime të hoteleve dhe restoranteve për evenimente të ndryshme si seminare apo ahengje familjare, mashtrimet me lëndën djegëse peletë, tash në modë janë mashtrimet me shitjet online. Në një raport të policisë së Tetovës thuhet se në rajonin e Pollog. Brenda 70 ditëve të këtij viti janë regjistruar 11 mashtrime që kanë të bëjnë me blerjet online.

    “Në dy muaj e gjysmë të këtij viti në rajonin e Pollogut, janë raportuar gjithsej 11 mashtrime edhe atë në Tetovë 9 dhe dy në Gostivar të cilat kryesisht janë zbardhur plotësisht dhe autorët janë zbuluar, gjegjësisht janë identifikuar se kush janë, dhe do të rrumbullakohen me parashtresa përkatëse”, thotë zëdhënësi i SPB-Tetovë, Fatmir Rexhepi.

    Mashtruesit shpesh herë hapin faqe të ndryshme ku ofrojnë produkte dhe gjësende të ndryshme, kurse pas marrjes së parave i mbyllin faqet. Kjo e bën të rëndë edhe kapjen e autorëve. Përderisa mashtruesit gjithnjë janë në hap me kohën dhe një hap para të tjerëve, nga policia e Tetovës pohojnë se megjithatë arrijnë që të zbardhin këta vepra të mashtrimit përmes departamentit për krime kompjuterike dhe forenzikë.

    “Deri më tani të gjitha rastet e denoncuara janë zbardhur dhe rrumbullakuar me padi përkatëse. Nga ana tjetër, ne si sektor ballafaqohemi për çdo ditë, me raste të ndryshme, të cilët raportohen në SPB. Kështu që vet numri i zbardhjes së rasteve tregon atë se ia dalim mbanë me këtë vepër penale, e cila nga viti në vit ndryshon nga mënyra e mashtrimit prandaj edhe mashtruesit që të mos zbulohen ndryshojnë taktikat e veprimit dhe jo çdo herë përdorin taktikë të njëjtë”, deklaroi Rexhepi.

    Në anën tjetër, apelohet deri tek qytetarët që të jenë më të kujdesshëm kur paguajnë përmes kartelave bankare.

    “Sektori i Punëve të Brendshme-Tetovë, apelon dhe paralajmëron qytetarët e zonës Tetovë-Gostivar që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm në kontakte telefonike apo direkte me persona të panjohur, për qëllime afariste apo të tjera. SPB-Tetovë posaçërisht ju tregon që të shmangen kontaktet elektronike dhe porosive për shërbime ushqimore ose komerciale, të cilat kryesisht janë të rreme dhe përfundojnë me mashtrim dhe që përbëjnë vepër penale të dënueshme sipas nenit 247 të Kodit Penal”, apelojnë nga policia. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    MMPT: pushteti dhe opozita, çdoherë gjejnë gjuhë të përbashkët kur ‘kërcënohen’ nga listat e pavarura

    Lajmi i rradhës

    Askush nuk dëshiron të bëhet përmbarues në Dibër!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë