Mbi 170 euro për një poç elektrik

    Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, nisi të mërkurën publikimin e, siç tha, aferave korruptive të ish-kryetarëve të komunave të Maqedonisë së Veriut – kuadro të partisë tani në pushtet, Lidhjes Social Demokrate (LSDM).

    Nisma e opozitës maqedonase vjen tre muaj pas zgjedhjeve lokale, në të cilat VMRO-ja fitoi shumicën e komunave. Tani, kjo parti tha se “po zbulon skandalet në punën e ish-kryetarëve të komunave”.

    VMRO-DPMNE akuzon Velimir Smilevskin, ish-kryetarin e Butelit, një komune urbane të Shkupit, për shpërdorim të rreth 190 mijë eurove në një tender për ndriçimin rrugor në këtë komunë.

    Sipas VMRO-DPMNE-së, kjo komunë, tenderin që parashihte çmime të ulëta për disa prodhime për energji elektrike, ia kishte ndarë kompanisë “Previz” nga Shkupi, por në vend të çmimeve të ulëta, komuna, siç pretendon VMRO-ja, ka paguar çmime shumë të larta.

    Për shembull, për një poç elektrik që kushton 1.8 denar apo rreth 3 centë, ajo ka paguar 10,881 denarë, apo 176 euro. Sipas VMRO-së, çmimi i tenderit ka qenë 6,000 herë më i shtrenjtë sesa çmimi real.

    Pagesa të ngjashme, sipas kësaj partie, janë paguar edhe për prodhime tjera për ndriçimin rrugor.

    “Ka dyshime të bazuara dhe kemi fakte se pajisjet e shtrenjta gjithmonë kishin prioritet gjatë blerjes dhe në këtë rast, përveçse janë keqpërdorur tenderët, janë harxhuar edhe shuma të majme të parave për pasurimin e personave të caktuar”, tha Mile Letkov, deputet i VMRO-DPMNE-së.

    Ai kërkoi nga institucionet që të reagojnë lidhur me këtë rast, pasi, sipas tij, “bëhet fjalë për krim klasik, përmes të cilit, fondet e komunës shkojnë në llogari të kompanive private dhe për këtë duhet të ketë përgjegjësi penale”.

    “U bëjmë thirrje institucioneve përkatëse që ta hetojnë këtë tender. Prokuroria Publike të veprojë në bazë të autorizimeve të saj, kurse policia financiare të hetojë se ku kanë përfunduar paratë që janë derdhur në llogarinë e kompanive private. Bëhet fjalë për para të qytetarëve dhe llogari patjetër se duhet të ketë”, tha Letkov.

    Ish-kryetari i Komunës së Butelit, Velimir Smilevski, nuk i komentoi akuzat e opozitës, ndërsa nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit thanë për Radion Evropa e Lirë se do ta shqyrtojnë rastin, nëse VMRO-ja e dorëzon pretendimin e saj për shpërdorim të fondeve në këtë komunë.

    Bashkim Selmani, profesor i së drejtës penale në Universitetin e Tetovës, beson se pretendimet e publikuara nga VMRO-DPMNE-ja janë bazuar edhe në përgjime të bisedave telefonike, që, sipas tij, nënkupton se “kjo aferë do të vazhdojë të ekzistojë”.

    Edhe pse me ligj përgjimet janë të ndaluara, ato vazhdojnë të përdoren nga individë, parti e grupe tjera për interesa të ndryshme, thotë Selmani.

    “Këto materiale janë transferuar te grupe njerëzish, tek individë, kriminelë, parti politike dhe tani çdokush, në momente të caktuara, i shfrytëzon ato, sepse kjo aferë nuk ka marrë epilog gjyqësor, prandaj kjo duhej të trajtohej si vepër penale”.

    “Është një problem shumë i madh që mund të godasë edhe individë dhe të keqpërdoret, por edhe të ketë kërcënime të ndryshme mes individëve dhe funksionarëve të ndryshëm, partive e kështu me radhë”, thotë Selmani.

    Ajo që njihet si “aferë e përgjimeve” është publikuar për herë të parë në vitin 2013 nga lideri i atëhershëm i opozitës maqedonase, Zoran Zaev.

    Ai ka publikuar qindra biseda telefonike të zyrtarëve të Qeverisë, që atë kohë drejtohej nga Nikolla Gruevski. Me këto përgjime, opozita pretendonte për shpërdorime të shumta nga ana e pushtetit.

    Selmani thotë se tani që kjo bën VMRO-ja, është e pamoralshme, pasi në rast se posedon fakte për keqpërdorime, duhet t’i dorëzojë në organet gjyqësore dhe jo t’i publikojë, siç bënte LSDM-ja në vitin 2013.

    “Çdokush që posedon fakte për raste të tilla, së pari duhet t’i drejtohet gjykatës”, thekson Selmani.

    Lajmi Paraprak

    Rusia dhe rendi i ri botëror

    Lajmi i rradhës

    Britani e Madhe | Gratë, së shpejti në pushtet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë