Mbi 20 ditë pa ujë të sigurt në Gostivar, qytetarët humbin besimin tek institucionet

    Në dyert e kafeneve, si dhe sipër rubineteve në kuzhina, ka tabela që thonë se uji nuk duhet pirë | Foto: Samir Arifi

    Pothuajse një muaj pas vendosjes së ndalimit, uji nga ujësjellësi i Gostivarit ende nuk lejohet të pihet apo të përdoret për gatim. Zyrtarët thonë se rezultatet e analizave po përmirësohen, por raportet përfundimtare ende nuk janë publikuar, ndërsa banorët dëshmojnë për probleme shëndetësore, shpenzime shtesë dhe kushte jashtëzakonisht të vështira jetese, veçanërisht për të moshuarit, të sëmurët dhe personat me aftësi të kufizuara.

    Vapa përvëluese e gushtit mbizotëron në qendër të Gostivarit, ndërsa pothuajse në çdo cep shihen tabela me paralajmërime në maqedonisht dhe shqip: „Uji nuk është i përshtatshëm për t’u pirë“. Njëzet e shtatë ditë pas vendosjes së ndalimit, uji nga ujësjellësi i qytetit ende nuk lejohet të pihet apo të përdoret për gatim. Edhe pse çdo ditë merren mostra për analiza, rezultatet nuk bëhen publike.

    Në këtë qytet, edhe një gotë ujë është bërë burim frike. Ajo që për shumicën prej nesh është pjesë e rutinës së zakonshme, për banorët e Gostivarit është kthyer në një përballje të përditshme me rrezikun dhe pasigurinë: nëse do të sëmuren nga ushqimi i gatuar, nëse do t’u irritohet lëkura gjatë larjes apo nëse do t’u infektohen sytë kur lajnë fytyrën. Dhe e gjithë kjo ndodh në qytetin rrëzë Sharrit, pranë Vrutokut, burimit të Vardarit, lumit më të madh në vend, në mes të vapës së verës, kur nevoja për ujë të pastër është edhe më e madhe.

    Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, deri më 25 korrik rreth 4.000 qytetarë të Gostivarit kishin kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të simptomave të gastroenterokolitit, përkatësisht problemeve të rënda gastrointestinale. Qytetarët janë të revoltuar, të zemëruar dhe të zhgënjyer. Pas javësh të tëra me probleme shëndetësore, informacione kontradiktore dhe bartje të ujit deri në shtëpi, besimi tek institucionet është dëmtuar seriozisht. Për të moshuarit, të sëmurët, personat në gjendje të rëndë sociale dhe ata që nuk mund ta sigurojnë vetë ujin, kriza është edhe më e rëndë.

    Ekipi i Metës u ndal pranë një çezme publike në afërsi të Komunës, ku ekipet e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) po merrnin mostra për analiza kimike dhe mikrobiologjike. Një taksist nga vendqëndrimi aty pranë paralajmëroi:

    „Kini kujdes, mos i lani duart dhe mos pini nga ai ujë.“

    Më 11 gusht, pak para mesditës, në parkingun e Spitalit „Ferid Murat“, një nga shtatë pikat e përcaktuara fillimisht për shpërndarjen e ujit për qytetarët, ekipi i Metës nuk gjeti as cisternë dhe as ujë të ambalazhuar. Nuk ka as orar të publikuar se kur dhe sa ujë shpërndahet në secilën pikë.

    Laheshim me ujë të ngrohur në shishe plastike

    Gordana Strashevska, profesoreshë e gjuhës maqedonase, thotë se banorët janë detyruar ta ndryshojnë tërësisht mënyrën e jetesës. E zhgënjyer, ajo thotë se ajo që u ka ndodhur banorëve të Gostivarit gjatë javëve të fundit është e tmerrshme.

    „Sot, në shekullin XXI, po pimë ujë në kushte të paimagjinueshme. Nuk bëhet fjalë vetëm për ujë të ndotur, por për ujë plotësisht të kontaminuar dhe nuk e dimë se kur do të zgjidhet problemi. Revolta te banorët e Gostivarit është e madhe. Njeriu mësohet me gjithçka dhe ne përshtatemi sepse duhet, por revolta është e madhe, sepse ajo që ndodhi u shkaktua nga faktori njeri dhe jo nga ndonjë fatkeqësi natyrore apo katastrofë tjetër“, thotë Strashevska.

    Ajo nuk mund ta besojë se Gostivari, qyteti rrëzë Sharrit dhe pranë Vrutokut, i njohur për ujin e pastër të burimeve, sot po përballet me një situatë të tillë. Sipas saj, në fillim ishte edhe më e vështirë: laheshin me ujë nga shishet plastike, të cilin e ngrohnin në diell, ose shkonin në fshatrat përreth për të siguruar ujë.

    „Qyteti është zbrazur plotësisht. Shkonim në çezmat përreth për të mbushur ujë dhe më pas gatuanim me ujin që e mbanim në enë plastike. Është e vështirë, sepse jashtë janë 40 gradë dhe nevoja për ujë është e madhe. Po ia dalim, por është shumë e vështirë“, thotë Strashevska.

    Sipas saj, e vetmja mënyrë për ta rikthyer besimin tek institucionet është që dikush të mbajë përgjegjësi, por përgjegjësinë ta mbajnë ata që vërtet janë përgjegjës dhe jo dikush që do të shërbejë si dëm kolateral.

    „Kjo është e vetmja mënyrë për ta rikthyer besimin tek institucionet. Ne nuk besojmë më në asgjë. Edhe kur të na thonë se uji është i sigurt për përdorim, nuk do ta besojmë. Kemi arritur në pikën që nuk u besojmë më deklaratave të institucioneve“, thotë Strashevska.

    Sipas saj, e vetmja rrethanë lehtësuese është se kriza po ndodh gjatë pushimeve verore dhe nxënësit janë në shtëpi. Nëse problemi nuk zgjidhet deri më 1 shtator, ajo paralajmëron se atëherë do të fillojnë problemet e vërteta.

    Më e vështira për të moshuarit dhe të sëmurët

    Meta vizitoi çiftin Ajredin dhe Jelena Qazimi. Ajredini është i verbër dhe person me aftësi të kufizuara, ndërsa për të kujdeset bashkëshortja e tij, e cila është edhe asistentja e tij. Kryqi i Kuq i Gostivarit u ofron ndihmë.

    „Tani nuk kam zgjidhje tjetër dhe lahem me ujë nga çezma. Burri im nuk lëviz fare dhe as nuk flet. Është shumë e vështirë ta ruajmë higjienën, përveçse me peceta të lagura. Kur piva ujë nga çezma, u sëmura. Volla për dhjetë ditë dhe për katër ditë isha e shtrirë; fjalë për fjalë nuk mund të ngrihesha nga shtrati. Është shumë e vështirë për ne, bir“, thotë Jelena me lot në sy.

    Biljana Belovinova nga shoqata „Kur je në telashe“ ka organizuar disa aksione për dhurimin e ujit për qytetarët në gjendje të rëndë sociale dhe për personat që jetojnë në katet e sipërme të ndërtesave.

    „Qytetarët në gjendje të rëndë sociale mezi ia dalin. Tani imagjinoni se duhet të shpenzojnë para edhe për ujë. Nuk është e lehtë dhe pikat ku shpërndahet uji shpesh nuk janë lehtësisht të arritshme për ta“, thotë Belovinova.

    Ajo shton se janë përpjekur t’ua dërgojnë ujin drejtpërdrejt në shtëpi sa më shumë qytetarëve në nevojë, sepse ishte e rëndësishme që njerëzit më të cenueshëm të merrnin të paktën një lloj mbështetjeje.

    „Nuk donim që askush të harrohej, sepse nuk është e lehtë të mbetesh pa ujë në këto temperatura“, thotë Belovinova.

    Ajo beson se mosbesimi do të mbetet edhe pasi ndalimi të hiqet zyrtarisht.

    „Mendoj se edhe kur të na thonë se uji është i pijshëm, banorët e Gostivarit nuk do ta pinë derisa të binden plotësisht se është i sigurt. Ajo që ndodhi është e tmerrshme dhe njerëzit kanë frikë“, thotë Belovinova.

    „E dinim se diçka nuk ishte në rregull me ujin“

    Pensionisti Niazi Xhelili thotë se ndryshimin në ujë e kishte vërejtur që në qershor.

    „Kur e pinim, kishte një ndjesi vajore dhe ngjitej në gojë. E dinim se diçka nuk ishte në rregull, por nuk e dinim arsyen“, thotë Xhelili.

    Në atë kohë, shton ai, banorët nuk e dinin se pompat po fusnin ujë të ndotur në sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm.

    „Si të mos jemi të zemëruar dhe të zhgënjyer? Jemi në shekullin XXI. Kjo është e pabesueshme, duke pasur parasysh se Gostivari ka ujë burimi dhe një nga ujërat më të mira në Maqedoni. Si mund ta bëjë dikush një gjë të tillë dhe në çfarë mënyre, nuk e di. Kjo është katastrofë“, thotë Xhelili.

    Ai shton se është çnjerëzore që mijëra njerëz të sëmuren. Sipas tij, bëhet fjalë për qytetarë me paga dhe pensione të ulëta, të cilët janë detyruar të shpenzojnë para edhe për trajtim.

    „Si është e mundur që institucionet shtetërore dhe inspektorët sanitarë ta lënë Gostivarin kështu për një muaj të tërë? Ata paguhen për punën e tyre. Ku është përgjegjësia? Njerëzit që i instaluan pompat në zonat e ndotura, ata që urdhëruan instalimin e tyre dhe inspektorët përgjegjës për analizimin e ujit duhet të mbajnë përgjegjësi“, thotë Xhelili.

    Ai shpreh mirënjohje për ujin e siguruar nga donatorët, por paralajmëron se pikat e shpërndarjes nuk janë zgjidhje për të gjithë.

    „Jo të gjithë mund të marrin ujë në një orar të caktuar për shkak të detyrimeve familjare. Të rinjtë janë larguar dhe nuk ka kush t’u sjellë ujë të moshuarve. Njerëzit detyrohen t’i bartin vetë shishet deri në shtëpi. Është e pamundur të funksionosh pa ujë teknik dhe pa sasi të mjaftueshme të ujit të sigurt për pije, gatim dhe higjienë“, thotë ai.

    Shtabi i krizës: analizat e fundit tregojnë për përmirësim

    Zudi Xhelili, koordinator i Shtabit lokal të krizës, anëtar i Shtabit Qendror të Krizës dhe punonjës i Komunës së Gostivarit, pohon se analizat e fundit mikrobiologjike kanë qenë të mira dhe se devijimi i mbetur lidhej me klorin e tretur, përqendrimi i të cilit ishte rritur më herët për shkak të dezinfektimit intensiv.

    „Tri matjet e fundit të klorit në ujë kanë treguar rezultate të mira dhe parametrat tregojnë se klori i tretur në ujë është brenda kufijve të lejuar sipas standardeve. Kishte disa mospërputhje ndërmjet deklaratave të ministrit të Punëve të Brendshme, Toshkovski, dhe përfaqësuesit të Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angelov, lidhur me përdorimin e ujit për qëllime teknike, por ato u tejkaluan. Nga momenti kur u njoftua se uji ishte i sigurt për përdorim teknik, nuk kishte më dilema. Nga aspekti bakteriologjik, gjendja e ujit ishte stabilizuar. Më pas u intensifikua pastrimi dhe dezinfektimi me klor, ndërsa më vonë edhe sasia e klorit u normalizua“, thotë Xhelili.

    Megjithatë, deri në momentin e publikimit të artikullit, ndalimi për pirjen e ujit dhe përdorimin e tij për përgatitjen e ushqimit nuk ishte hequr. Xhelili nuk tregoi datat dhe pikat e matjes nga të cilat ishin marrë rezultatet të cilave u referohej, ndërsa Metës nuk iu vunë në dispozicion as raportet laboratorike.

    Zoran Madzoski, gazetar me përvojë dhe banor i Gostivarit, thotë se kriza ka rihapur çështjen e mungesës së një stacioni filtrimi, presionit të pamjaftueshëm në rrjet dhe projekteve të papërfunduara infrastrukturore.

    „Paradoksi është i madh: kemi ujë burimi, por nuk kemi stacion filtrimi, ndërsa me zgjerimin e qytetit përballemi edhe me mungesë të presionit të mjaftueshëm në rrjet. Të gjitha këto së bashku kontribuojnë në problemet me të cilat po përballemi sot. Projektet e nisura duhet të përfundojnë. Duhet të kemi presion të mjaftueshëm në rrjet dhe Gostivari më në fund duhet të ketë një stacion filtrimi“, thotë Madzoski.

    Sipas tij, hetimi duhet të arrijë deri tek personat që morën vendimin për futjen e ujit të ndotur në sistemin e ujësjellësit.

    „Nuk i di të gjitha rrethanat, por përgjegjësi duhet të kërkohet nga secili që ka qenë përgjegjës dhe që ka vendosur, në mënyrë kaq të papërgjegjshme, të fusë në sistem ujë për të cilin dihej se ishte i kontaminuar“, shton ai.

    Ndalimi në fuqi që nga 17 korriku

    Më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë vendosi ndalim për përdorimin e ujit të pijshëm në Gostivar, pasi u zbuluan pompa që fusnin drejtpërdrejt ujë të ndotur në sistemin e furnizimit me ujë. Inspektorët e Agjencisë dolën në terren së bashku me policinë pas rritjes së numrit të raportimeve nga qytetarët për probleme gastrointestinale.

    Disa ditë më vonë, më 20 korrik, drejtoresha e Ndërmarrjes Publike „Komunalec“ në Gostivar dhe dy punonjës të tjerë u ndaluan, ndërsa ndaj tyre u hap hetim lidhur me ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se, përmes veprimeve të tyre, kanë bërë që uji i pijshëm në sistemin që furnizon Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth të bëhej i papërdorshëm.

    Sipas dyshimeve të Prokurorisë, më 25 qershor tre të dyshuarit u kishin urdhëruar punonjësve të ndërmarrjes të instalonin tri pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor, pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm, me qëllim testimin e presionit në rrjet. Uji në kanal përmbante substanca të dëmshme.

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit dhe, megjithëse rezultatet e analizave ishin gati, Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve, Prokuroria Publike publikoi rezultatet, sipas të cilave uji në Gostivar ishte jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej.

    Analizat e mostrave të publikuara nga Prokuroria u referohen tri pikave të ndryshme të matjes:

    • Në ujin sipërfaqësor nga kanali i hapur u matën 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa maksimumi i lejuar ishte 50 cfu/100 ml;
    • Në mostrën nga një burim i kaptuar u gjetën 39 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa vlera referente ishte 0;
    • Në një mostër të marrë nga një rubinet në rrugën JNA u mat klor rezidual prej 1,1 mg/l, mbi kufirin e lejuar të përcaktuar në njoftimin e Prokurorisë.

    Më 21 korrik, Qeveria shpalli gjendje krize për 30 ditë, duke vlerësuar se pushteti lokal nuk mund ta përballonte situatën i vetëm. Më 27 korrik u njoftua se uji mund të përdorej për qëllime teknike, por ndalimi për pirje dhe gatim mbeti në fuqi.

    Më pas pasuan mesazhe të tjera kontradiktore. Më 4 gusht, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim njoftoi se në ujin e Gostivarit ishte zbuluar Pseudomonas aeruginosa, bakter që mund të shkaktojë infeksione të lëkurës, syve dhe veshëve, ndërsa institucione të tjera kompetente siguronin se uji mund të përdorej për larje.

    Më 11 gusht, autoritetet deklaruan se rezultatet mikrobiologjike prej një kohe ishin të mira dhe se çështja e nivelit të klorit ende po ndiqej. Megjithatë, ndalimi për pirjen e ujit dhe përdorimin e tij për gatim mbetet në fuqi.

    Deri në publikimin e këtij teksti, institucionet nuk kishin publikuar raportet e plota laboratorike me datat e analizave, pikat e marrjes së mostrave dhe të gjitha vlerat e konstatuara.

    Pikërisht mungesa e kësaj transparence vazhdon ta ushqejë mosbesimin e banorëve të Gostivarit ndaj institucioneve.

    Lajmi Paraprak

    Uji i Ibrit, si armë për presion politik në Ballkan

    Lajmi i rradhës

    ORBP sjell koncert simfonik në “Skenën e Muzikës Serioze Shqiptare” më 19 gusht në Shkup

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë