Sektori i turizmit në Maqedoninë e Veriut po shënon rritje në kulmin e sezonit veror. Vetëm gjatë muajit korrik, vendin e vizituan më shumë se 223 mijë turistë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtij muaji u regjistruan 223,711 turistë, të cilët realizuan gjithsej 795,083 netqëndrime, përcjell Nistori.
Krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, numri i turistëve u rrit me 6.6 për qind, ndërsa numri i netqëndrimeve u rrit me 3.2 për qind.
Rritje më e theksuar u regjistrua te turistët e huaj. Numri i netqëndrimeve të tyre u rrit me 9.8 për qind, çka tregon se Maqedonia e Veriut po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga jashtë.
Në korrik, numrin më të madh të turistëve të huaj e përbënin ata nga Turqia. Gjithsej 50,955 turistë turq vizituan vendin, duke e bërë Turqinë një nga tregjet më të rëndësishme për sektorin vendas të turizmit.
Pas tyre renditen turistët nga Serbia, Gjermania dhe Rumania.
Të dhënat tregojnë se sezoni veror vazhdon me rezultate pozitive, veçanërisht sa i përket turizmit të huaj, i cili po zë një pjesë gjithnjë e më të madhe në numrin e përgjithshëm të turistëve dhe netqëndrimeve në vend.
Rritja e numrit të turistëve të huaj është e rëndësishme edhe për ekonominë në përgjithësi, pasi fluksi më i madh turistik sjell rritje të konsumit në gastronomi, akomodim, transport dhe tregtinë lokale.






