“Formoni menjëherë Komisionin Hetimor për Koçanin, nëse nuk keni asgjë për të fshehur” – ky është mesazhi që prindërit e fëmijëve që humbën jetën në diskotekën “Pulse” ua kanë drejtuar pushtetit dhe opozitës në Kuvend, nëntë muaj pasi deputetët votuan unanimisht për formimin e një komisioni hetimor për tragjedinë. Që atëherë, me arsyetime të ndryshme, si Hristijan Mickoski, ashtu edhe Venko Filipçe, sipas prindërve, e kanë penguar funksionalizimin e tij. Shoqata e prindërve deklaroi për TV 24 se çdo vonesë e mëtejshme e Komisionit Hetimor për tragjedinë në “Pulse” është e papranueshme, përcjell Nistori.
Shoqata e qytetarëve “16 Mars 2025 – Koçani” kërkon që institucionet dhe partitë politike të caktojnë publikisht një afat konkret për formimin dhe fillimin e punës së Komisionit.
“Familjet nuk kanë më nevojë për fjalë, kanë nevojë për veprime. Shpallni publikisht një afat konkret se kur do të formohet Komisioni dhe kur do të fillojë punën. Fëmijët tanë nuk ishin politikanë. Ata ishin të rinj që dolën për t’u argëtuar dhe duhej të ktheheshin në shtëpi. 63 prej tyre nuk u kthyen. Hapini pyetjet për publikun. Nëse nuk ka asgjë për të fshehur, pse ende nuk ka Komision Hetimor? E vërteta nuk duhet të varet nga një marrëveshje politike dhe as përgjegjësia nuk duhet të ketë ngjyrë partiake. Ua kemi borxh këtë fëmijëve tanë, të mbijetuarve dhe çdo fëmije që nesër do të hyjë në një ndërtesë publike me besimin se shteti e ka bërë punën e vet. 16 Marsi nuk duhet të përsëritet kurrë. Formoni Komisionin Hetimor. Tani”, thuhet në reagimin e Shoqatës.
Prindërit ua kujtojnë të gjithë deputetëve se Komisioni Hetimor nuk është gjykatë, por se detyra e tij duhet të jetë hetimi i dështimeve të sistemit dhe përcaktimi i përgjegjësisë politike.
“Kush e dinte? Kush kontrollonte? Kush kishte kompetenca dhe nuk veproi? Si ishte e mundur që, për vite me radhë, institucionet të mos i parandalonin dështimet që sot janë objekt shqyrtimi? Sistemi nuk është një koncept abstrakt. Ai përbëhet nga institucione, ndërsa institucionet drejtohen nga njerëz me emër, mbiemër, funksion dhe përgjegjësi”, thekson Shoqata e qytetarëve “16 Mars 2025 – Koçani”.
Ndërsa prindërit e 63 të rinjve që humbën jetën këmbëngulin që, siç thonë ata, politikanët të mos i ikin së vërtetës, Mickoski dhe Filipçe, edhe nëntë muaj më vonë, vazhdojnë me të njëjtat arsyetime se pse Komisioni ende nuk është funksional, pa ndërmarrë hapa konkretë për vënien e tij në funksion.
Kreu i opozitës, Venko Filipçe, e ka ndryshuar disa herë qëndrimin gjatë këtyre nëntë muajve. Pasi fillimisht deklaroi publikisht se LSDM-ja do t’i emëronte menjëherë anëtarët e saj, më pas tha se po priste që kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, t’i dërgonte një shkresë zyrtare. Filipçe e përsëriti këtë qëndrim edhe kur u pyet nga TV 24.
Ndërkohë, Mickoski vazhdon t’u referohet përfundimeve nga Komisioni i Përhershëm Anketues, i udhëhequr nga Dimitar Apasiev, me arsyetimin se nuk duhet të ketë dy komisione që do të diskutojnë paralelisht për tragjedinë në Koçan. Edhe pas nëntë muajsh, qëndrimi i tij mbetet i njëjtë ndaj pyetjes së TV 24 se pse Komisioni Hetimor ende nuk ka filluar punën.
Nuk ka as përgjigje zyrtare nga Levica se kur Dimitar Apasiev do ta caktojë mbledhjen e Komisionit të Përhershëm Anketues. Deri më tani, nga kjo parti kanë deklaruar se po përpiqen të arrijnë marrëveshje me VMRO-DPMNE-në, e cila ka përfundimet e veta. Jozyrtarisht, sipas burimeve të TV 24, është planifikuar një takim me prindërit, pas të cilit Apasiev pritet ta caktojë mbledhjen e Komisionit.
Çështja e Komisionit Hetimor nuk është në fokus as të BDI-së dhe as të VLEN-it.
Përveç tragjedisë në Koçan, Komisioni Hetimor duhet të trajtojë edhe zjarrin në Spitalin Modular të Tetovës, ku humbën jetën 14 persona; aksidentin në Llaskarcë, ku humbën jetën 16 persona; si dhe aksidentin e autobusit në Bullgari, ku humbën jetën 45 persona.
Si Mickoski, ashtu edhe Filipçe, gjatë nëntë muajve të fundit kanë pohuar se nuk kanë asgjë për t’u frikësuar nga puna e një komisioni të tillë.
Ndërsa prindërit vazhdojnë të presin veprime nga politikanët, në disa nga rastet që duhet të trajtohen nga Komisioni kanë ndodhur zhvillime të rëndësishme. Prokuroria ka mbyllur hetimin lidhur me prokurimet, tenderët dhe materialet për spitalet modulare, ndërsa Gjykata Supreme e ka kthyer në rigjykim rastin “Llaskarca”. Në të njëjtën kohë, pronari i diskotekës “Pulse”, Dejan Jovanov – Deko, mund të lirohet nga paraburgimi.






