Mbi dy milionë denarë do t’i kushtojë shtetit përsëritja e zgjedhjeve lokale në Qendër Zhupë

    Foto: Nistori

    Mbi 46 mijë euro për zgjedhjet në Qendër Zhupë, për më pak se 2 mijë votues që besohet se jetojnë akoma në këtë komunë. Këto janë mjetet e ndara nga buxheti për zgjedhjet lokale të 17 prillit.

    Prej tyre, mbi 26 mijë euro janë mjete të parapara të shfrytëzohen për reklamim të paguar politik megjithëse nga KSHZ-ja thonë se jo domosdoshmërish do të shfrytëzohen të gjitha.

    “Ne si KSHZ kemi bërë plan financiar të cilin propozoj sot ta miratojmë vetëm për komunën Qendër Zhupë. Vlera është 2 milion e 855 mijë denarë. Pjesa më e madhe e mjeteve në këto zgjedhje në bazë të nenit 75gj dhe 76d, diku 1 milion 641 mijë denarë, do të shfrytëzohen për reklamim politik kurse pjesa tjetër për organizim dhe realizim të zgjedhjeve”, tha Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ-së.

    KSHZ-ja do të kthejë në buxhetin e shtetit mjetet e parapara për zgjedhjet në Mavrovë dhe Rostushë të cilat, edhe pse ishte paraparë të mbahen njëkohësisht me zgjedhjet në Qendër Zhupë, dështuan për shkak se kandidatët u tërhoqën.

    Më 17 tetor në Qendër Zhupë votuan vetëm 1886 persona nga gjithsej 7317 të regjistruar në listën zgjedhore. Kjo d.m.th. se nuk u përmbush censusi që të votojnë të paktën 1/3 e votuesve të regjistruar në listë. Që zgjedhjet të jenë të suksesshme duhet të dalin të paktën 2439 votues. Edhe në garën e 17 prillit përballen të njëjtët kandidatë si gjashtë muaj më parë, Arijan Ibraim dhe Shain Shaqir.

    Qendër Zhupë – zgjedhjet e 17 tetorit:

    Gjithsej vota – 1886

    Arijan Ibraim (Partia Demokratike Turke)– 1342 vota

    Shain Shaqir (Lëvizja për Bashkim Kombëtar të Turqve) – 482 vota

    Të pavlefshme – 62 vota

    Vota të nevojshme për censusin ligjor – 2439

    Qendra Zhupë nuk është komuna me më pak votues të regjistruar në vend por për shkak të migrimit, rreziku është i lartë që dështimi të përsëritet më 17 prill. Këtë ditë më parë e tha për Alsat edhe njëri nga kandidatët ose i besueshmi i qeverisë për menaxhimin e Komunës deri në zgjedhjet e reja. Ai madje kërkoi uljen e censusit ligjor.

    “…Duhet të vijnë nga Italia për një votë dhe sërish ka rrezik, të njëjtat zgjedhje të jenë të (pa)suksesshme”, tha Arijan Ibrahim-Kryetar i Komunës Qendër Zhupa.

    Alsat prej ditësh ka dërguar pyetje në Qeveri, cila është zgjidhja për shmangien e shpenzimeve në rastet e këtilla, gjegjësisht nëse riorganizimi territorial dhe bashkimi i komunave me më pak votues me komunat më të afërta është opsion që do të shqyrtohet. Pavarësisht këmbënguljes tonë, deri tani nuk morëm përgjigje. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Rriten çmimet e banesave për 30 për qind

    Lajmi i rradhës

    VMRO-DPMNE akuzon se masat anti krizë të Qeverisë janë vetëm për në letër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë