Mbi tetë mijë nxënës shqiptarë në Tetovë pa sallë sporti

    Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk tregon se sa salla sportive janë planifikuar të ndërtohen në Komunën e Tetovës. Edhe pse kemi dërguar pyetje deri tek dikasteri i Arsimit, akoma nuk ka një përgjigje. Nga ana tjetër, mësimdhënësit janë të revoltuar me diskriminimin që u bëhet shkollave fillore në qytetin e Tetovës. Sipas arsimtarit Satki Ismaili, janë më shumë se 8 mijë nxënës në pesë shkolla fillore brenda në qytet që nuk kanë sallë sporti.

    “Si ndjehen personat, të cilët janë përgjegjës për çështjet arsimore e ku fëmijët e tyre për pesë ose gjashtë muaj janë të detyruar të mos realizojnë aktivitete sportive ose të presin një kohë të mirë me kokën lart nga qielli nëse ka diell apo koha është me shi, të luajnë në baltë, të luajnë në korridore dhe të mbajnë orën e edukatës fizike në klasa. Si do të mburremi me atë se si realizohen plan programet në arsimin fizik të nxënësve. Janë shkolla që kanë mbi një mijë nxënës dhe nëse janë gjashtë shkolla, atëherë i bie që mbi tetë mijë nxënës janë pa sallë sporti vetëm në qytetin e Tetovës”, thotë Satki Ismaili, mësimdhënës.

    Ai shprehet se edhe partitë politike tashmë nuk e kanë në prioritet këtë problem për nxënësit, të cilëve u mungojnë kushtet elementare për mbajtjen e orës së mësimit.

    “Dëgjojmë se do të fillojë fushata zgjedhore. Cila parti ka të ndërtuar strategji ose të themi premton diçka, ose të ngrit zërin me atë se çka do të bëjë brenda katër viteve. Unë këtë nuk e dëgjoj kohëve të fundit, asnjë nuk kam dëgjuar për çështjen e sallave. Salla ndërtohen në shumë vende rurale, por ne nuk duhet të jemi të prirur të diskriminojmë – bëhet fjalë për qytet ose fshat, të gjithë duhet të kenë salla sporti. Dihen prioritetet cilët duhet të jenë. Pra, ne kemi parë që shumë salla ndërtohen edhe me kapacitete të vogla. Ne nuk kemi analiza se sa fëmijë kanë deformime fizike për shkak se mbajnë aktivitete të izoluara fizike në mungesë të kushteve. Po ashtu, është e dhimbshme se pse heshtin edhe shoqatat që merren me aktivitete sportive dhe nuk e ngrejnë zërin”, thotë Ismaili.

    Ai kërkon që në të ardhmen të sillet një rregullore nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që kur do të ndërtohet një shkollë e re, të përfshihet edhe salla e sportit.

    “Duhet të sillet vendim që në të ardhmen, kur të ndërtohen objektet e reja shkollore, bashkë me objektin shkollor të ndërtohet edhe sallë sporti dhe jo shkollat të presin me vite derisa të sigurojnë sallë sporti”, tha Ismaili. Edhe pse kërkesat për salla sporti datojnë që nga viti 2017 e këndej, megjithatë për shtatë vite, në Tetovë është ndërtuar vetëm një sallë sporti në shkollë fillore edhe atë në Shkollën Fillore “Kikish” në Tetovë, ku pjesa dërmuese e nxënësve janë maqedonas. Kurse, në shkollat tjera ku pjesa më e madhe janë nxënës shqiptarë, ora e edukatës fizike zhvillohet në ambiente të hapura ose në salla të vjetra të ndërtuara nga koha e komunizmit. Bëhet fjalë për shkolla që kanë më shumë se një mijë nxënës. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Maqedonia e Veriut po shndërrohet në një depo të veturave të vjetra

    Lajmi i rradhës

    Asnjë grua në krye të listave zgjedhore shqiptare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë